E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Protesta, nëse na marrin mandatin në Fier

Në pritje të shqyrtimit të ankimimit të kërkesës së Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, selia rozë paralajmëroi se nuk do të tërhiqet nga mbrojtja e mandatit të nëntë që, me të drejtë, i takon, duke paralajmëruar edhe protesta. Zëdhënësja e PS, Armela Imeraj, i bëri thirrje veçanërisht votuesve të Fierit që të ndjekin nga afër zhvillimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. "Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Fierit dhe mbarë Shqipërisë, që votuan Partinë Socialiste më 28 qershor, që të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ dhe të përgatiten shpirtërisht për të ndalur dorën e grabitësve, në rast se KQZ nuk do të ndalet në realizimin e skenarit ogurzi të Sali Berishës", u shpreh Imeraj. Zëdhënësja e selisë rozë përsëriti edhe një herë se "Fieri nuk nëpërkëmbet, as me forcën e verbër të një pushteti të dënuar me votë dhe as me truke gjoja ligjore, që çojnë drejt grabitjes së mandatit që populli socialist i Fierit i ka dhënë Partisë Socialiste". Më tej, Imeraj deklaroi se Partia Socialiste nuk do të lejojë asnjë padrejtësi, kostot e të cilave janë mbi zgjedhësit e Fierit dhe të Partisë Socialiste
"Asnjë makinacion e poshtërsi në kurriz të popullit të Fierit, dhe në dëm të Partisë Socialiste nuk do ta tolerojmë, sepse në këtë proces vendoset, jo thjesht fati i një mandati, por çmimi i demokracisë në Shqipëri", shtoi më tej zëdhënësja e PS-së.
Në emër të kësaj partie, Imeraj vuri në dukje se "Sali Berisha nuk e ul dot çmimin e lirisë dhe të dinjitetit tonë dhe demokracia shqiptare nuk mund të kthehet në një skemë, ku pushteti fiton pavarësisht si voton qytetari".
"Prandaj e përsërisim, ne nuk i njohim zgjedhjet në rast se mandati i nëntë i Partisë Socialiste në Fier do të grabitet. Ne do ta marrim atë mandat me çdo mjet e me çdo çmim. Çdo burrë, grua, djalë e vajzë, që nuk pranon të grabitet në të drejtën e vet themelore dhe që nuk do të sundohet përgjithmonë nga një regjim që vjedh, jo vetëm pasuritë e përbashkëta, por edhe votat, është i lutur ta ndjekë deri në fund atë që po ndodh në KQZ dhe të bëhet pjesë e protestës që do të pasojë në rast se mandatin tonë në Fier, e rrëmben çifti i ri i politikës së vjetër", u shpreh ajo. Imeraj shtoi se "koha është e maskarenjve, por Shqipëria është e shqiptarëve. Maskarenjtë nuk mund t‘u mohojnë shqiptarëve lirinë për të vendosur me votë për fatin e tyre".
Prej më se një jave, selia rozë ka ripërsëritur vendimin e saj për të mos njohur zgjedhjet në rast se Komision Qendror i Zgjedhjeve nuk vendos që të hapë kutitë në Qarkun e Fierit, për të zyrtarizuar mandatin e nëntë në këtë qark. Madje një vendim i kryesisë së mbledhur në fillim të javës shqyrtoi mundësinë e organizimit të protestave në rast se ndodh që kjo çështje të mbyllet në favor të mazhorancës. Në daljet e herëpashershme Partia Socialiste ka akuzuar kreun e Partisë Demokratike se po mban peng mandatin e nëntë. Sakaq, selia rozë është treguar mosbesuese edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e fokusuar tek anëtarët që janë propozuar nga e djathta, e veçanërisht te kreu i këtij institucioni, Arben Ristani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›