E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullore e re për kreditë, shtrëngohen kushtet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 13-10-2011 11:37

Një rregullore e re për administrimin e rrezikut të kredisë është miratuar nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, e cila rikoncepton kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve drejtuese të bankave në lidhje me kredidhënien. Rregullorja ka si qëllim uljen e kredive me probleme, por ne fakt shtrëngon procedurat që bankat duhet të aplikojnë kur japin kredi. Gjithashtu, rregullorja e re përcakton edhe fondet rezervë që bankat duhet të mbajnë për kategoritë e kredive me probleme. Burimet në Bankën e Shqipërisë bënë të ditur se rregullat e reja diktohen nga rritja e fluksit të kredive në probleme, të cilat janë shndërruar kohët e fundit në rriskun më të madh të aktivitetit bankar. Sipas statistikave të bankave, kreditë e humbur përfundimisht i kalojnë të 200 milionë eurot. Rregullorja gjithashtu vë edhe disa kushte të reja, që analistët e bankave duhet të kenë parasysh kur të negociojnë huan me kredimarrësin. Kriteret lidhen me statusin e kredimarrësit, karakteristika personale dhe ekonomike të tij. Kështu vlerësohet cilësia e menaxhimit, përfshirë dhe atë të menaxhimit të nivelit të lartë të kredimarrësit, në rastet kur kredimarrësi është person juridik. Bankat duhet të marrin në konsideratë cilësinë e aksionerëve, cilësinë e planeve dhe programeve të mbështetura financiarisht nga banka; nivelin i kapitalit dhe rezervave të kredimarrësit dhe pjesa e tyre në bilancin e kredimarrësit dhe cilësinë e aktiveve të kredimarrësit. Madhësia e borxhit dhe aftësia për t’i shërbyer, si dhe historiku i ekspozimeve me bankën janë një element tjetër që duhet të merret në konsideratë. Gjithashtu kusht janë edhe flukset e parave të periudhave paraardhëse dhe flukset e parave të pritshme, të krahasuara me detyrimet e kredimarrësit si dhe pozicioni i tij në treg. Rregullorja e re për administrimin e rrezikut të kredisë parasheh edhe ristrukturimin e kredisë. Ky proces përfshin lehtësimet që banka bën për kredimarrësin, për shkak të vështirësive financiare të tyre të shkaktuara nga arsye ekonomike ose ligjore, të cilat nuk bëhen nga banka në asnjë rast tjetër. Ristrukturimi përfshin lehtësimet e bëra në kushtet e kredisë nëpërmjet ndryshimit të një ose disa kushteve të kontratës (duke përfshirë ndryshimin e produktit dhe kapitalizimin e interesit), të cilat lidhen kryesisht me afatin, principalin dhe normën e interesit, marrjen e kolateralit apo pasurive të tjera për shlyerjen e pjesshme të kredisë. Një vëmendje e veçantë në rregulloren e re i është kushtuar edhe vlerësimit të kredisë së ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Kështu, totali i kredive të bankës në valutë ose të indeksuara në valutë të ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, nuk duhet të kalojë 400 për qind të kapitalit rregullator të saj në baza individuale dhe të konsoliduara. “Çdo shumë që tejkalon këtë kufi do të zbritet nga kapitali rregullator i bankës për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit”, përcakton rregullorja. Mirëpo rregullorja e re i frenon gjithashtu bankat të përdorin kolateralin në disa raste. Kështu banka nuk mund të përdorë garancitë dhe kolateralet financiare për zbutjen e rrezikut të kredisë, në rastin kur maturiteti i mbetur i mbrojtjes së kredisë është më i vogël se 3 muaj dhe kredia ka një maturitet të mbetur më të madh se maturiteti i mbetur i mbrojtjes. Gjithashtu, garancia nuk mund të përdoret në rastin kur maturiteti fillestar i mbrojtjes së kredisë është më i vogël se një vit dhe maturiteti i mbetur i kredisë është më i madh se maturiteti fillestar i mbrojtjes. Rregullorja i detyron bankat e nivelit të dytë të zhvillojnë sistemin për administrimin e rrezikut të kredisë, të përshtatshëm me natyrën, vëllimin dhe kompleksitetin e veprimtarive të tyre financiare. Sistemi i administrimit të rrezikut të kredisë duhet të sigurojë në vazhdimësi vlerësimin në kohë të cilësisë së kredive dhe aktiveve të tjera, duke përcaktuar njëkohësisht fondet rezervë për mbulimin e humbjeve të lidhura me këtë lloj rreziku.

Rregullorja e re për administrimin e rrezikut të kredisë parasheh edhe ristrukturimin e kredisë. Ky proces përfshin lehtësimet që banka bën për kredimarrësin, për shkak të vështirësive financiare të tyre të shkaktuara nga arsye ekonomike ose ligjore, të cilat nuk bëhen nga banka në asnjë rast tjetër.

Kushtet e reja të bankave për të dhënë kredi

1- Statusi i kredimarrësit, karakteristika personale dhe ekonomike të tij;

2- Cilësia e menaxhimit, përfshirë dhe atë të menaxhimit të nivelit të lartë të kredimarrësit, në rastet kur kredimarrësi është person juridik;

3-Cilësia e aksionerëve, cilësia e planeve dhe programeve të mbështetura financiarisht nga banka.

4-Niveli i kapitalit dhe rezervave të kredimarrësit dhe pjesa e tyre në bilancin e kredimarrësit.

5-Cilësia e aktiveve të kredimarrësit;

6-Madhësia e borxhit dhe aftësia për t’i shërbyer, si dhe historiku i ekspozimeve me bankën;

7-Likuiditeti dhe përfitueshmëria;

8- Flukset e parave të periudhave paraardhëse dhe flukset e parave të pritshme, të krahasuara me detyrimet e kredimarrësit;

9-Kushtet e biznesit dhe parashikimet e ardhshme për kredimarrësin, si dhe pozicioni i kredimarrësit në treg dhe në industrinë ku kryen veprimtarinë.

10-Ekspozimi i kredimarrësit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Dokumente të tjera

1) Bilanci (pasqyra e aktiv-pasivit dhe zërave jashtë bilancit);

2) Llogaria fitim-humbje;

3) Vërtetimi i pagës për individët, si dhe deklarata e të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre, e dokumentuar për të ardhurat dhe shpenzimet materiale;

4) Pasqyra e detyrimeve mbi kreditë dhe interesat për t’u paguar;

5) Pasqyra mbi ndryshimet në kapital;

6) Pasqyra e cash floë-t;

7) Raportet e ekspertit kontabël mbi gjendjen financiare të kredimarrësit;

8) Raporte të agjencive të vlerësimit.

Bankat, bazuar në ditëvonesat në shlyerjen e kredisë dhe gjendjen financiare të kredimarrësit, i klasifikojnë kreditë si më poshtë:

Standarde

Principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 1 (një) deri 30 (tridhjetë) ditësh nga data e pagesës së këstit.

Në ndjekje

Principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 31 (tridhjetë e një) deri 90 (nëntëdhjetë) ditësh nga data e pagesës së këstit;

Nënstandarde

Principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 91 (nëntëdhjetë e një) deri 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditësh nga data e pagesës së këstit;

Të dyshimta

Principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej 181 (njëqind e tetëdhjetë e një) deri 365 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë) ditësh nga data e pagesës së këstit;

e) “të humbura”, kur plotësohen kushtet e mëposhtme:

Të humbura

Principali ose interesi nuk është paguar për një periudhë prej më shumë se 365 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë) ditësh nga data e pagesës së këstit.

2. Normat e llogaritjes së fondeve rezervë përcaktohen si më poshtë:

a) për kategorinë “standarde”...................................1 (një) për qind;

b) për kategorinë “në ndjekje”..................................5 (pesë) për qind;

c) për kategorinë “nënstandarde”......jo më pak se 20 (njëzet) për qind;

d) për kategorinë “e dyshimtë”......jo më pak se 50 (pesëdhjetë) për qind;

e) për kategorinë “e humbur”..........................100 (njëqind) për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›