E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN-ja nis takimet zyrtare me qeverinë shqiptare



Ministri i Financave, Ridvan Bode, zhvilloi dje një takim me shefin e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Geriwn Bell, i cili ndodhet në Tiranë për rishikimin e 5-të të Marrëveshjes mes FMN-së dhe Shqipërisë për ecurinë e Artikullit 4. Gjatë takimit u diskutua për axhendën e bisedimeve të misionit me Ministrinë e Financave si dhe për përgatitjet e Forumit të 14 majit “Shqipëria, shanset dhe sfidat për të lëvizur drejt statusit të ekonomisë në zhvillim”, ku do të diskutohet rasti i Shqipërisë në raport me rajonin dhe perspektiva e saj ekonomike pas përfundimit të Marrëveshjes së fundit me FMN-në. Po ashtu do të diskutohet edhe kalimi i saj në statusin e një ekonomie në zhvillim. Një ditë më parë edhe kryeministri Berisha u takua me përfaqësuesin e lartë të FMN-së, Bell, me të cilin diskutoi dy çështje të rëndësishme: zhvillimin ekonomik të vendit dhe rishikimin e zhvillimeve fiskale për vitin 2008. Misioni i FMN-së vlerësoi pozitivisht politikat ekonomike në Shqipëri, stabilitetin makro-ekonomik, rritjen e kapitalit të investimeve, reformën fiskale dhe klimën e biznesit. FMN-ja vlerësoi gjithashtu se edhe zhvillimet fiskale deri tani janë në përputhje me parashikimet e këtij organizmi. Më 13 maj misioni i FMN-së pritet të ketë një konferencë të përbashkët me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ku do të bëhen publike rezultatet vizitës së këtij Misioni në Tiranë.

Tatimet mbledhin 3.3 miliardë lekë mbi planin në 4 muaj

Të ardhurat tatimore për katërmujorin e parë të vitit 2008 janë realizuar në masën 111.8 për qind, ose rreth 3.3 miliardë lekë mbi planin. Sipas të dhënave zyrtare nga DPT-ja, krahasuar me vitin 2007, për periudhën katërmujore janë arkëtuar rreth 8.9 miliardë lekë, ose në masën 124 për qind. E veçanta e këtij viti për administratën tatimore ka të bëjë me faktin se megjithëse tatimi mbi fitimin është përgjysmuar, ndërkohë të ardhurat për këtë lloj tatimi, janë rritur në shumën 121 milionë lekë, ose në masën 101.7 për qind. Në muajin mars të vitit 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3.667 milionë lekë, duke zënë 11 për qind, ndaj totalit të importit. Krahasuar me muajin shkurt 2008, importi i mallrave me akcizë ka patur rritje prej 21.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës me 67.4 për qind.

Më 30 qershor 2008 hapet tenderi për HEC-in "Sllabinjë 2"

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të zhvillojë në datën 30 qershor tenderin e hapur për dhënien me koncesion të hidrocentralit "Sllabinjë 2". Projekti për ndërtimin e këtij hidrocentrali të ri vendor do të realizohet mbi lumin Shkumbin, në rrethin e Pogradecit. Në zonat e Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit gjenden një numër i konsiderueshëm lumenjsh të vegjël malorë, të aftë për prodhimin e energjisë elektrike. Për këtë zonë po vjen në rritje dhe interesimi i firmave private, që duan të ndërtojnë me koncesion HEC-e vendore.

Shqipëri-Turqi, ratifikohet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë

Shqipëria dhe Turqia kanë ratifikuar fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë mes dy vendeve, duke nisur nga data 1 maj 2008. Sipas burimeve zyrtare nga METE-ja, kjo marrëveshje përmbyll ciklin e MTL-ve me të gjitha vendet e rajonit të Europës Juglindore dhe parashikon heqjen e tarifave doganore mes Shqipërisë dhe Turqisë. Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë pësuar rritje të ndjeshme në vitet e fundit, por nënshkrimi i MTL-së pritet të rrisë edhe më shumë shkëmbimet tregtare si në eksport, edhe në importin e mallrave. Në vitin 2007, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve u rritën 41 për qind më shumë se në 2006, me një vlerë totale prej 318 milionë USD. Eksportet nga Shqipëria drejt Turqisë u rritën 90 për qind më shumë, ku ndikimin më të madh e dhanë kryesisht prodhimet e çelikut. Ndërsa importet nga Turqia, kryesisht prodhime të konfeksioneve dhe veshjeve, arritën në vlerën e 294 milionë USD.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›