Meta: Mungesë maturie politike nga Rama
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Jashtëm, Ilir Meta e ka cilësuar situatën aktuale politike si një mungesë papjekurie politike nga ana e kreut të opozitës Edi Rama. Komentet e Metës u bënë nga Danimarka, ku ai ndodhet për një vizitë zyrtare. “Shqipëria ka një problem politik që nuk mund të anashkalohet, që është pikërisht mungesa e maturisë politike nga ana e lidershipit të opozitës, për t’u sjellë në mënyrë demokratike. Ne kemi qenë të hapur për t’i siguruar të gjitha hapësirat opozitës, pa cënuar Kushtetutën dhe pavarësitë e gjykatave. Shpresoj që në javët e ardhshme të arrihet një marrëveshje që t’i shërbejë kapërcimit të kësaj situate, që unë do ta quaja, moment papjekurie politike”, deklaroi Meta. Numri dy i Qeverisë u takua me homologen daneze Lene Espersen. Meta e informoi homologen mbi masat dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas njoftimit zyrtar, “në lidhje me situatën politike në Shqipëri, z. Meta shprehu vullnetin e plotë të Qeverisë për të akomoduar kërkesat e ligjshme të Opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qëndrueshme, brenda kornizës kushtetuese dhe duke respektuar parimin e transparencës”.