E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Pinari: Ju tregoj bisedat e mia me Patrik Henrin



Laureta Rryçi

Ylli Pinari, ish-drejtuesi i MEICO-s, rrëfeu dje për herë të parë pozicionin që kishte pasur mes amerikanëve dhe shtetit për demontimin e dhjetëra municioneve në Gërdec. Për mëse 40 minuta ai ka bërë deklarimet e tij para trupit gjykues në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Pinari i nisi deklarimet e tij në mënyrë kronologjike duke shpjeguar fillimisht mungesën e tij përgjatë të gjitha seancave gjyqësore që janë zhvilluar deri sot mbi procesin për tragjedinë e Gërdecit. Më tej, si gjithë të pandehurit e tjerë, ai shprehu keqardhjen për tragjedinë e ndodhur, por theksoi se ai nuk kishte përgjegjësi, pasi gjatë detyrës së tij kishte zbatuar me përpikëri vendimet e Këshillit të Ministrave.
Shpjegimet
Sipas Pinarit, MEICO ishte një nga institucionet më të monitoruara brenda shtetit shqiptar. Madje ai pohoi se gjatë kohës që kishte qenë drejtues, kishte pasur marrëdhënie shumë të mira dhe me aleatët ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit. Pinari tregoi gjithashtu se fillimisht kishte qenë ai i pari që kishte takuar me amerikanin Patrik Henri. Sipas tij, ky i fundit kishte një eksperiencë të gjatë në demontimin e municioneve dhe kishte shprehur interesin e tij të madh për një projekt për të marrë përsipër sasi të mëdha municioni për t’i transportuar më pas drejt Amerikës. Në bisedën e tij të parë që Pinari kishte pasur me Henrin, i kishte sugjeruar që projektin e tij duhej që t’ia parashtronte ministrit të Mbrojtjes aso kohe, Fatmir Mediut. Ashtu kishte ndodhur. Pinari tregoi se në janar të vitit 2007, Henri kishte pasqyruar deri në detaje projektin e tij për demontimin e municioneve në prezencë të ministrit të Mbrojtjes, disa drejtorëve të rëndësishëm të kësaj ministrie, Ylli Pinarit dhe disa përfaqësuesve të Shtabit të Përgjithshëm. Pas këtij prezantimi, Pinari kishte mësuar vendimin e Këshillit të Ministrave që i hapte dritën jeshile këtij projekti, vendim që u mor në muajin mars. Më pas, sipas deklarimeve të Pinarit, ai ka zbatuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave dhe vendimet e mëvonshme të ministrit të Mbrojtjes.
Deklarimi
“Dua të shpjegoj para gjykatës se nuk kam qenë prezent në seancat e tjera gjyqësore për shkak të gjendjes sime shëndetësore. Në këtë seancë gjyqësore dua të jap deklarimet e mia të para për të shpjeguar pozicionin tim në këtë tragjedi, ku me bindje shprehem se nuk jam përgjegjës. Fillimisht dua të shpreh keqardhjen për të afërmit e viktimave, apo për të gjithë ata banorë që u prekën nga shpërthimi. Dua të tregoj para gjykatës se kam qenë drejtuesi i MEICO-s për shumë vite me radhë, në dy periudha të ndryshe. Përsa kohë që unë kam qenë në drejtimin e kësaj strukture, MEICO ka qenë e monitoruar rregullisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Tatim-Taksat dhe shumë institucione të tjera ndërkombëtare. Gjatë gjithë kësaj kohe, qoftë edhe për një herë të vetme, nuk kemi marrë vërejtje për procedurën e punës që kishim në lidhje me hartimin e kontratave mbi shitjen e armëve. Periudha 2007-2008 ka qenë me shumë angazhime për strukturën që unë drejtoja. Kujtoj këtu që kishim kontratë me Belgjikën për barut, me Malin e Zi dhe me shumë shtete të tjera në të njëjtën kohë për demontimin e armëve. Midis tyre, ishte dhe projekti me amerikanin Patrik Henri. Pas vendimit të marsit të Këshillit të Ministrave, MEICO kishte si detyrë që municioni që vinte nga Poliçani të numërohej dhe t’u kalonte me procesverbale të sakta përfaqësuesve të firmës ‘SAC’, që drejtohej nga amerikanët. Patrik Henri kishte sqaruar se në Shqipëri, gjatë procesit të demontimit, do të bashkëpunonte me një ortak shqiptar që drejtonte firmën ‘Albademil’. Detyra e përfaqësuesve të MEICO-s ka qenë që të numërohej municioni, më pas ne nuk kishim asnjë të drejtë që të shikonim procesin e demontimit për të parë nëse vërtet rregullat zbatoheshin. Nuk jam specialist i fushës, por më kujtohet se faza e parë e demontimit ka qenë pak delikate. Kjo fazë përfundoi në tetor të vitit 2008. Kam mësuar se gjatë kësaj faze, në fabrikën e demontimit disa herë kishte pasur shkëndija zjarri. Me sa di unë, këto kishin ardhur për shkak të teknologjisë jo të mirë të aparaturave që përdoreshin për demontimin e municioneve. Për këtë proces kishte garantuar Patrik Henri. Tragjedia nuk ka si të jetë përgjegjësi e imja. Detyra ime përfundoi me dorëzimin e municioneve pranë përfaqësuesve të SAC-it. Kam besim të gjykata që do të dijë të japë drejtësi për këtë ngjarje”, - përfundoi deklarimin e tij dje Ylli Pinari.

Dëshmitari Kristaq Arapi

“Jam ushtarak prej disa vitesh. Kam nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me forcat e Komandës së Bashkuar si specialist për infrastrukturën dhe mjedisin. Me datën 30 prill të vitit 2007 më ka thirrur në zyrë, gjeneral Shpëtim Spahiu, që aso kohe ishte në krye të Forcës së Komandës së Bashkuar (FKB). Gjatë atij takimi, gjeneral Spahiu më informoi se në zyrën e tij ndodhej përfaqësuesi i kontraktorit që kishte marrë leje për ndërtimin e një impianti për demontimin e municioneve pranë ish-repartit të Gërdecit. Mësova se kontraktori ishte palë amerikane, mirëpo përfaqësuesi që ndodhej atë ditë në zyrë ishte shqiptar. Bashkë me të u larguam drejt Gërdecit. Atje gjetëm vetëm një roje. Hymë në pjesën e brendshme të repartit dhe përfaqësuesi, gjeneralitetet e të cilit nuk më kujtohen, më informoi për vendin ku ishte caktuar për t’u ndërtuar impianti i demontimit. Unë menjëherë i thashë se ai vend ishte shumë afër rrugës ku kalonin banorët e zonës së Gërdecit. Ai më tha se të tjerë specialistë kishin përcaktuar vendin dhe mendimi i tyre ishte miratuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas tij, ky vend nuk mund të ndryshohej më. Përfaqësuesi i palës amerikane u largua, ndërsa unë qëndrova për të vëzhguar më me imtësi ambientin. Vura re se pak më tutje, mes objektit 16 dhe 17, kishte një hapësirë të përshtatshme për të ndërtuar këtë impiant. Të nesërmen kam shkuar në zyrën e gjeneral Spahiut dhe pasi i raportova për bisedat me përfaqësuesin e kontraktuesit, i dhashë dhe argumentet e mia se përse nuk isha dakord që fabrika të ndërtohej në vendin e caktuar. Gjenerali më kërkoi që mendimin tim ta përcillja në formë informacioni me shkrim. Unë duhet të përgatisja një raport bashkë me shefin tim të zyrës, duke u bazuar edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, si dhe në Urdhrin Nr. 550 të ministrit të Mbrojtjes. Ky urdhër e detyronte Forcën e Komandës së Bashkuar që të hartonte një kontratë dhënieje me qira për palën amerikane për hapësirën që kërkonte të shfrytëzonte brenda ish-repartit të Gërdecit. Mirëpo sipas ligjeve që ishin fuqi mbi dhënien me qira të objekteve apo ndërtesave shtetërore, Komanda e Bashkuar nuk kishte kompetencë për hartimin e një kontrate të tillë. Përveç se kaq, shpjegova dhe arsyet se përse nuk duhej të ndërtohej fabrika. Më datë 3 maj të vitit 2007 kam përpiluar një relacion, të cilin e kam nisur për në Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejt Shtabit të Përgjithshëm. Në të shkruaja arsyet përse nuk duhej të ndërtohej fabrika. Kam marrë përgjigje nga drejtoria në Ministrinë e Mbrojtjes se nuk kishin kompetencë të merreshin me Urdhrin 550 të ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa nga Shtabi i Përgjithshëm nuk mora asnjëherë përgjigje mbi këtë relacion”.

10 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›