E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata amerikane, 20 milionë dollarë gjobë Shqipërisë për trenin elektrik

Beteja ligjore mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë amerikane General Electric vazhdon në gjykatat e huaja. Një gjykatë amerikane nga Uashingtoni ka konfirmuar gjobën prej 20 milionë dollarë që i është vënë qeverisë shqiptare nga gjykata e arbitrazhit duke e cilësuar atë si të drejtë. Ministria e Transporteve ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën

për ndërtimin e të ashtuquajtur treni elektrik, një projekt i firmosur nga qeveria "Nano" në vitin 2003. Beteja ligjore mes qeverisë dhe General Electrik ka nisur që nga viti 2005, kur qeveria demokratike e sapoardhur në pushtet anuloi në mënyrë të njëanshme projektin me vlerë 74 milionë euro për ndërtimin e një linje hekurudhore që do lidhte Tiranën me Kavajën. Fillimisht Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit i dha të drejtë kompanisë amerikane, duke fajësuar qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës. Për rrjedhojë gjykata dënoi qeverinë me një gjobë prej 20 milionë dollarësh si pagesë që duhet të bënte për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar kompanisë amerikane. Por qeveria nuk është pajtuar me vendimin dhe e ka çuar çështjen në apel. Ende nuk dihet se sa do të zgjasin procedurat gjyqësore të kësaj çështje, por  të paktën deri tani të gjitha vendimet e dhëna kanë qenë kundër Shqipërisë, për e cila rrezikon një gjobë jo të vogël, në një nga periudhat më të vështira të financave publike të vendit. Kompania Italo-Amerikane, General Electric, ka paditur shtetin shqiptar në Arbitrazhin për një dëm ekonomik prej 20 milionë dollarësh rreth shtatë vjet më parë  Firma paditëse pretendoi se shteti i detyrohet për shkeljen e kontratës për ndërtimin e trenit elektrik nga firma ndërtuese Italo-Amerikane me qendër në Amerikë. Çështja është mbrojtur nga Avokatura e Shtetit e cila është palë në 323 çështje, të cilat po shqyrtohen në gjykata. Çështjet kryesore në të cilat Avokatura e Shtetit është palë, janë procese ku është palë në proces Drejtoria e Doganave ose Drejtoria e Tatimeve. Avokatura e Shtetit përfaqëson drejtpërdrejtë interesat e institucioneve shtetërore në gjykata. Ndërkohë për shkak të numrit të madh të çështjeve që shqyrtohen, ka raste kur autorizohen palë për përfaqësim në procesin gjyqësor. Rastet kur interesat e shtetit përfaqësohen nga pala që është në proces nuk kanë për objekt shuma të mëdha si çështje të tilla për një person që del në pension ose vërtetimet e hipotekës, të cilat nuk janë procese gjyqësore dhe nuk i shkaktojnë dëme buxhetit të shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›