E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia ndalon Belliun, dëshmitarin e lidhjes mes Gërdecit dhe aferës së AEY

Nga Rildo Ngjela

Një nga punëtorët e punishtes së Gërdecit, dëshmitar në atë që është në fakt lidhja e aferës së Gërdecit me trafikun e armëve kineze përmes Rinasit, dhe iniciatori i grevës së urisë së këtyre punëtorëve të kësaj punishteje, Andi Belliu, është ndaluar dje nga policia dhe mbajtur aty për orë të tëra. Sipas tij, ky ndalim ka motiv të pastër presionin, për shkak se ai kishte me vete pasaportën, por është detyruar të qëndrojë në polici për dhjetë orë. “Sot (dje) më mbajtën 10 orë në arrest në Drejtorinë e Policisë, se gjoja i shëmbëlleja një krimineli ordiner nga Lushnja. Unë kisha edhe pasaportën me vete. Më morën si kriminel te 21-shi, më zbritën nga urbani që po shkoja në punë. Më morën sikur kishin kapur Aldo Baren dhe më lanë tërë ditën deri tani si gjoja të dyshuar, kur unë jam regjistruar në gjykatën e rrethit Tiranë dhe në prokurori. Ky është presion i pastër për të mos dëshmuar”, - thotë Belliu.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit pohon shoqërimin e Belliut në polici, por nuk jep detaje për këtë ngjarje, duke theksuar se kjo është një procedurë normale ligjore. Ai nuk jep sqarime në lidhje me faktin që Belliu ka qenë i pajisur me pasaportë dhe është mbajtur me orë të tëra aty.

Para disa kohësh, gjatë një interviste për emisionin “Faktori Plus” të gazetarit Mero Baze, Belliu dëshmoi për lidhjet e Gërdecit me aferën e trafikut të armëve nga AEY.

Sipas tij, sapo në Gërdec mbërrinin kutitë me fishekë model 56, ato veçoheshin nga ngarkesat e tjera. Belliu thotë se këto lloj fishekësh nuk demontoheshin.

Ai dëshmon dhe për natën kur në Rinas pritej të mbërrinte një gazetar i “NY Times” dhe duhej të mbuloheshin gjurmët e armatimit kinez.

“Filluam punë nga ora 23:00. Sa filluam punën, Dritan Minxolli, drejtori teknik, u çua shumë i shqetësuar nga gjumi. I tha përgjegjësit, Vangjelit, ose siç e ka emrin e saktë Veiz Muçës.

Pasi Dritani urdhëroi Veiz Muçën, menjëherë u ndërpre aktiviteti normal i punës atë natë. U çua një kamion para hyrjes së kapanonit.

Ishte kamion civil, me targa të Durrësit më duket. Kamioni ishte blu dhe kishte pak xhamin e krisur përpara. Ka qenë një natë shumë e ftohtë dhe mbaj mend se xhami përpara ishte i ngrirë dhe nuk i punonin fshirëset. Kështu që Vangjeli (Veiz Muça) shkoi dhe mori një kovë me ujë të nxehtë dhe ia hodhi xhamit. Mbaj mend një moment, ku Dritani (Minxolli) i tha Vangjelit me urgjencë që të bënte gjithë punëtorët gati, për të qenë i përgatitur kur ai të kthehej nga Rinasi për të shkarkuar materialet. Atë natë Minxolli ka bërë tri rrugë.

Kamioni i fundit ka mbaruar shkarkimin rreth orës 6 të mëngjesit. Ato shkarkonin kuti metalike me mbishkrime kineze. Ne thjesht i shkarkonim nga kamioni, kjo ishte puna jonë. Ishin nga këto kutitë me fishekë model 56. Unë, ngaqë kisha punuar te sharra, i njihja”, - thotë Belliu.

Dëshmitë e tij disa ditë më vonë u depozituan dhe në prokurori.

Belliu: Më mbajtën dhjetë orë, është presion i hapur

Andi Belliu tregon për gazetën “TemA” momentet e ndalimit të tij dhe dyshimet se kjo ishte një gjë e qëllimshme nga ana e policisë për ta frikësuar atë. Belliu tha se që në mëngjes herët gjashtë policë ndaluan urbanin e linjës ku ndodhej ai, si nëpër filma aksion, dhe e prangosën duke e dërguar në rajonin nr. 2 të policisë. Edhe pse iu kishte treguar pasaportën, sërish policët e kanë dërguar në komisariat, duke deklaruar se e dyshonin për një të kërkuar për vrasje. “Në orën 8 të mëngjesit, sapo dola nga shtëpia, i hipa urbanit dhe te stacioni te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit ndaluan urbanin dhe më shoqëruan deri te rajoni nr. 2 i policisë, gjashtë policë. Edhe pse duke ua treguar pasaportën, më shoqëruar gjithsesi”, - thotë Belliu.

Ai thotë se në komisariat i është bërë e ditur se përgjohej, për shkak se i është thënë që e kanë parë ditën e premte rreth orë dhjetë të darkës tek ish- ekspozita “Shqipëria Sot”. Belliu deklaron se gjatë kohës që merrej në pyetje, polici që ia drejtonte ato, komunikonte në telefon me dikë për pyetjet që duhej të bënte.

Policia ka kërkuar dhe që të shkojë të bëjë një kontroll në shtëpinë e tij, por Belliu ka kërkuar të shohë një mandat për ta bërë një gjë të tillë. “Menjëherë më nxorën gjërat nga xhepat dhe më shoqëruan afër birucave. Aty më fikën celularin. I gjithë rajoni ishte në këmbë dhe ishin tepër të acaruar. Pa asnjë shpjegim më futën në birucë. Pas 30 minutash më nxorën dhe më pyetën për gjeneralitetet dhe adresën. Ndërkohë pashë që kishte ardhur një grup tjetër policësh. Menjëherë më vunë prangat me duar pas shpine dhe më dërguan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës”, - thotë Belliu.

“Atje më thanë thjesht që isha i dyshuar. Të prangosur më çuan atje dhe pastaj më futën në dhomën e shoqërimit. Atje qëndrova për rreth 2 orë. Pastaj më çuan të dhoma e identifikimit, ku më morën shenjat e gishtave dhe më bënë foto. Më morën dhe gjatësinë. Ndërkohë, oficerët filluan të më bëjnë komente të tipit: “Je i gjatë fiks sa personi që kërkonim, 1.80” etj., etj.

Më kthyen përsëri te dhoma e shoqërimit. Pas kësaj me prangosen me duar prapa dhe më futën në furgon, ku ishin 5 policë, shoferi dhe një oficer civil. Morën qeskën me dokumentet e mia personale dhe me çelësat e shtëpisë në dorë me pyetën se, nëse janë të shtëpisë dhe të dyqanit këto. U thashë po. Më bënë një pyetje tjetër, nëse kisha ndonjë gjë ilegale në shtëpi për të deklaruar. U thashë jo. Por u kërkova, nëse kishin ndonjë leje nga prokuroria për kontroll banese. Oficeri m’u përgjigj: “Pse ke frike të të kontrollojmë banesën?”

I thashë, zbatoni ligjin dhe më tregoni një mandat të firmosur nga një prokuror i gatshëm. Foli me dikë në telefon dhe më kthyen përsëri në dhomën e shoqërimit, ku prita deri rreth orës 6 pasdite, ku i njëjti oficer civil erdhi dhe me nxori duke plotësuar një dokument me pyetje të parëndësishme, të cilin e firmosëm të dy, pavarësisht se ishte i shkruar me shkrim dore”, - rrëfen Belliu.

Sipas tij, në momentin që ka marrë qesen me dokumentet e tij, ka vënë re që karta e celularit të tij ishte ndryshuar, kjo për shkak se ai kishte dy karta të ndryshme, të dy kompanive celulare, por policia duket ka bërë një kontroll duke parë të dy numrat.

Belliu thotë se ky është presion i hapur që i bëhet atij për çështjen e Gërdecit dhe dëshminë e tij, ndërsa thotë se është e qartë që përgjohet për shkak se policia dinte gjithçka për të. “Mendoj se është bërë qëllimisht. Mendoj se e kanë bërë, sepse jam dëshmitar në tragjedinë e Gërdecit dhe i trafikut të armëve drejt aeroportit”, - e mbyll rrëfimin Belliu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›