E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Kushtetuta debati për paketën e PD

 

Deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj shpjegon pabesinë e PD-së për paketën kushtetuese, por edhe debatin që u bë për to

Deputeti socialist shpjegon prapaskenat që sollën amendimet kushtetuese. Pabesia e PD-së dhe sherri me LSI-në, çfarë sjellin në politikën shqiptare nenet, lidhur me funksionin e presidentit Topi e kryeministrit Berisha. Fatmir Xhafaj shpjegon çfarë mund të kishte ndodhur ndryshe...

Tashmë, ndryshimet kushtetuese janë një realitet. Ato u votuan nga një shumicë dërrmuese e anëtarëve të Kuvendit, më tepër dhe se kufiri i kërkuar për ndryshimin e saj prej 94 votash. E mendonit një maxhorancë të tillë?

Para së gjithash më duhet të saktësoj se janë vetëm 10 amendamente, ndërkohë që Kushtetuta ka 183 nene. Është e vërtetë që gjysma e tyre janë amendamente që prekin aspekte të rëndësishme të sistemit politik e qeverisës, siç është sistemi zgjedhor, por që gjithsesi nuk mund të flitet për ndryshim kushtetute e për më tepër për kushtetutë të re, siç është përdorur nga disa politikanë, kundërshtarë të këtij procesi, në funksion të qëllimit politik të synuar. Sigurisht, do të votoheshin nga një shumicë dërrmuese e anëtarëve të Kuvendit, sepse vetë Kushtetuta e kërkon një gjë të tillë. Votimi i amendamenteve kushtetuese, sipas nenit 177 të saj kërkon minimalisht votat e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit, pra jo më pak se 94 vota. Në fakt, në parim e në tërësi votuan PRO rreth 118 deputetë. Nuk e mendoja një maxhorancë të tillë, veçanërisht kur bëhej fjalë për ndryshimin e sistemit zgjedhor për shkak të interesit dhe kundërshtimit publik të shprehur nga partitë e vogla. Kjo edhe për faktin se gjithë debati, për muaj të tërë, ishte zhvilluar rreth kësaj teme dhe kundërshtimet e tyre kishin qenë realisht të ashpra, shpeshherë edhe jashtë çdo lloj etike dhe me emocione të pakontrolluara. Votimi edhe i një pjese prej tyre i amendamenteve që lidheshin me sistemin zgjedhor, padyshim që më befasoi, çka edhe më bindi se amendamentet e tjera do të kaloheshin normalisht.

Megjithatë kjo është një maxhorancë që bashkoi votat e "armiqve" politikë, a nuk shihni një kontradiktë në këtë gjë?

Termi "armik" duket qesharak dhe i përket një kohe tjetër dhe një politike të vjetër. Sa më shpejt ta heqim nga fjalori, aq më mirë është për ne të gjithë e për vetë demokracinë. Gjuha e armiqve dhe thikave sot në politikë është paksa qesharake e deri diku donkishoteske. Ka ardhur mesa duket koha që regjisori ynë i mirënjohur Xhuvani të prodhojë serinë e dytë të filmit "I dashur armik", por tashmë në zhanrin e komedisë politike për ata që kërkojnë ende armiq. Unë nuk shoh asnjë lloj kontradikte në këtë lloj votimi. Përkundrazi. Në çdo rast, nuk mund të bëhet fjalë për një maxhorancë në aspektin politik e parlamentar të këtij termi, por për një konsensus të gjerë votimi, i diktuar nga vetë procedura kushtetuese dhe nga ana tjetër kishte kohë që kërkohej kryesisht ndërmjet dy partive kryesore në funksion të qëllimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Ky është këndvështrimi politik e procedural i këtij votimi. Të tjerat, në vlerësimin tim, janë spekulime politike në funksion të interesave e llogarive partiake e individuale. Nuk di se si mund të ketë votime kushtetuese me 2/3-at pa konsensuse që prodhojnë votime numerike të kërkuara nga procedurat kushtetuese. Ne kishim muaj që debatonim për një çështje të tillë, kishim muaj që kishim dhënë ofertën tonë publike për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i kërkuar kundërshtarëve tanë politikë konsensusin politik që do të prodhonte konsensusin parlamentar. E tëra kjo, në një proces publik e tërësisht transparent. Pse u dashka që kjo të quhet bashkim votash me "armiqtë", vetëm e vetëm sepse nuk i shkon interesave e llogarive elektorale të disa partive dhe individëve? Në këtë këndvështrim, si do të duhet të konsiderohet nëse përdornim të njëjtin standard për faktin që aleatët tanë votuan që në fillim të legjislaturës në një votim të përbashkët me maxhorancën parlamentare aktuale ndryshimet në ligjin për KLD (projekt që u konsiderua antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese), që ndokush madje miratoi edhe programin e përbërjen e qeverisë së kësaj maxhorance me z.Berisha kryeministër (e pa precedentë në demokracitë normale), që disa prej tyre u takuan me z.Berisha dhe i kërkuan bashkëpunim për reformën zgjedhore e shumë të tilla, për të cilat në asnjë rast ne nuk kemi reaguar me këtë gjuhë fyese e kërcënuese. Ne kemi qenë të bindur në kërkesën tonë dhe kemi votuar me koshiencë të plotë politike e parlamentare për amendamentet kushtetuese që lidhen me sistemin zgjedhor. Këtë e kemi ndërtuar si një proces tërësisht transparent. Shumëkush mund të ketë vlerësimet e konsideratat e tij të ndryshme nga tonat dhe kjo është tërësisht normale. Po askush nuk ka të drejtë të na gjykojë me një standard të ndryshëm nga ai që ka përdorur vetë dhe për më tepër, vendimmarrjen tonë të përpiqet ta përbaltë, ta deformojë e shantazhojë. Kjo nuk është as morale dhe as demokratike.

Partia Socialiste kishte ndërmarrë prej kohësh iniciativën për ndryshimin e sistemit kushtetues dhe papritur, në "një mënyrë të pabesë", siç jeni shprehur ju vetë, PD sjell dhe një paketë tjetër me propozime për ndryshime kushtetuese. Ishte kjo pjesë e lojës së maxhorancës për të vrarë dy zogj me një gur?

Jua thashë edhe në pyetjen e mësipërme, që ne kishim debatuar gjerësisht, për afro një vit, në tavolina parlamentare e publike, me përbërje parlamentarësh dhe ekspertë vendas e të huaj lidhur me nevojën e ndryshimit të sistemi zgjedhor, duke debatuar edhe rreth alternativave konkrete për implementim. Në vlerësim përfundimtar të këtij procesi publik, profesional e tërësisht transparent dhe në përputhje me standardet e rekomandimet ndërkombëtare në këtë fushë, PS nëpërmjet grupit të saj parlamentar, inicioi e formalizoi një nismë ligjvënëse për amendim kushtetues, e cila prekte tërësisht nenin 64 dhe pjesërisht nenin 65 të saj. Kjo ishte iniciativë e shprehur dhe e kërkuar nga PS, për të cilën ne kemi zhvilluar edhe një proces të brendshëm vendimmarrjeje politike tërësisht transparente në Asamble Kombëtare, Kryesi dhe Grup Parlamentar. Këtij projekti, PD nëpërmjet lidershipit të saj politik e parlamentar i dha mbështetje publike lidhur me thelbin e tij. Natyrisht ishte normale që rreth tij, siç ndodh normalisht me çdo iniciativë ligjvënëse, pala tjetër t'i bënte vërejtjet përkatëse dhe t'i bashkëngjiste propozimet e veta. Kjo gjë ndodhi kështu dhe ne i mirëkuptuam, debatuam rreth tyre, bëmë prapësimet përkatëse dhe në fund u ra në një konsensus të përbashkët, gjë që u shpreh në qëndrimet e dy relatorëve në Komisionin kuvendor të Ligjeve. Në këtë mbledhje, PD shkoi përtej këtij projekti që lidhej me sistemin zgjedhor dhe bëri propozime për disa amendamente të tjera që preknin nenet 87, 93, 104, 105 e 149 të Kushtetutës. Kjo ishte e papritur për ne si dhe opinionin publik, përsa i përket propozimeve konkrete. Për të qenë të saktë, lidershipi i PD-së ishte shprehur kohë më parë për nevojën e amendamenteve të tjera, pa i specifikuar në asnjë rast ato. Kishte pasur një debat publik politik lidhur me nenin 87 (procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës) dhe nenin 149 (mandati i Prokurorit të Përgjithshëm). Unë i qëndroj asaj çfarë kam thënë qysh në mbledhjen e komisionit ku u prezantuan ndryshimet e tjera kushtetuese dhe të nesërmen, se mënyra si u veprua me këto propozime nuk ishte korrekte nga ana e disa përfaqësuesve politikë të PD-së. Sot më duhet të them se, në takimin para mbledhjes së komisionit, na është thënë se thjesht do t´i hidhnin në komision për debat publik, por për to do të kishte një proces tjetër debati e miratimi. Në fakt, nuk ndodhi kështu. U insistua nga ana jonë në formalizimin procedural të iniciativës konform Kushtetutës dhe u riparaqit projekti me nënshkrimet e deputetëve të maxhorancës. Kjo na vuri ne para një fakti të kryer. Kemi zhvilluar një debat konkret në Kryesinë e PSSH, mbi bazën edhe të një materiali të përgatitur nga Sekretariati i Çështjeve Ligjore në PS, si dhe një diskutim të gjerë në grupin parlamentar për të konsideruar angazhimin tonë në këtë proces, si dhe qëndrimin tonë politik e ligjor përballë projektit të paraqitur. Kemi marrë konsensusin përkatës për qëndrimin tonë në Komisionin kuvendor të Ligjeve, të cilin e kemi konsultuar edhe me konstitucionalistë e juristë të njohur të kësaj fushe. Mbi këtë bazë kemi paraqitur edhe vërejtjet tona për procesin në tërësi dhe nene të veçanta të projektit, një pjesë e të cilave janë pranuar nga autorët e projektit pa shumë kundërshtime (nenet 88, 93 e 149), ndërsa për të tjerat kemi bërë debate për të gjetur konsensusin përkatës. Gjithsesi unë i qëndroj vlerësimit të bërë publik, se metodologjia e këtij procesi lidhur me projektin shtesë të PD lë për të dëshiruar dhe ka vend për reflektime serioze. Nuk ndaj të njëjtin qëndrim përsa i përket disa vlerësimeve rreth përmbajtjes së amendamenteve të miratuara.

A ju është vënë si kusht votimi i paketës së maxhorancës, për të votuar propozimin tuaj për sistemin zgjedhor? A kishit mundësi ju që të paktën ta shtynit në kohë një gjë të tillë?

Kjo pyetje më është bërë disa herë. E vërteta është se ato u trajtuan nga lidershipi i PD si dy projekte që kondiciononin njeri-tjetrin, çka do të thoshte që miratimi i njërit (iniciativa e PS për sistemin) lidhej me miratimin e tjetrit (projektit të bërë publik nga përfaqësuesit e PD në komision). Ne kërkuam që, për shumë arsye të njohura tashmë, këto dy iniciativa të mos kushtëzoheshin, gjë që nuk u konsiderua e pranueshme. Shtyrja në kohë ishte një alternativë që u kërkua nga ana jonë. Kjo do t'i bënte shumë mirë procesit, para së gjithash në metodologjinë e tij, në sensin e mundësisë për një debat më efektiv parlamentar e sidomos thithjes së ekspertizës së kërkuar në këtë fushë. Kjo do të ishte shumë pozitive qoftë edhe për të evituar ngarkesat e tepërta që mori, dhe jo pa të drejtë, në këtë aspekt. U argumentua se, për një pjesë të këtyre propozimeve (procedura për zgjedhjen e Presidentit dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm) kishte një debat të zhvilluar dhe se nuk mund të ishte pozitive votimi në dy kohë i amendamenteve kushtetuese.

Ndryshime ka pasur dhe në janarin e vitit të kaluar, besoni se me ndryshimet e këtij muaji mbyllet kapitulli i ndërhyrjes në Kushtetutë dhe sa mund të zgjasë kjo? Mendoni se, të paktën moralisht, tashmë Kushtetuta është e cenuar dhe ajo ka humbur seriozitet?

Keni shumë të drejtë. Ka pasur një amendim kushtetues lidhur me nenin 154 të Kushtetutës, produkt i një marrëveshjeje politike PD-PS. Nga 7 anëtarë, KQZ u bë me 9 anëtarë!!! Po për çudi, "mbrojtësit e zjarrtë" të sotëm të kushtetutshmërisë jo vetëm nuk thanë asnjë fjalë, por përkundrazi e mirëpritën sepse përfituan prej saj përfaqësimin në KQZ-së. Pavarësisht nga kjo, askush nga ata që bërtasin sot nuk e etiketoi "një marrëveshje tradhtarësh", "puç konstitucional", "natë thikash" etj., epitete që sot po i dëgjojmë të thuhen rëndom lidhur me amendamentet e realizuara. Gjithashtu, kemi dëgjuar vlerësime se amendimet e kryera kanë dëmtuar seriozitetin e Kushtetutës. Respekti ndaj Kushtetutës shprehet jo vetëm në procesin e hartimit të saj, por para së gjithash në bindjen dhe nënshtrimin ndaj normave të saj. Morali i Kushtetutës nuk qëndron te mangësitë procedurale të një procesi të realizuar, por në thelbin e saj, në frymën e saj. Kjo frymë jo vetëm nuk është cenuar por përkundrazi, sipas meje, në disa aspekte është forcuar. Ne sot kemi jo një republikë të re, por Republikën Parlamentare që sanksionoi Kushtetuta e vitit 1998, thelbi dhe fryma e së cilës është e njëjtë. Natyrisht, amendamentet e reja kanë sjellë ndryshimet përkatëse. Tashmë kemi një sistem të ri zgjedhor që shpresojmë të sjellë jo vetëm një mënyrë të re përfaqësimi, por mbi të gjitha një cilësi të re në nivelin e përfaqësimit në legjislativ, pushtetin më të rëndësishëm në vend. Tashmë nuk do të kemi më Dushk e dushqe elektorale dhe kryesorja në përfaqësimin parlamentar, siç do kemi edhe më pak ose aspak parti me kryetarë që e ndërtojnë përfaqësimin e tyre mbi votën e blerë apo të këmbyer, si në tregun e gjësë së gjallë. Zgjedhësit nuk votojnë një herë në 4 vjet për të parë një parlament ku blihen e shiten deputetë si në tregun e zi, ku mandati i tyre përdoret për presione në këmbim të favoreve personale, ku qeveritë e mazhorancat bëhen e zhbëhen nga aleanca fluide parlamentare të ndërtuara mbi trafikun e votës. Eliminimi i dukurive të tilla duhet konsideruar realisht, kontribut në funksion të forcimit të moralit e seriozitetit të një Kushtetute.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›