BE: Jeni në rrugën e duhur për heqjen e vizave
Procesi i liberalizimit të vizave dhe plotësimi i kritereve është vlerësuar nga autoritetet më të lartë dje në Bruksel. Në konferencën për shtyp u theksua se së shpejti, Shqipëria do të përfitojë liberalizimin e vizave. Sekretari i Shtetit Spanjoll për BE, Diego Lopez Garrido deklaroi se Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur për liberalizimin e vizave që, sipas tij, do të ndodhë në një kohë të shpejtë. "Ne jemi në favor të liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në dukje se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim, duke i përmbushur kriteret. Nga biseda jonë sot u vu re se Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar nga liberalizimi i vizave së shpejti", tha Garrido. Nga ana e tij, komisionari Fule tha se Shqipëria po plotëson kushtet dhe pritet që së shpejti të merret vendimi. "Ka dhe dy lajme të tjera të mira: i pari lidhet me çështjen e vizave dhe Udhërrëfyesin. Ju e dini se vlerësimi nga ana e Komisionit u dorëzua më 6 maj; ndërkohë, Këshilli dhe Parlamenti Evropian pritet që sa më shpejt që të jetë e mundur të dorëzojnë rekomandimet përkatëse", deklaroi Fule.