E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: ”Dakord me sistemin zgjedhor, por duhen standardet”



Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, u shpreh ditën e djeshme se ndryshimet kushtetuese të miratuara në Kuvend janë të duhurat. Sipas Lohan, ndryshimet kushtetuese do t’i hapin rrugë zgjedhjeve të lira në vitin 2009, por që fillimisht duhet të plotësohen standardet e duhura si regjistri zgjedhor dhe kartat e identitetit. Duke u ndalur në sistemin zgjedhor, Lohan tha se vende të ndryshme në Bashkimin Europian kanë zgjedhur sistemin që kanë preferuar, por rëndësi ka që sistemi të jetë demokratik. Shefi i BE-së në Shqipëri u shpreh se zgjedhja e sistemit është e lirë dhe mjafton që ai u miratua me miratimin e palëve. “Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës së Shqipërisë janë amendime që i hapin rrugë zgjedhjeve të vitit 2009. Shqipëria, me anën e një maxhorance të madhe në Parlament, ka bërë të mundur zgjedhjen e njërit prej këtyre sistemeve zgjedhore, të cilën mendon se është sistemi më i duhur për t'u praktikuar në Shqipëri. Ne kemi mbështetur krijimin e një regjistri të ri nëpërmjet një projekti kompleks dhe do të bëjmë të pamundurën që ai të përfundojë në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve të 2009-s”, - tha Lohan. Ambasadori Helmut Lohan foli edhe në lidhje me konsensusin që partitë e mëdha kanë arritur mes tyre. Ai u shpreh se në kushtet e Shqipërisë, kur vendi është afër kandidaturës për të hyrë në BE-së, ky konsensus është i mirëpritur. “Nga përvoja e vendeve të tjera kandidate apo e atyre që kanë qenë më parë vende kandidate për në BE, ajo që kemi parë është në fakt që qeveria dhe opozita kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për çështje të Bashkimit Europian”, - tha Lohan. Deklaratën për mediat ambasadori Lohan e dha në konferencën për shtyp mbajtur në kuadër të çeljes së Javës Europiane në Shqipëri. Gjatë këtij takimi, Lohan dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ndanë mendimet në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërinë në familjen europiane. Ministrja Bregu tha se një pjesë e reformave të rëndësishme janë ndërmarrë, por që tashmë duhet të nisë një bashkëbisedim me qytetarët shqiptarë për rëndësinë e anëtarësimit të BE.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›