Rama: Buxheti për Tiranën u miratua
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha dje se buxheti për këtë bashki është miratuar dhe u bëri thirrje palëve kundërshtare që të pranojnë rezultatin.
Fillimisht, Rama iu kërkoi ndjesë qytetarëve për shfaqjen e djeshme. “Do të doja t’iu kërkoja ndjesë qytetarëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë për mungesën e qytetarisë, me të cilën u mbyll mbrëmë mbledhja e Këshillit Bashkiak, në përpjekjen e dëshpëruar dhe dëshpëruese të pakicës së bashkuar PD-LSI, për të mohuar shumicën qytetare që votoi pro buxhetit të ri të kryeqytetit”, - tha Rama.
Më pas ai falënderoi këshilltarët e forcave politike të djathta që votuan për buxhetin. “I falënderoj shtatë këshilltarët e forcave të tjera politike, që së bashku me 22 këshilltarët socialistë e socialdemokratë e çliruan buxhetin e kryeqytetit, duke kapërcyer kufijtë partiakë e duke i dhënë jetë me 29 vota, një aleance qytetare, jo kundër pakicës së bashkuar PD-LSI, por pro Tiranës sonë të përbashkët.
Ky nuk është buxheti im dhe as i 29 këshilltarëve që e votuan pro. Ky është buxheti i atyre qindra-mijëra njerëzve që na kanë votuar dhe që sot presin nga ne të gjithë të vazhdojmë punën për Tiranën, duke e mbyllur qetësisht kapitullin e buxhetit e bashkë me të, edhe lojën politike që e zvarriti miratimin e punëve tona të përbashkëta për vitin 2009”, - tha Rama.
“Pavarësisht të gjithave, as unë dhe asnjë prej qytetareve dhe qytetarëve që kanë votuar më 18 shkurt për koalicionin tonë apo për grupin e Ilir Metës nuk do të donim sot, që pasi u bashkuan me Sali Berishën për të bllokuar buxhetin, Iliri të bashkohej me Sali Berishën për të prishur votimin e ligjshëm transparent dhe të fiksuar nga të gjitha kamerat pro buxhetit.
Kjo do të ishte jo vetëm më e keqja për atë vetë e për grupin e tij, por edhe oguri më i padëshiruar për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve të mëdha të 144 ditëve më vonë, kur me apo pa Ilir Metën, bashkimi i ri qytetar, përtej të majtës e të djathtës, përtej kufirit të partive dhe të dasive partiake do të votojë ndryshimin e madh në mbarë Shqipërinë.
Nga ana tjetër, Sali Berisha duhet të japë sot si kryeministër, duke pranuar rezultatin e një votimi të bërë në sytë e të gjithë shqiptarëve nga 29 qytetarë, provën se është i gatshëm të pranojë nesër verdiktin që do të dalë nga mijëra kutitë e votimit, ku populli i tërë do të hedhë votën për ndryshimin e shumëpritur 18 vjet me radhë.
Të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës, të majtë e të djathtë, me apo pa parti, iu them sot se cilido qoftë reagimi i pakicës së djeshme ndaj votimit të djeshëm, zëri juaj është dëgjuar fort me votën e 29 këshilltarëve”, - vijoi më tej Rama.
Këshilltarët e PD: Rama donte të zhdukte 14 milionë dollarë
Grupi i këshilltarëve demokratë tha dje se kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, donte të zhdukte 14 milionë dollarë me mashtrime nga buxheti i Tiranës.
“Provokimi, zhurma, kakofonia, mashtrimi dhe rrugaçëria që kryetari i Bashkisë, Tiranë shfaqi personalisht, kishin vetëm një qëllim; të fshihnin të vërtetat e hidhura të projektbuxhetit, të fshihnin shkeljet flagrante ligjit, të cilat i zbuloi grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike.
Edi Rama u kap në flagrancë, duke i hequr buxhetit të bashkisë të paktën 14 milionë euro, duke marrë nga projektet për ndërtime rrugësh, shkollash, kopshtesh, qendrash komunitare, parqesh apo lulishtesh të paktën 14 milionë euro dhe për t’i fshehur ato në xhepa të padukshëm personalë.
Edi Rama i refuzoi qytetarëve dhe qytetit të Tiranës edhe rreth 14 milionë euro të tjera që këshilltarët e Partisë Demokratike propozuan të shtoheshin në buxhetin e investimeve të reja për vitin 2009, duke shkurtuar shpenzimet e pafund të personelit dhe të administratës së fryrë pafund dhe për qëllime personale e elektorale nga Edi Rama.
Blerja e drejtuesve të medieve, apo deputetëve, apo këshilltarëve, apo partive politike, ose reklamat partiake apo fushatat elektorale nuk kanë lidhje me interesat dhe nevojat e qytetarëve të Tiranes. Prandaj dhe ne nuk mund t’i lëmë këto 14 milionë euro pa destinacion.
Me gjithë përpjekjet tona si këshilltarë të opozitës, Edi Rama refuzoi t’i destinonte këto 14 milionë euro, refuzoi t’ia kthente ato buxhetit të bashkisë, madje shkoi deri atje, sa prishi votimin, vetëm që të mos kthente 14 milionë eurot. Këto 14 milionë euro nuk mund të shkojnë për të ngopur babëzinë e Edi Ramës. 14 milionë eurot duhet të destinohen për të plotësuar nevojat e qytetarëve të Tiranës”, - thuhet në deklaratën e këshilltarëve të PD.
“Numërimi i Edi Ramës, stil alla Arturo Ui”
Flet Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili
A keni një reagim mbi votimin e djeshëm në Këshillin Bashkiak për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009?
Sigurisht që kemi. Dje qytetarët e Tiranës, të cilët kanë pasur mundësinë ta ndjekin për herë të parë pas kaq vitesh seancën ku u diskutua për miratimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, u përballën me një kryetar bashkie arrogant, i cili deklaroi haptas që në minutën e parë të diskutimit të tij se nuk negocion asnjë shifër, nuk pranon të diskutojë asgjë për buxhetin dhe përfundimisht të gjithë qytetarët kuptuan që për Ramën ky nuk është buxheti i qytetarëve, por është buxheti i tij personal.
Gjithashtu, po dje, qytetarët e Tiranës u përballën dhe me një fakt tjetër shumë të rëndë, sepse panë një kryetar bashkie - kryetar partie njëherazi, i cili dikur përjashtonte deputetët e tij para ca kohësh, sepse transferonin votat për të zgjedhur Presidentin e Republikës, mbrëmë ai nëpërmjet një tentative manipulative synoi të përdorte të njëjtin skenar, pra të blinte votat tek e djathta për të kaluar buxhetin e tij abuziv dhe korruptiv. Për ironi të fatit, edhe mënyra se si u tentua të konsumohej ky manipulim, nëpërmjet votimit të drejtpërdrejtë të këtij kryetari që bënte njëkohësisht dhe sekretarin, dhe numëruesin e votave, për ata që kanë memorie dhe kanë kujtuar sadopak Teatrin Kombëtar shqiptar, është i njohur ky lloj numërimi që Rama kreu në stilin alla Arturo Ui, kur votohej për trustin e lulelakrës e kur të gjithë votonin në presion dhe me imponimin e dhunës dhe të korrupsionit klientelist.
Por, realisht kishte 28 vota pro, apo jo?
Ju thashë, Arturo Ui mund të numëronte dhe 48 kartonë pro. Këshilli Bashkiak ka procedurën e tij të votimit, sekretarinë, e cila numëron votimin dhe shpall votat. Nuk është Edi Rama që edhe numëron, dhe miraton, dhe nxjerr rezultatin e votimit. Më vjen keq, por kjo diktaturë që Edi Rama kërkon të stabilizojë është për të, por nuk është për ligjin.