Pushohet hetimi për vrasje e trafik droge për "killer"-in Paja
Pushohen akuzat për trafik droge nga "killer"-i Ilir Paja, i hetuar dhe gjykuar në Shqipëri për vrasjen e një punonjësi të policisë. Në pamundësi të ardhjes së letër-porosive nga Italia dhe Gjermania, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pushuar hetimet, deri në mbërritjen e dokumentacionit të plotë. Ilir Paja është person në kërkim ndërkombëtar, sepse ndaj tij është dhënë dënimi për një vrasje të kryer në Gjermani. Paja është arrestuar dhe pas disa muajsh dënim ka mundur të arratiset nga burgu, duke përdorur çarçafët si litar. Është ndaluar disa muaj më vonë në Itali dhe ndaj tij është shtuar edhe akuza për shfrytëzim prostitucioni. Por ai ka mundur të ikë sërish nga burgu, ndërsa policia ishte duke e transportuar me ambulancë, për shkak se i dënuari ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe kishte tentuar disa herë vetëvrasjen. Kësaj here kishte bërë si i sëmurë psikik dhe kur e kishin transportuar me ambulancë kishte filluar të rënkonte e të tërhiqte vëmendjen e policit kryesor. Kur ky është afruar, Paja i ka dhënë një grusht në fytyrë. Më pas ka hapur derën e autoambulancës dhe është larguar me vrap, ku ka kapërcyer një mur të lartë dhe ka ndjekur linjën e trenit. Edhe pse policët kanë qëlluar në ajër, nuk ka ndaluar. Pas arratisjes së dytë në Itali, Ilir Paja është kthyer në Tiranë, ku jetonte i fshehur dhe është arrestuar sërish.