Qeveria vendos ndërtimin e 100 banesave për Romët në Shkozet
Qeveria vendosi dje që të ndërtoje 100 banesa sociale për komunitetin Rom në Durrës. Ky vendim konkretizon projektidenë e paraqitur nga kryeministri Berisha në takimin e zhvilluar me komunitetin rom në Shkozet, në fillim të muajit prill, të këtij viti. Ky vendim, i cili merret në kuadër të dekadës së romëve, i hap rrugë zbatimit të fazës së parë të projektit për ndërtimin e 100 banesave sociale për komunitetin rom, në zonën e Shkozetit. Projekti, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë, krahas banesave përfshin edhe mjedise të tjera në funksion të tyre, si qendër shëndetësore, kopsht për fëmijët dhe ambiente të tjera sociale. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri u shpreh se qeveria nuk do të reshtë përpjekjet për të mbështetur komunitetin rom dhe për të eliminuar gjithnjë e më tepër pasojat e rënda të diskriminimit të pamerituar shekullor, ndaj këtij komuniteti. Gjithashtu, qeveria vendosi dje kalimin e objekteve të mbetura të paprivatizuara, të ish-Qytetit të Nxënësve, pranë Shkollës së Mesme Teknologjike, Tiranë, (ish - Shkolla e Muzikës, ish - Shkolla e Mjeshtërisë së Futbollit), nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për Entin Kombëtar të Banesave, sipas formularit dhe planimetrive bashkëlidhur, me qëllim privatizimi në favor të banorëve të pastrehë, të cilët banojnë në këto godina dhe që nuk kanë bërë privatizimin.