E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET hap dyert e Doktoraturës, 5 specialët rrëfejnë emocionet

SHKRUAN: Suadela Balliu 12-10-2011 15:16

Që dje Shkolla Doktorale në UET ka hapur dyert. Kanë nisur kështu edhe procedurat e regjistrimit për studimet e Nivelit të Tretë në Universitetin Europian të Tiranës pasi ky institucion, me anë të dy vendimeve të Qeverisë, fitoi statusin Universitet dhe u licensua si Shkollë Doktorale. Programet e doktoraturës orientohen në tre drejtime bazë, që përfaqësojnë dhe kompetencat më të mira akademike e shkencore të UET. Në Shkencat Ekonomike shkolla doktorale do të orientohet në drejtimet e Financës, Menaxhimit, Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Menaxhimit të Sistemeve të Informacionit. Në Shkencat Sociale drejtimet doktorale do të jenë te Shkencat e Komunikimi, Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Sociologjia dhe Antropologjia Sociale dhe Psikologji-Pedagogjia. Drejtimet në Shkencat Juridike do të përfshijnë Të Drejtën Publike, Të Drejtën Ndërkombëtare, Të Drejtën Civile dhe Të Drejtën Biznesi. Universiteti Europian i Tiranës do të ketë 50 pedagogë vendas dhe të huaj, me grada dhe tituj akademikë. UET ka nënshkruar një marrëveshje me Aston University në Birmingam të Anglisë, ku ky i fundit do të ofrojë staf infrastrukturë akademike për Shkollën Doktorale. Disa nga kushtet e regjistrimit janë nota mesatare mbi 8 për grup-lëndët profesionale të programit të studimit, zotërimi i gjuhës anglezë në nivel C1, kërkesa e kandidatit, projekt-propozimi deri në 3 mijë fjalë etj. Këshilli Drejtues i Shkollës Doktorale do të shpallë pranimet e projekt-propozimeve të dorëzuara nga kandidatët.

Pesë histori të veçanta

Ditën e parë kur vunë këmbë në auditorët e UET, thuajse asnjë prej tyre nuk kishte menduar se do të shkonin aq larg. “Ishte Universiteti Europian i Tiranës ai që më zgjodhi mua”. Kështu rrëfen Juxhina Sotiri, diplomante e brezit të parë të pesëvjeçarit në UET. Ajo kishte nisur studimet në Universitetin Publik, por drejtuesit e UET-it i ofruan një bursë. “Nuk jam penduar aspak për zgjedhjen, të njëjtën gjë do të bëja edhe sot”, thotë ajo. “Pesë vitet në Universitetin Europian të Tiranës ishin më të rëndësishmit e jetës sime. UET është një univers plot me të papritura. Këtu jam rritur nga ana akademike dhe kam njohur njerëz që kam bindjen se do më shoqërojnë gjatë gjithë jetës”, shprehet një tjetër doktorante e UET-it, Blerta Aliu. Ka edhe nga ata që, pasi të përfundojnë këtë cikël të fundit të studimeve, nuk do të heqin dorë nga UET. “Universitetin Europian të Tiranës e shoh si një rrugëtim që nuk do të marrë fund kurrë. Edhe pasi të përfundoj ciklin e tretë të studimeve e shoh veten sërish në UET”, përgjigjet Lulzim Hoxha. Përveç plotësimit të ambicieve në karrierë ka edhe studentë si Fatjon Hila që do donin të jepnin kontribut edhe në kërkimin shkencor. “Ky nivel akademik është i domosdoshëm për të arritur objektivat që i kam vënë vetes. Pas tre vitesh nuk e shoh veten kund tjetër vetëm se në mjedis akademik si pedagog”.

Universiteti Europian i Tiranës përveç të qenit një univers akademik, është edhe një univers ku gjithkush me vullnet e dëshirë mund të realizojë ambiciet. Si Valentina Memini, që në moshën 47-vjeçare nuk dëshiron ta ndalë studimin. “Tani jam e përqendruar në tre vitet e shkollës doktorate, në Shkenca Juridike”, thotë ajo e entuziazmuar në pritje të nisjes së këtij viti akademik, ku UET përveçse ka marrë statusin Universitet, ka licencuar edhe Shkollën Doktorale.

UET, univers plot me të papritura

Blerta Aliu

Para pesë vitesh ajo fitoi të drejtën për të ndjekur studimet në Universitetin Europian të Tiranës me anën e një burse sociale si vajza e një punonjësi policie të rënë në detyrë. Zgjodhi të studionte Drejtësi dhe sot, pasi ka përfunduar edhe studimet Master në të Drejtë Biznesi, ka vendosur të ndjekë edhe ciklin e tretë të studimeve, atë të doktoraturës për Shkenca Juridike. “Pesë vitet në Universitetin Europian të Tiranës ishin më të rëndësishmit e jetës sime. UET është një univers plot me të papritura. Këtu jam rritur nga ana akademike dhe kam njohur njerëz që kam bindjen se do më shoqërojnë gjatë gjithë jetës”. Ishte pikërisht kjo përvojë unike, që e bën të mos e ndërpriste këtu jetën studentore, por ta çonte edhe më tej, si studente e shkollës doktorale. “Pas tre vitesh, me titullin doktor e shoh veten si pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. Aty ku kam marrë aq shumë dhe jam rritur intelektualisht, dua që në një farë mënyre edhe të kontribuoj, për t’u dhënë brezave të tjerë që zgjedhin UET të gjithë seriozitetin akademik që vetëm UET di të japë”.

UET, rrugëtim i pafund

Lulzim Hoxha

Pas vitit të parë të studimeve të larta në një tjetër universitet privat, dëshira për ta kënaqur etjen e tij intelektuale e bëri që të mos dyzohej aspak ndërsa transferohej në Universitetin Europian të Tiranës. Përfundoi studimet Bachelor për Shkenca Politike dhe Masterin në profilin Teori Politike, për të shkuar edhe më tej, në vendimin më të rëndësishëm të jetës, për të ndjekur doktoraturën në Shkenca Sociale. “Në UET, përveç infrastrukturës së mirë, ke mundësinë të shohësh të rinj që nuk bëjnë thjesht gjërat e zakonshme e tipike të moshës, por që kanë nisur ta konceptojnë veten si subjekte akademike. Ndaj mund të them që produktet e UET janë shumë të mira”. Këto do të mjaftonin të hiqte dorë nga e drejta që sapo kish fituar për të ndjekur shkollën doktorale në universitet tjetër, e sapo UET të licenconte Doktoraturat të ishte ndër të parët që regjistrohej për të ndjekur studimet. “Universitetin Europian të Tiranës e shoh si një rrugëtim që nuk do të marrë fund kurrë. Edhe pasi të përfundoj ciklin e tretë të studimeve e shoh veten sërish në UET”.

UET, pol akademik dhe kërkimi shkencor

Fatjon Hila

Ndër mundësitë e zgjedhjeve që i ofroheshin kur do të merrte vendimin për të ndjekur studimet e larta, preferoi UET-in pa asnjë dyshim. Do të hiqte dorë madje edhe nga Universiteti Publik, për të qenë student i Juridikut në Universitetin Europian të Tiranës. Pas pesë vitesh, në prag të nisjes së studimeve doktorale është i kënaqur kur pranon se ka bërë zgjedhjen e duhur. “Mjedisi akademik këtu më ka lejuar që përveç dijes të krijoj edhe kontakte me njerëz të shquar, anëtarë të stafit akademik të UET-it, e, pse jo, mund t’i quaja edhe kolegë të ardhshëm. Studimet Master në profilin E Drejtë Biznesi do ia shtonin edhe më ambiciet dhe dëshirën për një karrierë akademike, jo vetëm në mësimdhënie por edhe në kërkim shkencor. “Ky nivel akademik është i domosdoshëm për të arritur objektivat që i kam vënë vetes. Pas tre vitesh nuk e shoh veten kund tjetër vetëm se në mjedis akademik si pedagog”.

UET, mundësi për këdo

Valentina Memini

Kur vendosi të ndiqte studimet e larta, ajo e dinte se do të ishte studentja me moshën më të madhe që ulej në auditorët e Fakultetit Juridik të UET-it. Megjithatë, asgjë nuk e ndali që të plotësonte ëndrrën e saj të hershme dhe të çonte përpara sfidat që i vinte vetes. Pas pesë vitesh në UET, 47-vjeçarja arriti të merrte një diplomë Bachelor në Juridik dhe të përfundonte studimet Master në E Drejtë Private, me rezultate të shkëlqyera. “Në UET gjeta pedagogët më të mirë. Shumë seriozë dhe rigorozë dhe një kërkesë llogarie të madhe”. Të studiuarit për të është kthyer në një proces që dëshiron të zgjasë gjithmonë. Për këtë arsye vendosi të ndiqte edhe shkollën doktorale, me gjithë impenjimet e saj si mama dhe gjyshe. “Tani jam e përqendruar në tre vitet e shkollës doktorale në Shkenca Juridike”. Në të ardhmen?! Dëshira e saj është që një ditë të ketë një zyrë ligjore me emrin dhe titujt e saj të fituara me mund e sakrificë në një eksperiencë të paharrueshme në UET.

UET, një kartë e vlefshme

Juxhina Sotiri

“Ishte Universiteti Europian i Tiranës ai që më zgjodhi mua”. Kështu rrëfen Juxhina Sotiri, diplomante e brezit të parë të pesëvjeçarit në UET. Ajo kishte nisur studimet në Universitetin Publik, por drejtuesit e UET-it i ofruan një bursë. “Nuk jam penduar aspak për zgjedhjen, të njëjtën gjë do të bëja edhe sot”, thotë ajo. Pas përfundimit të Bachelorit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Juxhina vendosi të bëjë masterin shkencor po në UET, në profilin e Studimeve Strategjikë. Arsyeja kryesore ishte cilësia dhe kurrikula e njëjtë që ofronte ky universitet me homologët e tij në Perëndim, si dhe pedagogët të cilët e njihnin atë dhe fushën e saj të interesit. “UET ka qenë një kartë shumë e vlefshme për mua dhe këtë e kam provuar kur aplikoj në konferenca dhe seminare jashtë vendit, të cilat janë mbi tetë. Asnjë aplikim i imi nuk është refuzuar. Universiteti Europian i Tiranës ka të njëjtën kurrikulë dhe diplomë me universitetet jashtë.”- tregon Juxhina.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›