Shkurtohet procedura për hipotekat, tani regjistrimi tek noteri
Qeveria lehtëson procedurat, duke shmangur burokracitë për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në qoftë se të duhet të regjistrosh një pasuri të paluajtshme, qoftë pronë personale apo biznesi dhe tani të duhen 21 ditë duke kaluar nëpër disa zyra, duke filluar nga 1 janari 2012, procedura do të jetë shumë e thjeshtë dhe do të shpenzojë pak kohë duke u bërë drejtpërdrejt në një noteri. Kjo e fundit e transmeton regjistrimin on line në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (hipotekë). Vendimi u mor dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave dhe hyn në fuqi më 1 janar 2011. Në këtë mënyrë, ky vendim është një tjetër hap i rëndësishëm në ndihmë të tregut të ndërtimit. “Ky ndryshim që Ministria e Drejtësisë propozon, sjell një risi, një lehtësim real të barrës burokratike mbi biznesin dhe i jep këtij institucioni, i cili në çdo kohë, në çdo vend është një institucion themelor, pra i jep detyrimin për të përmbushur përgjegjësitë e tij, synon modernizimin dhe vendosjen e tij on-line për të bërë transparencë të plotë të punës së tij. Unë i përgëzoj të gjithë noterët që e mbështesin këtë nismë, por edhe ndryshimi që bëmë këtu në këtë ligj, ndihmon në thjeshtimin e disa procedurave. Kështu, disa funksione që i kishte më parë Zyra e Regjistrimit të Pasurive, tani për të shkurtuar kohërat për biznesin dhe qytetarët, i merr përsipër institucioni i noterisë, i cili është i lidhur on-line me të gjitha institucionet e tjera, duke reduktuar nga 5 hallka dhe 21 ditë kohë, në dy hallka dhe një punë të kryer brenda një momenti të shkurtër”, - u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Vendimi në fjalë “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin NR.7829, datë 1.6.1994, “Për Noterinë” të ndryshuar, synon “të kryejë regjistrimin, ruajtjen, shfrytëzimin, përdorimin dhe transmetimin e të dhënave personale të palëve, në përputhje me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Duke iu referuar vendimit në fjalë, ai përfshin detyrimin që të paraqesë për regjistrim, brenda afatit të përcaktuar me ligj, me pëlqimin e palëve, aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, pranë zyrës që administron regjistrin elektronik, ku ndodhet pasuria e paluajtshme. Gjithashtu parashikohet që në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohen verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij. Procedura teknike për derdhjen e pagesës përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Për sa i përket procedurave për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme, akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sendet e paluajtshme ose të një të drejte reale mbi to kryhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e paluajtshëm. Po sipas vendimit, për këtë qëllim, pala i paraqet noterit dokumentet e pronësisë dhe noteri, me pëlqimin e saj, verifikon gjendjen juridike të pronësisë në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme. Në të njëjtën kohë, noteri duhet të shënojë në aktin noterial për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme verifikimin e bërë dhe t’i bashkëlidhë rezultatin e verifikimit. Gjithashtu, vendimi detyron që deri në krijimin dhe funksionimin e regjistrit elektronik, tjetërsimi i pasurive të paluajtshme kryhet sipas procedurave ligjore të mëparshme.
Disa funksione që i kishte më parë Zyra e Regjistrimit të Pasurive, tani për të shkurtuar kohën për biznesin dhe qytetarët i merr përsipër institucioni i noterisë, i cili është i lidhur on-line me të gjitha institucionet e tjera, duke reduktuar nga 5 hallka dhe 21 ditë kohë, në dy hallka dhe një punë të kryer brenda një momenti të shkurtër.