Berisha i uron Ditën e Pashkës besimtarëve katolikë shqiptarë
++ Kryeministri: Përulemi para klerikëve, rol vendimtar në pavarësinë e Shqipërisë
++ Urimet e politikës për sa më shumë paqe, bashkëpunim dhe tolerancë
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha vizituan sot Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë, në ditën e kremtimit të Pashkës Katolike. Kryeministri i përcolli të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë urimet e tij më të përzemërta, për këtë ditë të shënuar për ta. Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Erdha ti shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të qeverisë shqiptare, Imzot Rrok Mirditës, udhëheqësit të Kishës Katolike të vendit, në këtë ditë të shenjtë, ditë të ringjalljes, të përjetësisë, të shpëtimit dhe shpresës. Pashka është një ditë e madhe për të gjithë ata që i besojnë Zotit, sepse u ngjall Krishti, burri dhe hyjni që me shpirtin e tij u shkri në moralin e njerëzimit. Profeti që meritoi të jetë profet në të gjitha besimet. Por ky është një moment shumë i veçantë, sepse këtë vit Pashkët festohen në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Është në detyrimin e mbarë shqiptarëve të përulen me nderimin më të madh para rolit të jashtëzakonshëm që udhëheqësit e Klerit Katolik, e Klerit Ortodoks, e Klerit Mysliman, kanë luajtur këto 100 vjet në konsolidimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në qofte se shkojmë në vitet ‘12 apo rreth atyre viteve, shqiptarët nuk duhet të çuditen që do të gjejnë në historinë e tyre burra vigan të Klerit Katolik, por edhe të besimeve të tjera, që bënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar, për Shqipërinë e Pavarur. Përdorën të gjithë fuqitë e tyre, lidhjet e tyre nga Senati dhe Kongresi amerikan deri ne Vatikan dhe kudo që i kishin, me qëllim që Shqipëria të bëhej e pavarur. Ironia ishte se jo rrallë, këta burra përballeshin jo më vetëm me ata të cilët e kundërshtonin nga jashtë këtë pavarësi, por edhe me politikanë shqiptarë të zhveshur nga çdo moral shqiptari. E vërteta është se Kisha Katolike u shndërrua në ato vite, në një flamurtare të vërtetë të çështjes kombëtare dhe të pavarësisë së Shqipërisë, të konsolidimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ajo ishte një avokate e madhe e kësaj çështje, jo vetëm në Selinë e Shenjtë, por në të gjitha lidhjet e saj. Sot në këtë 100 vjetor nuk mund të mos përulesh me nderimin më të madh para sakrificës sublime të dhjetëra e qindra klerikëve katolik, që u flijuan për tu bërë të pavdekshëm, u martirizuan për të mbrojtur vlerta hyjnore dhe njerëzore nga një regjim barbar. Sot është një ditë ku unë dua të shpreh nderimin më të madh ndaj Imzot Rrok Mirditës dhe të të gjithë udhëheqësve të tjerë të komuniteteve fetare, që këto 20 vjet i rikthyen Shqipërisë dhe shqiptarëve më të çmuarën e shpirtit të tyre, besimin tek Zoti, vlerësimin e besimeve të mëdha. Dhe njëherë gëzuar për të gjithë shqiptarët që i besojnë Zotit, në këtë ditë të madhe, ditë të shpresës, të përjetësisë, të shpëtimit dhe të ardhmes”- tha Berisha. Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha vizituan dhe uruan Festen e Pashkëve edhe në Selinë e Bashkësisë Fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” ku u pritën nga Presidenti i VUSH, Pastor Fitim Muça dhe drejtues të tjerë të këtij komuniteti. Në mesazhin e urimit të tij ndaj besimtarëve të krishterë kryeministri u shpreh: “Erdha të uroj Ungjillorët e Shqipërisë, këtë ditë unike, ditë të shenjtë, ditën e Ringjalljes së Hyjit dhe burrit, që i dha veten e tij dha çfarë kishte më të çmuar për të shpëtuar njeriun, për të bërë moralin e tij, më të lartë më të qytetëruar. Ungjillorët shqiptarë janë një traditë e hershme, jo masive, por me një rëndësi të veçantë në historinë e kombit, në historinë e vendit, historinë e besimeve. Ungjillorët kanë qenë avoketër të shkëlqyer të shqiptarizmit, të atdhetarizmit, kanë qenë avoketër të shkëlqyer të lirive dhe të të drejtave shqiptare duke bërë të njohur problemet e kombit shqiptarë, në të gjithë Ungjillorët e Botës. Ndaj dhe është një kënaqësi e veçantë për mua t’i uroj në këtë ditë të shenjtë, në këtë 100 vjetor dhe t’i lutemi se bashku Zotit, që Pashkët e tjera, t’i festojmë edhe më mirë, siç e meritojmë”- vijoi kryeministri.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Gjithashtu, mesazhe urimi u përcollën dhe nga Kryetarja e Kuvendit. “Uroj besimtarët shqiptarë gëzuar Pashkët. Me tolerancë gjërat janë bërë dhe mund të bëhen mirë”, u shpreh kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, pas vizitës së rastit në Kishën Katolike.
Ilir Meta uron nga Durrësit besimtarët katolikë
Kryetari i LSI-se Ilir Meta vizitoi sot Kishën “Shën Luçia” të Durrësit për t’i shprehur monsinjor Damian Kurti, urimet më të mira për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e festes se Pashkëve Katolike. “Në radhë të parë do doja të bëja një urim për të gjithë besimtarët katolikë dhe të gjithë shqiptarët, për Pashkët, në këtë ditë kaq të rëndësishme do të dëshiroja që Paqja dhe Bashkëpunimi të jenë në zemrat dhe në mendjet tona, të jenë në zemrat e çdo shqiptari por edhe në mendjet e politikës dhe të politikanëve”- u shpreh z. Meta. Duke iu drejtuar gjithë besimtarëve katolik Meta tha se ”dua të uroj të gjithë besimtarët katolik, por edhe të gjithë shqiptarëve këtë ditë ringjallje, këtë ditë shprese, edhe paqe. Shpresoj dhe uroj, që viti tjetër të na gjejë më me shpresë, dhe të jetë vërtetë një vit që të mos na e frenojë gëzimin”, tha Meta. Kryetari i LSI-së z. Meta ishte shoqëruar nga deputeti Lefter Koka si dhe nga zv. Ministret Filloreta Kodra dhe Nora Malaj.
...