E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me duar në xhepa

Luçiano Boçi

Ajo që ra më pak në sy në atë pjesë të shkurtër filmime, që u transmetua nga të gjitha kanalet Tv, në garën e tyre të vazhdueshme për dominimin e informacionit, ishin pamjet e delegacioneve përkatëse që i drejtoheshin Krokodilit. Shqiptarët ndoshta të kapur nga emocioni dëshiror dhe jodëshiror për të asistuar një pajtim të detyruar për palët, nuk vunë re preludin e këtij takimi. Ky prelud na ofroi ato pamje që jo thjesht kanë, transmetojnë e shpërndajnë kuptime simbolike, por ai na zbardhi edhe llojin e këmbës (ters ose me fat), me të cilën hynë palët në bisedime. Si gjithmonë, u pa një Berishë me hap të sigurt, entuziast dhe protokollar dhe në anën tjetër, një delegacion i majtë, i cili ecte mendueshëm dhe pothuajse i tërë me duar thellë në xhepa.
Ajo që përvijohej qartë mes tyre ishte një lloj hezitimi për të hyrë, a thua nga frika për emrin paksa jo shumë politik dhe komfort që i ofronte lokali (sikur të ishte ai i Fidelit, muzika do ishte ndryshe), ose ngaqë kjo ardhje prej nxënësish të këqij nuk përputhej me atë entuziazëm rokokoko që kishin thurur prej 19 ditësh, dhe të cilin e kishin braktisur me një telefonatë që arriti të shpëtojë nderin e humbur të kryetarit të tyre.
Pamja e ofruar nuk ishte rastësore. Në një perceptim kohor të gjatë dhe në një analizë të shkurtër, Rama mbetet “politikani i duarve në xhepa” (përkundrejt politikës së duarve të pastra), gjest ky që shpreh pak a shumë të gjithë fizionominë politike të cilën ai na e ka ofruar dhe modelin që ai ka arritur të instalojë brenda politikës shqiptare në përgjithësi dhe asaj të majtë në veçanti.
Historia e ardhjes së tij në fronin e së majtës është një ardhje tipike “me duar në xhepa”, pa kurrfarë kontributi politik, përpos atij origjinar. I katapultuar si Ministër Kulture dhe më pas si kandidat për bashkinë më të madhe të vendit, Rama habiti jo vetëm të djathtët, për lehtësinë me të cilin kaloi ylberin (në publik ishte shfaqur deri në ato momente si i djathtë), por dhe të majtët për faktin që arriti të fitojë në mënyrë aspak transparente e aspak dinjitoze, gjë që e shfaqi totalisht dhe me mënyrën se si u impostua publikisht, për të deklamuar arritjen e kësaj “fitoreje”. Askush nuk mund t’i harrojë çjerrjet histerike të tij në ato momente, sikur thua të kish zbuluar kuptimin e vetë jetës dhe të kish prekur qiellin me dorë.
Siç duket, pikërisht diferenca e kalimit nga qëndrimi kundrues “me duar ne xhepa” në atë vend të cilin, siç dhe e tregoi, e kish konceptuar si mundësi “për të mbushur xhepat”, i krijoi atij atë diferencë psikologjike dhe atë dëshirë arriviste, të cilën ai vazhdon ta shfaqë dhe sot. Kjo diferencë dhe kjo dëshirë e tij janë pak a shumë dhe baza nga ku ai justifikon të gjitha mjetet e përdorura, pasi brenda çiftit qëllim dhe mjet ai ka shumë të qartë qëllimin e xhepave, ndërsa mjetet pak i interesojnë.
Pasi konsolidoi pozitat e tij politiko-financiare me 1000 lloj akrobacirash, ky politikan i ngjyrosur si i së ardhmes, përsëri me duar në xhepa, por kësaj radhe me xhepat plot, synoi dhe arriti, dhe një herë tjetër nga një fuqi shtytëse dhe aspak për meritat e tij personale, të rrëmbejë kreun e së majtës. Brenda një kohe të shkurtër dhe me mbështetjen në fillim të një pjese të mirë të vetë saj, Rama arriti të instalojë brenda partisë diktaturën e politikanëve me xhepa të mbushura, që kishin ardhur në politikë me mënyrën se si erdhi vetë Rama, pra me duar në xhepa dhe kontributi i të cilëve brenda historisë pluraliste të kësaj force politike ishte pothuajse i barabartë me zero, duke shmangur në këtë mënyrë ato njerëz të cilët kishin një jetë të tërë që i jepnin jetë kësaj partie.
Pas kësaj arritje, Rama, i gjendur në opozitë me tradicionalistët e partisë së tij dhe në opozitë politike qeverisëse, i futi një xhiro me duar në xhepa përreth Shqipërisë, për të promovuar politikën e tij “të re” të duarve në xhepa, politikën e papërgjegjshmërisë politike, politikën e interesave personale e klanore, politikën e kotësisë së ideve dhe shkatërrimit të vlerave. Dhe e gjitha kjo përkthehej për të vetëm në një qëllim, në atë të forcimit të pozitave të kastës politike financiare që ai kishte filluar të përfaqësonte.
Kjo mënyrë e të vepruari dhe të menduari u bë dhe moda e fushatës politike që erdhi më pas dhe brenda të cilës ai pretendoi të arrinte të rrëmbente atë pushtet politik, që i duhej për të mbrojtur pikërisht xhepat e mbushura dhe aspak për të promovuar vlerat e perspektivës ekonomike e politike që ofronte para shqiptarëve e majta.
Sjellja dhe kësaj radhe brenda staturës që ai vazhdimisht kishte shfaqur si politikan me duar në xhepa, pra moskokëçarës dhe mospërfillës për problemet që parashtroheshin dhe sfidave që priteshin për të përmbushur angazhimet euroatlantike, bëri, as më shumë e as më pak, që ky lider të dilte në një fushatë elektorale pa një program të qartë, pa synime e zgjidhje publike dhe ajo që ishte më e çuditshmja, pa emrin e vet në listën e gjatë të deputetëve. Vepra më e madhe ideore e kësaj radhe nuk ishte ndryshimi i pamjes së fasadës së PS, por ishte ministria e re e fshatit, të cilën me siguri e ka pasur frymëzim euroaziatik.
Rezultati të cilin të gjithë e përjetuam, ishte i tillë që e la Ramën dhe të tijtë të habitur me duar në xhepa, pasi nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pavarësisht se xhepat e mbushur u vunë në lëvizje për të arritur synimin e dëshiruar.
Humbja tronditëse jo vetëm që nuk e kthjelloi Ramën, por përkundrazi i shtoi dozën e mënyrës së të vepruarit me duar në xhepa, me një lloj papërgjegjshmërie ekstreme dhe dëshire për të shkatërruar gjithçka të mirë të arritur. Pa pasur në konsideratë as realitetin elektoral e as efektet me pasoja kohëndalje për ëndrrat e shqiptarëve dhe nën kompleksin e humbësit spektakolar, Rama ngriti në kult politikën e duarve në xhepa me veprime antikushtetuese e antiligjore, me greva e protesta anarkiste dhe kjo vetëm e vetëm që kundërshtarët e tij politikë por dhe të tjerët, të shijonin hidhësinë e humbjes së tij të pakthim. I zhytur në këtë atmosferë të zymtë, i bërë faktor ose më saktë pengesë pothuaj, duke qarë e duke bërtitur, papritur u gjend i thirrur në një tavolinë e cila i rrinte shumë ngushtë aksionit të tij politik shkatërrimtar. Mëdyshjen që ai dhe të tjerët që e shoqëronin e shfaqën vizualisht me ato pak pamje të transmetuara e përforcuan më pas deklaratat e tij të cilat, po e përsërisim për të disatën herë, ishin të një personaliteti që fatet e këtij kombi i sheh dhe i percepton vetëm me duar në xhepa.
Duke harruar që greva u ndërpre në mënyrën më të paimagjinuar për fantazistët revolucionarë, ai dhe të tjerët pas tij u munduan që takimin ta interpretonin si fitoren e ëndërruar, kur brenda tij shumë qartë Rama kishte zbuluar se arrivizmit të tij të pakufi i ishte vënë një perde ligjore, të cilën ai kishte kohë që bënte sikur nuk e shihte.
Krokodili jo vetëm tronditi Ramën, por njëkohësisht i kujtoi atij dhe të tjerëve që e ndiqnin që për një moment duhej t’i hiqnin duar nga xhepat dhe të ecnin normalisht, bashkë me ne të tjerët, me të gjithë shqiptarët, drejt asaj rruge që kontribuesit e politikës shqiptare kanë kohë që e dëshirojnë dhe e kanë ndërtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›