E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kalon fundjavën në Pogradec

Kryeministri Sali Berisha nis pushimet në vilën qeveritare në Pogradec. Këtë fundjavë, kreu i qeverisë, së bashku me familjen ka zgjedhur Pogradecin për t‘u relaksuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në kohën kur KQZ-ja debatonte për kutitë e fundit të Qarkut të Fierit, kryetari i Partisë Demokratike ka udhëtuar drejt Pogradecit të premten pasdite për t‘u rikthyer në Tiranë pasditen e të dielës. Më 13 maj të këtij viti, qeveria "Berisha‘ ka dhënë 129 milionë lekë shtesë për rregullimin e vilave qeveritare në Dhërmi, Durrës, Vlorë dhe Velipojë. Në prag të sezonit veror, Këshilli i Ministrave i akordoi një fond shtesë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare prej 129 milionë lekësh për të rregulluar vilat qeveritare në Durrës, Vlorë, Velipojë dhe Dhërmi. Për rikonstruksionin e vilës numër 2 në Pogradec, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka shpenzuar gjithsej 50.819.000 lekë, ndërsa për rikonstruksionin e vilës numër 4 dhe 5 Pogradec, fondi i përcaktuar është 109.217.000 lekë. Ashtu si inaugurimi i rrugëve gjatë fushatës "Shqipëria po ndryshon", kreu i qeverisë ka zgjedhur të vazhdojë turin edhe me inaugurimin pas rikonstruksionit të vilave qeveritare. Ndryshe nga herët e tjera, kur shefi i Partisë Demokratike ka zgjedhur Durrësin, Vlorën apo Dajtin, këtë herë ka preferuar të ndryshojë destinacion, duke zgjedhur Pogradecin, qytetin ku për koincidencë, diktatori Enver Hoxha zgjidhte për të kaluar pushimet. Të ardhurat për rikonstruksionet e vilave qeveritare në kohë rekord, pak muaj përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, u përballuan nga fondi i kontigjencës dhe Ministria e Financave, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve qeveritare u kujdes për ndarjen e këtij fondi. Pak ditë përpara zgjedhjeve, kreu i qeverisë ndodhej në vilën qeveritare në Vlorë për disa orë relaksi dhe pak ditë pas zgjedhjeve, shefi i qeverisë zgjedh Pogradecin. Insistimi dhe ngutja e kabinetit qeveritar për rikonstruksionin e vilave lidhet me faktin se meqenëse kjo verë do t‘u përkonte edhe zgjedhjeve parlamentare, kreu i PD-së, por edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk do të linin Shqipërinë pa nxjerrjen e rezultatit final të KQZ për zgjedhjet dhe pushimet e verës do të ishin shumë pak larg Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›