E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti kërkon "rizgjim" të administratës

Shkrehja e institucioneve për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe sezoni i pushimeve që sapo ka nisur, detyron prefektin e Fierit të kërkojë rimëkëmbjen e shërbimeve nga ana e administratës vendore. Pas një kontrolli të papritur, ku ka vërejtur "përgjumje" të administratës, kreu i Prefekturës së Fierit ka kërkuar që institucionet, të cilat ofrojnë shërbime publike, të jenë në funksion të plotë dhe në gatishmëri të lartë për popullatën gjatë gjithë verës. Spitali rajonal, Këshilli i Qarkut, Drejtoria e Tatimeve, Kadastra, Hipoteka, Bashkia e Fierit dhe ajo e Patosit, në Drejtorinë e Patentave, Rrugëve, si dhe gjendjet civile, pas urdhrit të prefektit Rauf Troka, do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. "Shkak për këtë urdhër të prefektit të Fierit është bërë angazhimi i pothuaj të gjithë administratës së këtyre institucioneve në fushatën zgjedhore që sapo kaloi. Por, edhe pushimet verore që kanë nisur për një pjesë të mirë të administratës janë parë prej prefektit të Fierit si një faktor më shumë të shpërbërjes së shërbimeve", kanë thënë për gazetën "Shqip" pranë Prefekturës së Fierit. Tri ditët e fundit të javës që sapo u mbyll, prefekti i Fierit, Rauf Troka, ka kryer inspektime të papritura në Bashki, Qark, Hipotekë, Kadastër dhe pranë Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave. Pohohet se prefekti nuk ka gjetur anomali në këto institucione, por ndjekja e fushatës zgjedhore nga ai personalisht ka treguar se pjesa më e madhe e administratës shtetërore është angazhuar fuqishëm në fushatë.

Një pjesë tjetër e drejtuesve të institucioneve në Qarkun e Fierit janë telefonuar nga prefekti dhe konfirmohet se atyre u është komunikuar urdhri si dhe kërkesa për një rifillim intensiv të punës në këtë sezon vere. Prefekti për të kompensuar angazhimin e administratës në zgjedhje ka kërkuar që drejtuesit e institucioneve si dhe ata të departamenteve të burimeve njerëzore në këto institucione të administrojnë më së miri pushimet vjetore për punonjësit që kanë në varësi dhe që u morën direkt me fushatën dhe me zgjedhjet. Prefekti Rauf Troka pohoi për gazetën se është shënuar një zbehje e shërbimeve të administratës së çdo lloj ngjyre politike gjatë muajit të fundit, por, sipas tij, shumë shpejt ajo do të rimarrë përgjegjësitë që i takojnë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›