E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha jo të prerë Ramës: Karta falas vetëm për kategoritë e parashikuara nga vendimi i qeverisë

Kryeministri Berisha shfrytrëzoi mbledhjen e sotme të qeverisë për t'i kthyer përgjigje letrës ultimatum të Edi ramës në lidhje me dhënien falas të kartave të identitetit. Berisha u shpreh në mbledhjen në fjalë se asn jë kartë falas nuk do të jepet për asnjë person apo shtresë shoqërore që nuk është e përfshirë në këtë rregullsi në vendimin e qeverisë të marrë vetëm pak ditë më parë në një mbledhje të ngjashme si kjo e sotmja. Kjo sipas Berishës do të funksionojë të pakëtn deri më datën 28 qershor.


Fjala e kreut të qeverisë


"Me riorganizimin e Gjendjes Civile, në disa komuna pati një heqje të tyre, për shkaqe objektive administrative dhe është në rishqyrtim e riorganizim krijimi me kohë të pjesshme i zyrave të gjendjes civile në këto komuna, por, derisa të krijohen, zgjedhësit e këtyre komunave do të kenë të paguar transportin për në komunat, ku ndodhen qendrat e aplikimit. Natyrisht, kjo do të aplikohet jo vetëm për këto komuna, por edhe për fshatrat e një komune që ndodhen larg. Ka komuna shumë të hapura që, realisht, në këmbë janë mbi tre orë dhe këtyre zgjedhësve qeveria do të marrë përsipër t’u paguajë transportin për në qendrën e aplikimit.


I pari ka të bëjë me blerjen e kuponëve nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare dhe përgëzoj këto dy institucione për kapacitetet që dëshmuan për të gjithë pensionistët me pension minimal në qytet dhe të gjithë pensionistët e fshatit që nuk kanë pasaportë. Kjo ka nisur që dje dhe ka një interesim në rritje të tyre.Regjistri elektronik është një avantazh i jashtëzakonshëm. Ministria e Brendshme për një kohë të shkurtër, prej rreth një viti, duke krahasuar regjistrin elektronik të gjendjes civile me listën elektronike të pensionistëve ka arritur të identifikojë të gjithë ata që përfshihen në këtë kategori dhe nuk kanë letërnjoftim. Kjo bëri të mundur që të përllogariten shumë mirë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po blen kuponët për këtë kategori dhe qeveria, në datën 1 maj, do të shtojë në fondin e Institutit të gjithë shpenzimet që ai po bën paradhënie. E njëjta gjë po bëhet me studentët. Është në përfundim verifikimi i listës së studentëve që nuk kanë pasaportë. Pesë ditë më parë, ka filluar edhe procesi për kuponët për personat që janë në asistencë sociale. Masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe numri i personave që kanë aplikuar kanë arritur në 17 mijë në ditë dhe tendenca është të shkohet drejt 20 mijë aplikime në ditë. Firma e prodhimit të kartave ka hapur 58 qendra të reja aplikimi më shumë, sesa ishte parashikuar në kontratë. Procesi po ecën me shpejtësi të admirueshme. Në orët e para të mëngjesit, numri i aplikimeve ka arritur në 600 mijë dhe me ritmet prej 17-20 mijë aplikime në ditë, kapacitet janë të plota për ta përfunduara brenda muajit maj dhe për këtë kemi një raport shumë të hollësishëm nga Fondi Shqiptaro-Amerikan që është pjesëmarrës i konsorciumit ALEAT që prodhon kartat. Unë i konsideroj spekulime primitive dhe mashtrim ndaj qytetarëve deklarimet që e konsiderojnë çmimin e letërnjoftimit si taksë vote. Qeveria ka paguar në masën 80-100 për qind të çmimit të saj për rreth 700 mijë qytetarë. Këto janë zhvillime shumë pozitive. Ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët. Çmimi i saj nuk ka qenë kurrë çmimi i prodhimit të mallit. Çmimi i prodhimit të mallit bazohet mbi koston dhe ka mënyrën e tij të llogaritjes. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100 përqind të tij dhe merr nga 200 lekë deri falas. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shituar edhe deri në 50 euro dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 euro nuk është pak. Ne po e japim me 1.5 euro. Po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Çfarë mund t’u thuash qytetarëve që i kanë blerë pasaportat me çmimin 5 mijë lekë dhe nuk janë një apo dy, por 2 milion shqiptarë dhe këtë çmim e kemi gjetur nga qeveria socialiste. Apo për certifikatat me fotografi. Ndaj ky është një spekulim shumë primitiv. Çmimi i blerjes së kartave, - vijoi më tej Kryeministri - nuk ka asnjë taksë, përkundrazi është subvencionuar për 700 mijë persona që janë konsideruar në nevojë, për të cilët qeveria, ka edhe meritën e madhe, pasi ka dyfishuar të ardhurat e tyre. "Ne i kemi gjetur me 34 dollarë dhe më 1 maj, ata marrin 70 dollarë. Kur unë, në këtë zyrë, flisja për skemën e kafshatës, ata që shkumoheshin në vaska floriri ironizonin. Skema e kafshatës ka dhënë efektin e padiskutueshëm dhe ishte kalkulimi më i drejtë i qeverisë, sepse ajo synonte që ata që ishin me 1 dollar në ditë të bëheshin me 2 dollarë në ditë. Varfëria e ka treguesin e saj vetëm mbi të ardhura dhe vetëm mbi to bazohet. Skema e kafshatës në tërësinë e vet, së bashku me masa të tjera, bëri që kjo qeveri të rrisë nga 69 për qind faturën sociale, çka do të thotë ta dyfishojë plotësisht atë. Qeveria ka pasur një sukses të veçantë në këtë drejtim. Për sa kohë do të jetë e nevojshme qeveria do ta vazhdojë këtë skemë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›