Xhafaj: Kriza, Presidenti Topi më zhgënjeu përsëri
Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj shpreh rezervat e tij në lidhje me rolin e Presidentit të Republikës për zgjidhjen e krizës politike në vend. Xhafaj shprehet i zhgënjyer sërish nga kreu i shtetit, i cili sipas tij nuk arriti të dalë mbi palët. Duke shprehur opinionin e tij personal për rolin e Presidentit, Xhafaj thotë se “Presidenti arriti të zhgënjejë shumëkënd dhe jo vetëm mua që më ka zhgënjyer dy herë edhe si ish-koleg”. “Ky simbol i unitetit në vend, siç thotë Kushtetuta, por peng i të shkuarës së tij tek Sali Berisha, nuk arriti të afrojë as edhe mbështetje humane. Më shumë folën ndërkombëtarët nga Brukseli sesa Presidenti nga Tirana që madje, siç na thanë, la dhe Tiranën për një vizitë pune në Stamboll. Më kujtohet një shprehje e vjetër popullore, por hë për hë, nuk është vendi për ta thënë. Edhe kur foli, Presidenti mërmëriti një frazë që nuk e kuptoi as vetë”, shprehet Xhafaj. Duke sjellë në vëmendje veprimet e kreut të shtetit ditët e grevës së urisë të 203 deputetëve dhe mbështetësve të PS, Xhafaj shprehet se “shpesh, edhe në çadra, si në publik, deri dhe ai publik i paangazhuar, ndjeu revoltë dhe protestë, kur Presidenti Bamir, shkoi në stadiumin Kombëtar, bëri 100 metra rrugë për futbollin dhe jo 200 deri te çadra e urisë. Apo “sakrifikoi” të bëjë 40 kilometra deri në Kavajë, në vend të së njëjtës distancë”. “Nuk mund të kërkosh diçka aty ku nuk mund të gjesh. Personalisht nuk kam besuar se Presidenti mund të ishte në gjendje të luante ndonjë rol aktiv në zgjidhjen e krizës. Dhe kjo për shumë arsye, që, në respekt të funksionit që mban, nuk po i listoj. Mund të them se për shkak të pozicionit të tij të dyzuar, ai nuk pati shans të krijojë autoritetin e nevojshëm për një pozicion mbi palët dhe për më keq akoma, mbetet tërësisht i kompleksuar nga shumica që e ka prodhuar në epruvetën e tre vjetëve më parë”, shprehet Xhafaj. Por sekretari për çështjet ligjore në PS shpreh zhgënjim dhe për dekretet që kreu i shtetit çoi në Kuvend gjatë kohës që opozita ishte në grevë urie. “Më shumë se kaq, kam mbetur i zhgënjyer nga paraqitja e dekreteve të tij për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që opozita ishte në grevë dhe grevistët e kishin paraqitur këtë çështje si pjesë të kërkesave të tyre publike. Në dijeninë time, ky veprim i tij ka pasur edhe habinë e ndërkombëtarëve. Njëlloj siç e pati edhe votimi i këtyre dekreteve nga ana e znj.Topalli, në të njëjtën ditë që kishte filluar dialogu në tryezën e Strasburgut!! Veprim cinik, është pak ta thuash”, shprehet Xhafaj.
Negociatat
Për sekretarin socialist, tryeza e Strasburgut mes Ramës dhe Berishës i ka hapur rrugë zgjidhjes së krizës. “Me siguri dhe garanci të plotë mund të them se Tryeza ishte një hap i madh drejt garantimit të transparencës së plotë të 28 qershorit. Tryeza nuk është mbyllur. Zgjidhja është shumë afër. Europa ka folur për herë të parë përmes dy grupeve kryesore të Parlamentit Europian, ka folur me gjuhën e forcës së arsyes: ose merruni vesh, ose s’ka opinion për statusin e vendit kandidat e ndoshta edhe më shumë se kaq. Në një ambient ku gjuha diplomatike është elementi kyç në komunikimin institucional, ky përbën një precedent unik”, shprehet Xhafaj. Duke shprehur qëndrimin e PS në këto negociata, Xhafaj tha se “jemi të gatshëm t´i negociojmë kërkesat tona, si pjesë të një marrëveshje të përbashkët, por nuk jemi aspak të gatshëm të bëjmë pazare në kurriz të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”. “Në të kundërt ne gjithashtu e kemi bërë shumë të qartë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbeten opsioni i vetëm e konkret, jo thjesht e vetëm si qëllimi i çdo opozite, por përherë e më i prekshëm edhe për shkak të mënyrës se si vendi po qeveriset, se si po e ushtron pushtetin kjo maxhorancë e delegjitimuar politikisht dhe moralisht, por edhe të mënyrës tërësisht jo demokratike se si po e trajton marrëdhënien me opozitën dhe rolin e funksionin e saj në demokraci”, shprehet Xhafaj. Sipas tij, kriza në Shqipëri është shumëplanëshe dhe e ka zanafillën e saj te deformimi i votës së 28 qershorit. “Ne mbetemi të shqetësuar për krizën e thellë politike dhe institucionale që po kalon Shqipëria, pasojë e drejtpërdrejtë e shprehjes së deformuar të vullnetit të zgjedhësve në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, krizë e cila reflektohet në degradimin e pushtetit legjislativ, në arbitraritetin e Pushtetit Ekzekutiv, por jo më pak edhe në dobësimin e sistemit të drejtësisë, sistem i cili është sot në ditët e tij më të këqija, për shkak të mungesës së hapur të transparencës, përpjekjeve të ethshme për kontroll nga segmente të lidershipit politik të maxhorancës, për nënshtrim nga njerëz me fuqi ekonomike, por jo më pak edhe nga vetë përpjekja për kontroll nga individë të veshur me pushtet administrativ brenda vet sistemit” shprehet Xhafaj.
Aldo Bumçi: Ndërkombëtarët s’kanë dhënë ultimatum
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi deklaroi dje se ndërkombëtarët nuk kanë dhënë ultimatum në darkën e Strasburgut. Sipas tij, afati 2 javor është keqpërdorur nga lideri i opozitës Rama, duke e paraqitur si ultimativ. “Unë jam sot këtu për të denoncuar këtë mashtrim të paskrupullt të zotit Rama, gënjeshtër që ka në themel botëkuptimin e bllokmenëve të rinj. Dua t’i rikujtoj zotit Rama se institucionet demokratike nuk japin kurrë ultimatume ndaj maxhorancave demokratike të një vendi të lirë. Ultimatume japin njerëz si Bin Ladeni, apo politikanë me mentalitete totalitare”, tha Aldo Bumçi.
Eduard Shalsi: Afati 2 javor është ultimativ
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi i është përgjigjur akuzave të ardhura nga deputeti i PD-së Bumçi, duke thënë se afati 2 javor i dhënë nga ndërkombëtarët është ultimativ. “Djemtë dhe vajzat që recitojnë ato çfarë ju shkruan Sali Berisha, nuk e fshehin dot se, përgjegjësia për mospranimin e kompromisit do t’i takojë vetëm Sali Berishës. Nuk e fshehin dot as se afati 2 javor është ultimativ, sepse parashtron pasojat që do të vuajmë. Nuk e fsheh dot as se neni i famshëm 178 i Kodit Elektoral nuk është mbi Kushtetutën, që ne na jep të drejtën të hetojmë pa kushte”, tha Shalsi.