Berisha imiton Ramën, deklaron turin e tij “Dialog me Shqipërinë”
Kryeministri Sali Berisha ka bërë surprizën e radhës gjatë vizitës në Sarandë ditën e djeshme. Lideri i maxhorancës u ka kërkuar falje qytetarëve për kontaktet e pakta me të, që sipas tij, kanë ndodhur për shkak të impenjimeve të mëdha. Pavarësisht kësaj, Berisha u ka premtuar qytetarëve një tur takimesh në të gjithë vendin, i cili nuk ka për t’u ndalur. Kryetari i PD-së ka shfaqur pamje pendese në Sarandë për mungesën e tij mes qytetarëve shqiptare dhe për të kompensuar këtë ai do të bëjë vizita në të gjithë territorin e vendit. Ndonëse kryeministri Berisha u shprehu një premtim qytetarëve shqiptarë, ai ka zgjedhur që të ndjekë shembullin e rivalit të rij Edi Rama, i cili prej një viti ka nisur turin “Dialog me Shqipërinë” për të folur mbi problemet e qytetarëve. “Ju do ta ndiqni këtë tur, që nuk do të ndalet tani e tutje”, - premtoi Berisha. Kryeministri tha më tej se Shqipërinë do ta vizitojë pëllëmbë për pëllëmbë. “Unë kam pasur disa arsye që më kanë mbajtur disi të shkëputur nga terreni, sepse jam detyruar të udhëtoj shumë jashtë shtetit për shkak të procesit për në NATO-s. Por tani do ta vizitoj Shqipërinë pëllëmbë për pëllëmbë dhe kam shumë kënaqësi, pasi kudo që shkoj, gjej një Shqipëri absolutisht në ndërtim vetëm në Sarandë dhe Delvinë janë në tërësi në ndërtim 150 km rrugë”, - tha Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh optimist se në mbarë vendin do të shohë që taksat e qytetarëve janë hedhur për ndërtime publike. Berisha tha se në mbarë vendin po ndërtohen rrugë, ujësjellës për një jetesë më të mirë. “Por, nëse shkojmë në Korçë gjejmë të njëjtën situatë, në Peshkopi, Kukës, Tropojë, Lushnjë, Fier etj. Taksat e qytetarëve shqiptarë po shkojnë në rrugë, ujësjellës, kanalizime, pra në kushte normale për jetesën e tyre”, - u shpreh Berisha me optimizëm.
3 Maj 2008