E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ironizon Ramën: I është rikthyer publicistikës së mjerimit, s’është më në politikë

24-08-2011 / Gazeta 55

Shefi i ekzekutivit ironizon editorialin e radhës të Edi Ramës, lidhur me zhvillimet libiane në Tripoli. Berisha tha se kur e gjithë bota demokratike përshëndeti rënien e diktatorit libian, vetëm Edi Rama tha se Tripoli s’ka rënë dhe se Gadafi është në pushtet

Nga mbledhja tradicionale e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha i është drejtuar publikisht kreut të PS-së Edi Rama, duke deklaruar se ai i është rikthyer publicistikës së mjerimit. Lidhur me analizën e fundit të Ramës, i cili shprehte shqetësim se pse kryeministri shqiptar u shpreh i lumtur për rënien e Tripolit dhe asgjesimin e regjimit diktatorial të Gadaf, Berisha tha se i gjithë perëndimi përshëndeti fitoren e popullit libian, ndërsa përvec Saifit (djali i Gadaf), edhe Edi Rama doli e tha se Tripoli s’ka rënë. “Z. Rama i cili ka lënë politikën dhe është rikthyer në origjinën e tij ka njohur dy dështime në jetën e tij. Piktura dhe publicistika, në këtë të fundit, ai është kthyer në publicistikën e mjerimit. Dje sulmonte pse unë kisha bërë fjalë pardje për rënien e Tripolit në një kohë ku ai thoshte se nuk kishte rënë. Në fakt përvec Saifit (djali i Gadaf) tjetër njëri në botë nuk doli të thotë që nuk ka rënë Tripoli”- u shpreh Berisha.
Duke analizuar editorialin e Ramës, shefi i qeverisë e ka krahasuar diktaturën në Libi në atë të vendin tonë gjatë regjimit komunist prandaj dhe shqiptarët sipas tij, nuk kanë sesi mos ta quajnë rënien e Tripolit si një fitore historike për kombin libian dhe historinë.
“Shqetësimi i Ramës ishte se unë e quajta këtë një fitore, por unë e quaj fitore, dhe një fitore të madhe shumë. 42 vjet nën regjim e shtypje të egër dhe sot në Libi luftohet për liri. Për ne shqiptarët jashtë atyre që e kanë pas në kurriz askush më shumë nuk e ndjen diktaturën pasi diktatori Hoxha është në distancë diktatori më i egër, më mizori pas luftës së dytë botërore prandaj edhe u shpall Hitleri i dytë pas luftës së dytë botërorë. Lidhur me pjesën tjetër të editorialit unë i sugjeroj rivalit apo publicitit Rama të lexojë veprën e Arshi Pipës. Në atë pjesën ku ka vargjet për Enver Hoxhën”- tha Berisha.
Sipas tij, edhe pse Shqipëria nuk mori pjesë në operacionet ushtarake të NATO-së në Libi, qeveria shqiptare i ka ofruar të gjitha lehtësitë Aleancës si ato portuale ashtu edhe ajrore nëse do nevojiteshin për operacionet. Berisha deklaroi se qeveria shqiptare është e gatshme për aksione humanitare në Libi. “Ne kemi njohur që në fillin Këshillin Kombëtar të Trazicionit dhe unë dua të përshëndes përfaqësinë libiane në Shqipëri që ka ndërprerë lidhjet me regjimin e Gadafit. Qeveria shqiptare është e gatshme të marrë pjesë në të gjitha operacionet humanitare në ndihmë të këtij vendi, prandaj ministria e mbrojtjes dhe e shëndetësisë do të marin të gjitha hapat për të përgatitur ekipet mjekësore me të gjtiha pajisjet për të mbështetur këtë vend i cili përjetoi një muaj të tërë lufte dhe masakrash, por triumfoi”- deklaroi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›