Berisha, i vendosur për tatimin progresiv të kompanive të mëdha
Kryeministri Sali Berisha është i vendosur për tatimin progresiv mbi fitimin të kompanive të mëdha. Sipas Kryeministrit, me një masë të tillë nuk cenohet parimi i taksës së sheshtë, por ulen tarifat në mbrojtje të qytetarëve. Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha tha se kanë filluar bisedimet me bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit. Qeveria është shumë e vendosur dhe nuk heq dorë, pavarësisht kundërshtimeve në media të grupeve të biznesit, për masën e taksimit progresiv të kompanive të mëdha. Tatim fitimi mbi kompanitë të cilësuara si biznes i madh do të rritet deri në 30 për qind, nga 10 për qind që aplikohej. Sipas draftligjit të përfunduar nga Ministria e Financave, ky tregues do të rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore, mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30% në 70%, dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.