E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesha e papërballueshme e Kolegjit Zgjedhor!

Henri Çili 

Kolegji Zgjedhor ka marrë dje një vendim historik: ka hedhur poshtë të gjitha kërkesat për rinumërime votash ngado që ato erdhën. Ky vendim i Kolegjit Zgjedhor nuk më ka pëlqyer fare. Ose më ka pëlqyer plotësisht. Kjo nuk ka asnjë rëndësi, por me rëndësi është morali i fabulës: Kolegji nuk kishte asnjë mundësi tjetër veç këtyre të dyjave: të refuzonte çdo kërkesë për rinumërim votash, ose të pranonte çdo kërkesë për rinumërime votash, që praktikisht do të thoshte rinumërim total të gjitha kutive në të gjithë Shqipërisë.
Shkurt, gjithë presioni politik mbi problemin e zgjedhjeve të 28 qershorit, që kësaj here e ka emrin “proces i numërimit të votave”, mbërriti mbi shpinën e Kolegjit Zgjedhor duke i vënë ata para një peshe të papërballueshme. Të cilën, në fakt, ata e përballuan me një standard prej gjykate të nivelit të lartë perëndimor. Duke formuar një herë e mirë një precedent: Zgjedhjet zhvillohen në terren dhe terreni përcakton gjithçka, dhe fituesin dhe humbësin, nga kujdesi, përgjegjshmëria dhe gjithçka tjetër duhet të përcaktohen atje.
Problemi është shumë i thjeshtë. Partitë politike, në kushtet kur diferenca e votave ishte tejet e ngushtë dhe me një mandat apo dy të tillë, përcaktohej kahu u qeverisjes morën peng procesin e numërimit të votave, Partia Demokratike në disa qarqe, Partia Socialiste në disa të tjerë derisa erdhi puna tek katër qarqe, Shkodra, Fieri, Berati dhe Tirana. Gjatë numërimit të 99.99 për qind të kutive të votimit gjithçka shkoi mirë brenda një standardi normal të numërimit të votave. Kjo bëri që për këtë pjesë asgjë e parregullt nuk u kronometrua në ditarin e numërimit apo të procesit, kjo bërë nga komisionerët e të gjitha palëve. Në momentin B, palët politike kujtohen për probleme që ose i kanë neglizhuar, apo kthehen në retrospektivë për të parë se ku i çaloi puna e tyre. Në këtë moment ato përpiqen të rikapin kohën apo mundësinë e humbur. Në këtë rast, “qendra” mendon të rinumërojë, edhe pse në letra nuk ka asnjë shënim, asnjë dyshim, asnjë problem.
Ligji i jep të drejtën dy anëtarëve të Komisionit të Zgjedhjeve të kërkojnë pa patur nevojë për votimin e shumicës rinumërime të kutive të caktuara. Kjo është konceptuar si një e drejtë e pakicës, e patjetërsueshme. Por nga zbatimi konkret i kësaj dispozite pozohet një problem madhor: e drejta të paktën dy anëtarëve për të rinumëruar automatikisht kuti, do të thotë e drejta e të gjithë të tjerëve për të numëruar të gjithë kutitë e tjera. Kjo do të thotë një proces total rinumërimi, i cili nuk është as i mirë dhe as i keq në vetvete. Por kjo hap një problematikë tjetër: a do t’i ribëjë zgjedhjet në këtë vend administrata e lartë zgjedhore apo gjyqësori zgjedhjet në këtë vend?
Ky është problemi i vërtetë. Ose mund të rinumëroheshin të gjitha kutitë, ose të mos rinumërohej asnjë e tillë. Kolegji Zgjedhor vendosi kështu, ashtu siç mund të ketë vendosur automatikisht të kundërtën, nëse do të kishte rinumëruar qoftë edhe një kuti të vetme, të firmosur, vulosur dhe dyllosur.
Mund të kishte ndodhur edhe një rinumërim i plotë i të gjithë kutive dhe kjo ndoshta do të kishte qenë një zgjidhje juridike e dytë, duke përbërë praktikisht bazën e një zgjidhjeje të madhe politike: rinumërim total.
Në të vërtetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhur i kanë rishkruar Kodin Zgjedhor, pasi në momentin që nuk pranuan të drejtën e pakicës për të rinumëruar disa kuti apo zona, ata e “shfuqizuan” këtë dispozitë me arsyetimin se kjo ishte praktikisht e papërdorshme. Jemi në rastin klasik kur drejtësia manifeston jo vetëm funksion e saj gjykues të zbatimit të ligjit, por dhe funksionin ligjbërës. Por nuk kishin si të vepronin ndryshe. Ata i dhanë këtë zgjidhje dilemës: rinumërim i plotë ose asnjë rinumërim.
Ky është sistemi, kjo është drejtësia. Ta pranojmë im-perfeksionin e sistemit. E rëndësishme është një gjë: drejtësia ka qenë e barabartë me të gjithë. Kushti minimal i mundshëm për të pranuar vendimin e një drejtësie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›