Kasat fiskale, gabimi në formatim ndërpret shitjen
nertila maho
Një gabim në formatim ka ndërprerë shitjen e kasave fiskale, pasi renditja e taksapaguesit ndryshohej automatikisht nga të dhënat e transmetuara, që ishin të ndryshme nga ato që përmban libri i shitjeve dhe blerjeve. Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Besnik Nuredini, tha për gazetën se të dhënat e kasës modifikoheshin nga një “pikë” apo “presje” që shfaqej automatikisht, çka ndryshonte edhe vlerën reale. “Pra marrim një shembull për dy raportimet. Njëri që vjen nëpërmjet kasës dhe tregon vlerën 1 mijë lekë, e modifikuar për shkak të kësaj presje. Ndërsa raportimi tjetër nga libri i shitjeve dhe blerjeve vjen 10 mijë lekë. Në këto kushte duhet bërë rishikimi i gjithë raportimeve që ndryshojnë pozicionin e taksapaguesve, një problem i cili nuk merr zgjidhje kollaj nesër”, shprehet Nuredini. Nga ana tjetër, ai shprehet se kompanitë e kasave e kanë pranuar këtë gabim dhe kanë marrë përsipër formatimin nga e para të kasave, në mënyrë që të evitohet ky problem. Për këtë, taksapaguesit nuk do të paguajnë asgjë shtesë. “Vendimi i parë i Këshillit të Ministrave nuk ka gjetur zbatim pikë më pikë nga kompanitë e kasave dhe këto të fundit kanë pranuar gabimin e tyre, pasi kanë vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë. Në këto kushte u bë dhe një ndryshim tjetër sëbashku me një Udhëzim të Ministrit të Financave, ku përcaktohen modalitetet ekzakte që duhet të përmbajë një kasë fiskale”, shprehet Nuredini. Ndërkohë që pretendimit të kompanive të kasave fiskale se u është ndaluar shitja prej javësh, zëvendësdrejtori i përgjigjet me faktin që vetë kompanitë deri në rregullimin e problemit të formatimit nuk kanë dashur të shesin kasa sepse preferojnë të bëjnë riparimin e tyre në moment dhe jo të shkojnë te tatimpaguesi. Afati kohor i zgjidhjes së këtij problemi, sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, mendohet të jetë rreth një javë sipas planifikimit dhe marrjes së detyrës që kanë bërë vetë kompanitë, që kanë marrë me koncesion pajisjen me kasa fiskale. Janë plot pesë kompani që veprojnë në vend, të cilat kanë fituar të drejtën e shitjes së kasave. Pajisja me këto të fundit, lindi si detyrim i biznesit të madh që bën transaksione në “cash” dhe me xhiro vjetore, sipas kufijve të përcaktuar në ligj.
Pretendimi i kompanive
Ndryshe është pretendimi i Drejtorisë së Tatimeve dhe ndryshe ai i kompanive, që kanë të drejtën e shitjes së pajisjeve fiskale. Këto të fundit pretendojnë se prej gati rreth dy javësh nuk ju lejohet të vijojnë me shitjet dhe kjo ka ardhur si rezultat i një Udhëzimi të Ministrisë së Financave. Shitja është ndaluar me justifikimin se do të bëhet një rishikim dhe ricertifikim i tyre, për të parë plotësimin e kritereve nga secila prej kompanive. Por ato konfirmojnë se bashkë me kasën nuk shitet asnjë pajisje tjetër veç “modemit” dhe kartës sim. Aktualisht në vend veprojnë pesë kompani të shitjes së pajisjeve fiskale, e drejtë që është fituar duke ju nënshtruar procedurave përkatëse të përcaktuara në ligj.
Udhëzimi i Ministrisë me modalitetet
Moszbatimi me përpikëri i vendimit të Qeverisë ana e kompanive bëri që të dalë një Udhëzim i Ministrit të Financave, ku përcaktohen modalitetet ekzakte që duhet të përmbajë një kasë fiskale. E para është të sigurojë transmetimin e të dhënave nga taksapaguesi te Drejtoria Rajonale dhe e dyta të mos ndryshohet informacioni që përmban kasa.