Berisha, jo heqjes së TVSH-së për produktet ushqimore
Kryeministri Berisha i është përgjigjur dje në mbledhjen e qeverisë platformës së propozuar nga Partia Socialiste për heqjen e TVSH-së së produkteve ushqimore dhe ilaçeve. “Në udhëtimin që bëmë në Dardhe, mund t’ju them se u konsolidua bindja më e thellë se në zonat malore të vendit, investimet të përjashtohen nga taksat për 8 vjet dhe kjo nuk cenon aspak të ardhurat. Kjo vetëm ndihmon një shpërndarje më të ndershme dhe më të drejtë të tyre. Kjo bën që malet, deri dje vende mundimi, të shndërrohen në vende dëfrimi, malet që deri dje ishin vende varfërie, të shndërrohen në vende mëkëmbje dhe jo ajo që propozohet, që të hiqet TVSH-ja për miellin dhe t’ua lëmë myzeqarëve apo korçarëve, apo të tjerëve grurin në ara, sepse dikush ka lidhje me bizneset e miellit. Jo mor zotëri, ne nuk e bëjmë atë, se ti nuk rri në Shqipëri, se po të rrish në Shqipëri dy gjëra shohin fermerët, motin dhe bursën, se si po u shkojnë çmimet. Në rast se ti propozon të heqësh TVSH-në e miellit, Ukraina apo Serbia këtu në rajon, që është një prodhues i konsiderueshëm, prodhojnë grurë për këdo”, - tha kreu i qeverisë. Duke vijuar këtë logjikë, ai shtoi “por, problemi është se duhet të prodhojnë edhe fermerët tanë, sepse gruri është një kulturë që nuk kërkon kaq shumë mundim dhe sofistikime në mekanikë dhe duhet të mendojmë se kemi 50 % të popullsisë në fshat. Po ta heqim TVSH-në për qumështin, nuk do të merret kush me bagëtinë në Shqipëri, paçka se të tjerët marrin nga 3 euro për lopë në ditë, si subvencion, kurse këta i bien Shqipërisë kryq e tërthor për të kullotur bagëtinë sipas stinëve, ndërsa këta thonë të heqim TVSH-në dhe të vijë qumështi me cisterna. Unë e kuptoj dhe do të qëndroj prapa secilit që ka vështirësi për bukën e gojës dhe ka njerëz që kanë vështirësi, por sipas statistikave, shumica nuk kanë vështirësi për bukën e gojës dhe përderisa nuk kanë, duhet të pranojmë një shpërndarje, duhet të pranojmë që edhe ai që jeton atje, në Myzeqe, Berat, Shkodër apo kudo, edhe ai të ketë mundësi të shesë me një çmim për të siguruar një fitim”. Kryeministri deklaroi se revolucioni fiskal vazhdon, por asgjë që dëmton interesat e 50 % të shqiptarëve, që janë prodhues, nuk mund të pranohet nga kjo qeveri.