E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inauguron 7.5 km rrugë në komunat e Beratit



Kryeministri Sali Berisha ka vijuar turin e inaugurimeve të veprave publike në Qarkun e Beratit, ku kësaj here ai ka inaugurua një rrugë prej 7.5 kilometrash, që lidh Otllakun me Lumasin. Kreu i maxhorancës ka premtuar para qytetarëve të Beratit se brenda këtij mandati do të përfundojë Boshti i Jugut, ndërsa ka shtuar se në vjeshtë do të nisë udhëtimi pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Berisha nuk ka pranuar të flasë për situatën aktuale politike. “Inauguruam këtë rrugë, por po sot inaugurojmë edhe fillimin e punimeve deri në Sinjë. Qeveria do të ndërtojë tërë unazën e Shpiragut. Të gjitha fshatrat, kudo që ndodhen do të lidhen me rrugë moderne automobilistike. Sikundër Boshti i Jugut do të jetë projekti më i madh infrastrukturor i këtyre 4 viteve”, tha Berisha. Investimi i inauguruar është në rrugën Ura e Goricës-Mbreshtan, me gjatësi 7.5 kilometra, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 2.5 milionë dollarë. Kreu i Qeverisë inauguroi edhe fillimin punimeve për rrugën Mbreshtan-Sinjë. Berisha tha para banorëve të këtyre komunave se Qeveria do të mbajë çdo premtim që ka dhënë. “Komisioni Europian vendosi të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë, pra, mori vendimin e tij. Ky vendim është rezultat i një ndryshimi shumë të madh të qëndrimit ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ky vendim është dëshmi e një vlerësimi të ndershëm, të drejtë dhe objektiv të rezultateve të të gjitha reformave tona”, tha Berisha gjatë inaugurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›