Meta: Më 29 qershor nis zbatimi Planit për Veprim
LSI zhvilloi dje pasdite në sheshin kryesor të Shkodrës një miting masiv ku morën pjesë mijëra mbështetës. Kreu i LSI-së Ilir Meta, i cili shoqërohej nga kandidatët e kësaj partie në këtë qark të kryesuar nga prof.Sokol Axhemi, ish-kampioni i sportit dhe biznesmeni Sait Fishta, si dhe sociologes se njohur Nora Malaj, por dhe kandidatët e tjerë, i kërkoi votën shkodranëve për të nisur sipas tij më 29 qershor zbatimi dhe realizimi i Planit për Veprim. “Shkodra do të votojë për LSI, sepse ne kemi një projekt shumë integrues dhe bashkëpunues, kemi një projekt që krijon mundësinë që më 29 Qershor maxhoranca e re e Shqipërisë do të fillojë zbatimin e ‘Planit për veprim’”, tha Meta. LSI, tha kreu i saj, vjen me një program të qartë për punësimin për zhvillimin e bujqësisë. Me programin tonë, me planin tonë për veprim do ta gjallërojmë bujqësinë sepse 600 milionë euro importon sot Shqipëria vetëm ushqime”. Duke folur për bujqësinë, kreu i LSI-së tha se “plani ynë për veprim do ta shpëtojë bujqësinë, do të krijojë industrinë agro-përpunuese dhe vetëm përmes këtij plani ne do e shndërrojmë Shkodrën në një vend ku njerëzit jetojnë dhe punojnë të sigurt për të ardhmen dhe edukimin e fëmijëve të tyre”. “Sali Berisha premtoi 160 mijë vende pune por vetëm në dy muajt e fundit ai ka mbyllur 20 mijë vende pune. Shkodra do të votojë për LSI-në sepse Ilir Meta dhe LSI kanë një plan konkret për të zhvilluar Malësinë e Madhe, për të forcuar marrëdhëniet me Malin e Zi, ashtu sikurse kur isha Kryeministër pata marrëdhënie me Malin e Zi dhe hoqëm vizat, ashtu sikurse me vendimin e Kryeministrit Meta ndërtuam pa asnjë lekë borxh superstradën Lezhë-Shkodër, filloi rruga Velipojë-Shkodër, rruga e Muriqanit, si dhe u bë spitali i ri Shkodrës”, tha Meta. Gjithashtu Meta garantoi qytetarët e Fushë-Krujës dhe gjithë Shqipërisë për politikat sociale që do të ndjekë LSI, siç janë ulja e kostos së jetesës, dyfishimi i pensioneve brenda katër viteve, si dhe rigjallërimi i industrisë agro-përpunuese, nxjerrja e bujqësisë nga kriza dhe rritja e prodhimit vendas, që të mos ndjehet më inferior kundrejt importeve të panevojshme.