Papa uron në shqip: “Për shumë vjet Pashkët!”

Ati i Shenjtë bën thirrje për paqe në Siri dhe Lindjen e Mesme
Mijëra persona kanë marrë pjesë në meshën e mesditës të së dielës në sheshin e Shën Pjetrit. Papa Benedikti i 16-të bëri thirrje për paqe, ndërsa uroi Pashkët në 65 gjuhë të botës. Papa bëri thirrje në mesazhin e tij për paqe e harmoni në botë, ndër të cilat edhe në gjuhën shqipe. “Për shumë vjet gëzuar Pashkët!”, u shpreh Papa teksa fliste nga ballkoni i Bazilikës. Në festën e Pashkëve Papa Benedikti i 16-të ka tërhequr vërejtjen se njerëzimi po ecën nëpër errësirë, duke mos qenë i aftë ta dallojë të mirën nga e keqja. “Jeta është më e fortë se vdekja. E mira është më e fortë se e keqja. Dashuria është më e fortë se urrejtja. E vërteta është më e fortë se gënjeshtra” u shpreh Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara mijëra besimtarëve. Në mesazhin e tij, “Urbi et Orbi”, Papa u lut ndër të tjera, që “potenca e shpëtimit e ringjalljes së Krishtit, të prekë të gjithë njerëzimin, për të patur një të ardhme me dashuri e vërtetësi, dhe ku çdo jetë njerëzore, duhet respektuar”.
Benedikti i 16-të mbajti dhe një meshë mëngjesin e së dielës, ku shprehu frikën se njerëzimi është duke dalë gjithmonë e më shumë nga rruga e Zotit. “Zoti bekoftë, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në veçanti të sëmurët e ata që vuajnë në trup e në shpirt”- tha Papa Benedikti i XVI.
Mesha e Pashkëve në Vatikan
Mesazhi i ringjalljes së Krishtit përhapet po njësoj si mijëra vjet më parë kur Maria Magdalena ua komunikoi dishepujve: “Pashë Zotin”. Shpresa në këtë botë, kurrsesi nuk do të mbetet pa u përballur me ashpërsinë e së keqes”. Nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë iu drejtua mijëra besimtarëve katolikë siç ndodh çdo vit. Mesazhi i Pashkës u ndoq nga urimi “Urbi et Orbi” në 65 gjuhë të botës. “Çdo i krishterë rijeton ato çaste, të cilat i jetoi Maria Magdalenë. Është takim, që ta shndërron jetën: takim me Njeriun e pashoq, që na bën të shijojmë gjithë mirësinë dhe vërtetësinë e Hyjit, na çliron nga e keqja, e jo cektësisht, përkohësisht, por na shpëton rrënjësisht, na shëron plotësisht e na rikthen dinjitetin tonë. Ja, Maria Magdalenë e thërret Jezusin: “shpresa ime”: sepse ai e rilindi, i dha ardhmëri të re, jetë të mirë, të çliruar nga e keqja, “Krishti, shpresa ime”, do të thotë se çdo dëshirë e mirë që kam në zemër, me ndihmë të Tij mund të realizohet. Me Të, shpresoj se jeta ime mund të jetë e mirë, e përkryer, e amshuar, sepse vetë Zoti erdhi ndër ne e hyri në natyrën tonë njerëzore. Por Marisë së Magdalës, ashtu si dishepujve të tjerë, iu desh ta shikonte Jezusin të poshtëruar nga krerët e popullit, të kapur, të rrahur me kamxhik, të dënuar me vdekje e të kryqëzuar. Duhet të ketë qenë diçka thellësisht e padurueshme ta shikoje vetë Mirësinë të fyer nga hakmarrja. Me vdekjen e Jezusit u duk sikur mori fund një herë e përgjithmonë çdo shpresë e atyre, që besonin në Të. Por pikërisht besimi nuk u shua kurrë: sidomos në zemrën e Virgjërës Mari, Nënës së Jezusit, flaka e besimit mbeti e ndezur edhe në errësirën e natës më të zezë. Shpresa, në këtë botë, nuk mund të mos e llogarisë forcën e së keqes. Nuk e pengon vetëm muri i vdekjes. Edhe më shumë se vdekja e pengojnë majat e mprehta të zilisë e të mendjemadhësisë, të mashtrimit e të dhunës. Jezusi kaloi përmes leqeve mortore, për të hapur shtegun kah Mbretëria e jetës. Erdhi një çast, kur u duk se Jezusi e kishte humbur betejën: errësira pushtoi mbarë tokën; heshtja e Hyjit ishte e plotë, shpresa tingëllonte si fjalë tanimë krejt e kotë”- u shpreh në fjalën e tij, Ati i Shenjtë. Ai iu drejtua të gjithë popujve që sot kalojnë ditë të vështira, nga Siria, Lindja e Mesme, Sudani, Nigeria dhe Mali. Papa Benedikti i XVI kërkoi t’i jepet fund dhunës, terrorizmit dhe gjakderdhjes. “Në Siri, në veçanti, të ndaloje gjakderdhja dhe të merret pa hezitim rruga e respektit, dialogut dhe pajtimit, ashtu siç u kërkua edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Mijëra refugjatë që vijnë nga ai vend, të cilët kanë nevojë për ndihmë humanitare të gjejnë mikpritje dhe solidaritet që mund t’u lehtësojë brengat”- vijoi Ati i Shenjtë, Papa Benedikti i XVI.
Sa i takon Tokës së Shenjtë, Papa u kërkoi izraelitëve dhe palestinezëve të nisin me kurajo procesin e paqes. Të shtunën në mbrëmje, në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë foli për errësirën që ka mbuluar njerëzimin, tashmë i paaftë për të dalluar të mirën nga e keqja: “Errësira që paraqet një kërcënim të vërtetë për njerëzimin, pas gjithçkaje, është fakti se njeriu mund të shohë dhe të hetojë gjërat e prekshme materiale, por pa kuptuar se ku po shkon bota, nga vjen ajo, ku po shkon jeta jonë, çfarë është e mirë ose e keqe. Errësira që mbështjell Zotin dhe që errëson vlerat është kërcënimi real i ekzistencës sonë dhe i botës në tërësi”. Mesha nisi në errësirë, një simbolikë e varrit ku u vendos trupi i Jezu Krishtit përpara se të vinte drita e ringjalljes, tre ditë pas kryqëzimit. Mbi 10 mijë besimtarë ndezën qirinj dhe më pas të gjitha dritat ndriçuan Bazilikën për të treguar se ajo vjen bashkë me ringjalljen e Krishtit. Ati i Shenjtë, i cili mbush 85 vjeç më 16 prill, pagëzoi tetë persona nga Italia, Shtetet e Bashkuara, Sllovakia, Turkmenistani, Shqipëria, Gjermania dhe Kameruni. Ringjallja e Krishtit është data më e rëndësishme në kalendarin liturgjik për 1.2 miliardë katolikë në të gjithë botën.