E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lizingu, forma e re e blerjes edhe kur nuk i ke të gjitha paratë

ǒështë qiraja financiare që aplikohet nga kompanitë. Ku dhe çfarë shërbimesh apo sendesh mund të blejmë me lizing

Ervin Koçi

Lizingu është një formë kredie e vogël, e butë, ose siç njihet ndryshe, qiraja financiare, me anë të së cilës një person mund të përfitojë një shërbim apo mund të blejë edhe pa i pasur të gjitha paratë e domosdoshme. Aktualisht në vendin tonë vetëm pak kompani dhe banka e ofrojnë një shërbim të tillë, që në vendet e zhvilluara është shumë i përhapur. Vetëm disa auto-sallone, disa kompani imobiliare, pak firma elektro-shtëpiake dhe së fundi tri banka, janë bërë pjesë e skemës ku mund të blesh edhe me lizing. Pas Tirana Bank dhe Raiffeisen Bank, edhe Banka Credins ka hyrë në tregun e lizingut me “Credins Leasing”, duke ofruar një pjesëmarrje në financim deri në 80 për qind dhe duke ofruar mundësinë për të lënë një pjesë të mbetur të vlerës për në fund të kontratës. Në këtë mënyrë bankat private u ofrojnë klientëve një produkt më të përballueshëm financiarisht. Tregu i lizingut ka potenciale të mëdha zhvillimi dhe hapësira të mëdha në vendin tonë, ndaj parashikohet që shumë shpejt të jetë po aq i fortë në treg sa edhe konkurrentët aktualë të mëdhenj.

Financimi me lizing

Financimi me lizing është dyllojesh: financiar dhe operacional. Lizingu financiar është i ngjashëm me kredinë, por që ka disa ndryshime në strukturë nga kredia. Një financim me lizing është më fleksibël se kredia, duke qenë së është një financim mbi mjetin. Kur kemi të bëjmë me mjete me treg dytësor të qëndrueshëm, shoqëria e lizingut, brenda normave të lejuara të menaxhimit të rrezikut, tregohet “më tolerante” sesa në rastin e kredisë. Një financim me lizing është “teorikisht” më i lehtë për t’u marrë sesa një financim më kredi. Ndërkohë, struktura e lizingut financiar mund të jetë e ndryshme nga ajo e kredisë. Në këtë financim, vetë parapagimi mbi vlerën e mjetit, si dhe vendosja e vlerës së mbetur në fund të financimit bëjnë që struktura e financimit të përshtatet më shumë se kredia, sipas nevojave dhe aftësisë paguese të klientit. Në fund të periudhës së financimit, klienti ka mundësinë e ushtrimit ose jo të së drejtës së blerjes së mjetit, që në ndryshim nga kredia, i lehtëson atij menaxhimin e mjeteve në fund të periudhës së një projekti të caktuar. Ky lloj financimi do t’i jepte mundësinë klientit që duke qëndruar brenda strukturës lizing, të rinovonte teknologjinë në mënyrë periodike. Lizingu operacional, për disa lloje mjetesh, sidomos për automjetet, është edhe me efikas fiskalisht në krahasim me lizingun financiar apo kredinë, megjithëse më i shtrenjtë se të dyja. Në këtë lloj lizingu, pagesat mujore janë 100 për qind shpenzim i zbritshëm.

Risqet për kompanitë

Aktiviteti i lizingut nuk varet aq shumë nga madhësia e shoqërisë sesa nga mënyra sesi e koncepton atë. Lizing është një aktivitet i mirëfilltë tregtar, që varet nga cilësia e produktit që ofron dhe shërbimi. Madje sa më e madhe të jetë kompania e lizingut, aq më shumë rrezikon të humbasë ndonjë nga cilësitë e saj në shërbim. Thelbi është që brenda ligjit, por edhe brenda kritereve të menaxhimit të rrezikut, të ofrohet një produkt sa më i pranueshëm për një masë sa më të madhe njerëzish. Vetëm kjo gjë do të ishte produkti që do t’i bënte blerësit e makinave p.sh., apo pajisjeve të tjera, që të largoheshin nga blerja me para në dorë dhe ta zëvendësonin atë me blerjen me financim lizing. Ky financim synon që ta bëjë sa më të thjeshtë për individët financimin e mjeteve, duke ofruar një kosto hyrjeje në sistem sa më të ulët, si dhe duke ofruar një strukturë financimi që i lejon klientët që të kenë një pagesë mujore të financimit sa më të përballueshme. Parapagimi është një tjetër element i rëndësishëm për shoqëritë e lizingut, për të menaxhuar më mirë rrezikun e financimit, në rast rimarrje të mjetit të financuar. Kjo pjesëmarrje e klientit në financim, krijon mundësinë që në rast rimarrjeje të mjetit, ta rishesë atë pa humbje, ose me një humbje minimale në rastin më të keq. Shqipëria është një treg i vogël për shitjen e mjeteve si të reja ashtu dhe të përdorura. Për ato që rimerren nga klientët që dështojnë në pagesa, sidomos për makineri të mëdha, apo linja prodhimi, është e vështirë të gjesh mandej blerës brenda vendit. Kjo e vendos një shoqëri lizingu përballë një problemi jo të vogël. Një problem tjetër për lizingun ngelet trajtimi i rasteve të rimarrjes së mjeteve në rast dështimi në pagesë të klientëve, pasi edhe pse ligji e përcakton qartë rimarrjen jashtëgjyqësisht të sendit, sistemi i përmbarimit është shumë joeficient.

Klientët që frekuentojnë tregun e lizingut në vend

Makineritë dhe pajisjet zënë rreth 55 për qind të portofolit të tregut të lizingut dhe në pjesën më të madhe të potencialeve, në financimin e mjeteve të punës. Kompanitë e lizingut dhe bankat kanë krijuar marrëdhënie partneriteti me shitësit më të rëndësishëm të mjeteve të rënda të ndërtimit dhe infrastrukturës, të pajisjeve dentare e mjekësore, të linjave të prodhimit etj. Por, në pjesën më të madhe subjektet shqiptare kanë tentuar drejt mjeteve të përdorura. Subjektet shitëse kanë shumë pak kohë që i kanë kthyer sytë nga mjetet e reja, sidomos që nga momenti i rritjes së ofertës për kredi nga bankat, si dhe me hyrjen në treg të lizngut. Ky i fundit i ofron klientit mundësinë të paguajë këste më të ulëta mujore, pasi përcaktohet në këtë strukturë një vlerë e mbetur, që klienti e paguan në fund të periudhës së financimit. Në këtë rast klienti ka dy mundësi përsa i takon vlerës së mbetur. Ta paguajë atë menjëherë ose ta shlyejë edhe atë me këste. Kjo gjë do të bëjë që të tërhiqen më shumë kategoritë e klientëve që i përkasin nivelit të “buxhetorëve”, pra personat me të ardhura nga rrogat apo nga biznesi që janë shumë të planifikuar në shpenzimet e tyre familjare. Duke ulur koston e hyrjes në këtë financim, lizingu e bën më të lehtë kalimin e shumë individëve apo subjekteve nga mundësia e blerjes cash, të një mjeti të përdorur, në blerjen me lizing të një mjeti të ri.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›