Baraj: “Ngritja e centralit bërthamor, delir i radhës i Berishës”
Partia Socialiste i quajti delir të radhës deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit Berisha për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Sekretari për Mjedisin në PS, Besnik Baraj, u shpreh se ka shumë arsye që e bëjnë të pamundur ëndrrën nukleare të Berishës, meqë vendi ynë nuk ofron shumë kushte. Baraj shpjegoi se centrali bërthamor nuk mund të ngrihet në Shqipëri sepse vendi ynë shtrihet në atë brez të globit që ka sizmikë të lartë. Ai deklaroi se në Shqipëri nuk ka burime njerëzore profesionale të kualifikuara për të menaxhuar impiante të tilla. Baraj e akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se ka çuar drejt zhdukjes dhe degradimit të plotë Institutin e Fizikës Bërthamore pas rikompozimit që i bëri Akademisë së Shkencave. Sekretari për Mjedisin në PS tha se Shqipëria nuk ofron mineral uraniumi për të qenë atraktiv për ndërtimin e centralit bërthamor. Baraj u shpreh se për ndërtimin e centralit nuk ka konsensus. “Shqipëria nuk ka konsensus politik dhe atë të publikut, jo vetëm për Shkodrën, por për mbarë Shqipërinë, dhe së fundi nuk ka konsensus rajonal”,- deklaroi ai. Baraj tha se pas 28 qershorit do të mbarojë epoka e marrëzirave, duke penguar mashtrimin e qytetarëve të këtij vendi, sikurse ndodhi me Vlorën, si dhe për të penguar kthimin e Shqipërisë në Gërdec të Europës.
PS: Deklarata e fasonistëve, sinjal i krizës ekonomike që ka prekur vendin
Nënsekretarit për Programin në PS, Ilir Beqja, komentoi deklaratën e fasonistëve duke e quajtur si një sinjal të krizës ekonomike që po prek Shqipërinë. Beqja deklaroi se niveli i papunësisë në vend po rritet, ndërsa prodhimi po ulet. “Deklarata e sotme e fasonistëve nuk është gjë tjetër veçse edhe një sinjal që provon se vendi është në krizë, se prodhimi po ulet, se papunësia po rritet, se 11 mijë punonjës kanë humbur vendin e punës dhe 50 ndërmarrje janë mbyllur”, - tha Beqja. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha se po mohon krizën ekonomike, madje flet për rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë. Sipas tij, nëse kryeministri dhe qeveria nuk e kuptojnë që vendi është në krizë, atëherë janë të paaftë, nëse e fshehin atë, atëherë kjo është papërgjegjshmëri e dënueshme. Beqja u shpreh se pas 28 qershorit, Partia Socialiste jo vetëm që do të tregojë transparencë mbi situatën ekonomike në vend, por i siguron fasonistët dhe gjithë sipërmarrjen shqiptare se do të jetë në krah të tyre. Ai premtoi se nëse PS-ja do të fitojë zgjedhjet, qeveria e saj do të çinstalojë sistemin e pagave dhe çmimeve të referencës. Gjithashtu nënsekretari për Programin në PS, Ilir Beqja, premtoi rimbursim të tatimit mbi vlerën shtuar.
1 Maj 2009