Grabitja, plagoset pronari i argjendarisë
Vladimir Leka u ka bërë rezistencë grabitësve, por është plagosur me një plumb. Autorët, ende të lirë
TIRANË- Pronari i një argjendarie mbetet i plagosur, gjatë tentativës për të ndaluar grabitësit. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në qendër të Tiranës, pranë “Ushtarit të Panjohur”, kur dy persona të panjohur kanë hyrë të armatosur në një argjendari me qëllim vjedhjen e saj. Por brenda në ambientet e dyqanit janë përballur me rezistencën e pronarit Vladimir Leka. Ky i fundit ka mbetur i plagosur, pasi është qëlluar me pistoletë nga grabitësit të cilët janë larguar me shpejtësi duke iu shpëtuar prangave të policisë. Efektivat e komisariatit të policisë nr.1 mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave, ndërsa i plagosuri i transportua menjëherë në spitalit Ushtarak nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme, dy persona të moshës rreth 17-vjeçare kanë hyrë në një dyqan i cili tregtonte argjendari e që ndodhet në qendër të kryeqytetit pranë sheshit “Sulejman Pasha”. Mësohet se fillimisht dy adoleshentët janë paraqitur si klientë, duke vënë në lëvizje pronarin e dyqanit Vladimir Leka i cili nuk hezitoi t’u shërbente. Por qëllimi i dy personave të panjohur ka qenë grabitja, ndaj dhe brenda pak sekondave kanë startuar planin e tyre. Burime nga policia thanë se dyshohet që njëri prej grabitësve i ka kërkuar pronarit të argjendarisë një varëse floriri, të cilën më pas ka tentuar ta rrëmbejë. Leka ka bërë rezistencë, duke tentuar të mos lejojë vjedhjen e dyqanit, por “klienti” i është kundërpërgjigjur me armë. Ai e ka qëlluar pronarin e argjendarisë me pistoletë dhe më pas është larguar me shpejtësi me shokun e tij për t’i shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit është vënë menjëherë në dijeni nga kalimtarët, të cilët rastësisht u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që të plagosurit iu dha ndihma e parë. Ai u transportua në spitalin Ushtarak, ku dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin e mjekëve të cilët thanë se Leka ka marrë një plumb në krah.
Policia
Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forca të shumta të komisariatit të policisë nr.1, të cilët rrethuan argjendarinë me qëllim administrimin e provave. Ndërkohë që hetimit iu bashkua edhe seksioni i luftës kundër vjedhjeve me dhunë i cili është formuar posaçërisht për të hetuar të tilla ngjarje. Burime nga policia thanë se janë marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, të cilët deklaruan se ishin dy persona të moshës rreth 16-17-vjeç, të cilët hynë në dyqan të armatosur, për të grabitur.Ata ishin të armatosur, ndërsa nuk dihet nëse kishin bashkëpunëtorë të cilët i kanë ndihmuar në largimin e tyre. Të njëjtat burime policore thanë se pritet përmirësimi i pronarit të argjendarisë Vladimir Leka i cili do të merret në pyetje me qëllim dhënien e detajeve rreth autorëve si dhe mekanizmin e ngjarjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia ka shoqëruar në ambientet e komisariatit disa persona si autorë të dyshuar të ngjarjes, por pasi janë marrë në pyetje ata janë lënë të lirë për mungesë provash. Policia bëri të ditur se po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy grabitësve.
I PLAGOSURI
Pronari i një argjendarie në qendër të Tiranës i rezistoi tentativës së grabitjes, por mbeti i plagosur. Ai ndodhet në mjediset e spitalit Ushtarak, nën kujdesin e rreptë të mjekëve
AUTORËT
Edhe pse qëlluan me armë në qendër të Tiranës, autorët e grabitjes jo vetëm që nuk janë arrestuar, por as nuk janë identifikuar për policinë. Ata u larguan fill pasi plagosën Lekën