E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjenevë - Publicisti Balliu i dhuron botimin “La Femme du Diable” presidentit të Zvicrës, Pascal Cauchepin

Në panairin më të madh të librit frankofon në Zvicër dhe njërin nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme të Evropës, në Sallonin e Librit në Gjenevë, publicisti Fahri Balliu pati një takim me presidentin e Zvicrës Pascal Cauchepin, të cilit i dhuroi edhe botimin në frëngjisht të monografisë “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”. Presidenti vlerësoi suksesin e librit në Zvicër e Francë dhe shprehu shpresën se botime të tjera shqiptare do të vijnë në gjuhën frënge

Publicisti Fahri Balliu i ka dhuruar dje librin e tij “La Femme du Diable”, versioni frëngjisht i best-sellerit në shqip “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, presidentit të Konfederatës së Zvicrës, zotit Pascal Cauchepin. Presidenti i Shtëpisë Botuese “55” është i ftuar nominal i presidentit të Panairit të Librit të Gjenevës Pierre-Marcel Favre dhe mori dje pjesë në çeljen e panarit të librit, evenimenti më i madh kulturor i Zvicrës dhe njëri nga panairet më të rëndësishme të librit frankofon në botë. Sivjet ky panair po funksionon edhe si një festival arti dhe po i kushtohet gjerësisht shkëmbimit të kulturave. Shtëpia Botuese “55” është e vetmja që prezantohet me një stendë të veçantë në panairin që vjet tërhoqi vëmendjen e më shumë se 100 mijë vizitorëve.
Në ditën e parë të panairit, publicisti Balliu pati një takim me presidentin e Konfederatës Zvicerane, zotin Pascal Cauchepin, të cilit i dhuroi edhe publikimin e tij në frëngjisht, “La Femme du Diable”, libër i cili është publikuar nga edicionet “Favre”, krenaria e publikimve zvicerane në frëngjisht. Gjatë takimit të përzemërt, zoti Balliu u ndal në tematikën e librit, i cili i kushtohet rolit të fortë që ka luajtur gruaja e diktatorit komunist në egërsimin e regjimit komunist në Shqipëri, duke e shndërruar diktaturën tonë në regjimin më shtypës në Evropë. Pasi u informua nga prezantuesi i panairit, se zoti Balliu ishte edhe një përfaqësues i politikës shqiptare, presidenti zviceran shprehu interes edhe për situatën parazgjedhore në vendin tonë.
Zoti Balliu u ndal tek reformat e rëndësishme që po ndërmerreshin në Shqipëri nga kabineti “Berisha”, të cilat po i jepnin Shqipërisë vendin që meriton në gjirin e familjeve perëndimore. Ai shprehu bindjen se edhe procesi i ardhshëm zgjedhor do të konfirmonte kursin reformator të së djathtës shqiptare, duke e votëbesuar atë masivisht për një mandat të dytë qeverisës.
 

Stenda e Shtëpisë Botuese “55” shndërrohet në Gjenevë në epiqendrën e aktiviteteve kulturore të shqiptarëve të Zvicrës

Stenda e Shtëpisë Botuese “55” në Panairin e Librit në Gjenevë është shndërruar që ditën e parë të çeljes së tij, në një pikë referimi për diasporën e fuqishme shqiptare që jeton në Konfederatën Zvicerane. Duke qenë e vetmja përfaqësuese e publikimeve në gjuhën shqip, intelektualë, përfaqësues të shoqatave të emigrantëve por edhe dashamirës të librit, të ardhur nga Gjermania e Italia, vizituan stendën dhe shprehën vlerësim të lartë për cilësinë e lartë të botimeve, që prezanton Enti Botues “55”. Përveç librit “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”, mjaft publikime të tjera, si “Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005” e Kastriot Dervishit, memuarët e Pater Zef Pllumit apo edhe publikime të tjera historike e shkencore, të përfshira edhe në kolanën e posaçme “Intelligenda”, nën kujdesin e Dr.Aurel Plasarit, zgjuan interesin e vizitorëve, çka solli edhe tërheqjen në masë të tyre. Vizitorët shprehën kënaqësinë që botuesit e “55”-s kishin mundur të ishin të pranishëm në këtë aktivitet elitar të librit evropian, çka përbënte një krenari për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Zvicër.
Salloni i Librit në Gjenevë është një aktivitet i përvitshëm, i cili sivjet regjistroi edicionin e 23-të të tij. Ai u çel në prani të Presidentit të Konfederatës Helvetike nga presidenti i panairit, Pierre Marcel Favre dhe shpreson të thyejë rekordin e vjetshëm të vizitorëve, prej 100 mijë syresh. Në panair marrin pjesë 720 shtëpi botuese nga e gjithë bota, ndërkohë që sivjet salloni i librit do të funksionojë edhe si “Europ’art”, një organizim që përpiqet të promovojë shkëmbimin e kulturave dhe të ideve.

Të shtunën, promovohet në Nju-Jork, monografia e Balliut “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”

Ditën e shtunë, me date 25 prill 2009, ne lokalin “Maestro's Cateres, 170 Bronxdale Ave”, në lagjen Bronx të Nju-Jorkut, në ora 11, Federata Panshqiptare "Vatra" organizon promovimin e librit "Zoja e zezë Nexhmije Hoxha" të publicistit Fahri Balliu. Në një njoftim të posaçëm për mediat, zyra e shtypit e Federatës “Vatra”, e cila njofton edhe praninë e autorit në këtë aktivitet, fton të gjithë anëtarët e saj si dhe dashamirës e librit, që të jenë të pranishëm në ceremoninë e promovimit të librit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›