Rama, të rinjve: Angazhohuni në fushatën elektorale të PS-së
Takimi i radhës së turit të Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste është zhvilluar në qytetin e Beratit. Në këtë takim, gjatë fjalës së tij, kreu i PS-së, Edi Rama, ka thënë se tashmë ka ardhur koha që të realizohet ëndrra europiane e Shqipërisë, e cila deri sot ishte marrë peng nga politika e vjetër. Rama tha se politika e vjetër prej 18 vjetësh ka futur grindjen dhe tifozllëkun e verbër partiak te shqiptarët. “Problemet e njerëzve qëndrojnë të pazgjidhura përtej dasive partiake që politika e vjetër i ushqen prej 18 vjetësh, deri në fshatin më të humbur të Shqipërisë, u ka futur grindjet dhe tifozllëkun e verbër partiak, pikërisht sepse është e paaftë t'i zgjidhë problemet, duke i kthyer njerëzit në tifozë, duke i verbuar me dufin e urrejtjes dhe me yshtjen e mllefit, që politika e vjetër ka arritur të realizojë 18 vjet me radhë, devizën ‘përça dhe sundo’. Qytetarët e këtij vendi nuk kanë më nevojë për një politikë që t'u japë arsye për t'u ndarë. Qytetarët e qytetaret e këtij vendi kanë nevojë për një politikë që t'u japë arsyen për t'u bashkuar dhe për të kthyer faqen e dasisë 18-vjeçare. Politika e re është fundi i urrejtjes dhe cinizmit, është rënia e barrikadës së interesave personale, klienteliste, nepotike, partiake, që politikanët kanë ngritur pushtet me ata që i çojnë në pushtet, me njerëzit”, - tha Rama. Më tej, kryetari i Partisë Socialiste, duke folur për afrimin e fushatës elektorale, u ka bërë thirrje të rinjve që të angazhohen në këtë fushatë, për të qenë pjesë e ndryshimit të kërkuar. “Fushata elektorale po afron dhe të gjithë, si gjithnjë prej 18 vjetësh, kanë nisur të bëjnë premtime për të marrë votat që pastaj, me votat që marrin, të bëjnë si gjithnjë çdo gjë tjetër, përveç mbajtjes së premtimeve.
Por kjo e vërtetë e hidhur 18-vjeçare nuk është një arsye më pak, po një arsye më shumë, për të mos e lënë fushatën që po vjen në duart e politikanëve dhe për të mos i falur politikës së vjetër të premtimeve të pambajtura një tjetër shans që demokracia ua jep qytetarëve. Kjo fushatë është e juaja, e të gjithëve si ju”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.
16 Shkurt 2009