Berisha, Ramës: Falje Shkodrës për krimet kundër komunizmit
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, t’i kërkojë falje Shkodrës për krimet kundër njerëzimit, të kryera nga regjimi barbar komunist. Berisha, në krah të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ftoi Ramën të shkojë në Shkodër, për të bërë faljen publike ndaj viktimave të këtij qyteti të persekutuar nga diktatura. Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të rrugës hyrëse të qytetit të Shkodrës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120 milionë lekë, Berisha i vuri në dukje Ramës se ato krime janë shekuj dhe mijëvjeçarë jete dhe rini të këputura, ato krime janë tortura çnjerëzore të qindra e qindra qytetarëve të këtij qyteti! Berisha i pohoi Ramës se ato krime janë arrestime, internime e qindra e mijëra grave dhe fëmijëve të këtij qyteti martir. Berisha shtroi pyetjen: Si ka mundësi ti që në vitet ‘90 erdhe në këtë qytet dhe themelove partinë opozitare të KIS-it, parti e cila fund e krye si platformë kishte dënimin e sistemit komunist?. “Pra çfarë ndodhi me ty? Eja në Shkodër e kërko të falur, bashkuho me dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit. Do të dal nga gjuha zyrtare në këtë moment dhe dua të them se në rast se edhe ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë që në rini, ashtu siç po thonë dëno krimet kundër komunizmit, përndryshe do më bësh të besoj se je i tredhur në rininë tënde dhe ky s’është faji im”, - deklaroi z. Berisha. Duke shprehur bindjen se kjo është hyrja që qyteti i Shkodrës meriton, Berisha garantoi qytetarët e Shkodrës se qeveria do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje që ky qytet të ketë infrastrukturën më moderne. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se së shpejti do të nisë investimi në autostradën që lidh Shkodrën me Podgoricën, të cilën e vlerësoi si jetike për Shkodrën dhe mbarë vendin. Gjithashtu, Kryeministri informoi qytetarët e Shkodrës se Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit së shpejti do të nisë projektin për të shndërruar në një autostradë me 4 korsi rrugën Shkodër-Lezhë, duke garantuar se Shkodra dhe Vlora do të jenë dy qytetet që do të lidhen me autostrada me katër korsi me kryeqytetin. Duke iu referuar ndryshimeve të mëdha që ka bërë vendi, Kryeministri Berisha shprehu besimin për fitoren e një mandati të dytë në zgjedhjet parlamentare të qershorit. “Ne po ecim drejt mandatit të dytë, mandatit të fitores. Ne vijmë sot tek ju krenarë, sepse kemi mbajtur premtimet tona. Në këto katër vite, Shqipëria ka ndryshuar më shumë se kurrë. Në këto katër vite, Shkodra ka ndryshuar dhe ka marrë jetë të vërtetë më shumë se të gjitha vitet pas rënies së “Perdes së hekurt” deri më sot”, - theksoi Kryeministri. Duke përshëndetur përzemërsisht qytetarët e Shkodrës, Kryeministri i garantoi ata se qeveria do të zbatojë pikë për pikë programin e saj dhe në mandatin e dytë do të bëjë 10 herë më shumë se këto katër vite që lamë pas.