E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti i ri, "bum" vendimesh në shtator

Qeveria "Berisha" arkivon për Parlamentin e ardhshëm një axhendë të ngjeshur vendimesh. Që nga seanca e fundit e Kuvendit deri më sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithsej 156 vendime dhe projektligje. Parlamentit të ardhshëm i duhet të kapë ritmin e qeverisë për t‘u dhënë zgjidhje vendimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave gjatë fushatës elektorale, por edhe gjatë verës, ku mbledhjet e qeverisë priten të zhvillohen rregullisht.

Parlamenti i ri

Pas tre muajve pushim, Parlamenti i ardhshëm do të përballet me një fluks vendimesh, të cilat kanë ardhur nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave, të cilat janë mbajtur rregullisht gjatë periudhës së fushatës, por edhe pas saj. Gjatë fushatës, kabineti "Berisha" ka dhënë ‘OK‘ për 156 vendime dhe projektligje. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë ratifikime marrëveshjesh mes palës shqiptare dhe të huajve, por një pjesë tjetër pritet të ndezë Parlamentin e ri, i cili duhet të përveshë mëngët që në ditën e tij të parë të punës. Insistimi i kreut të ekzekutivit, Sali Berisha, për të mbajtur anëtarët e qeverisë në punë gjatë verës dhe për vazhduar rregullisht mbledhjet e Këshillit të Ministrave ka bërë që Parlamenti i ardhshëm të jetë i tejmbushur me vendime, të cilat pritet të ndezin edhe debatet e radhës mes dy kampeve më të mëdha politike.

Vendimet

Që nga 13 maji deri më sot, kabineti "Berisha" ka firmosur 156 vendime dhe projektligje shumica e të cilave do të dorëzohen në Kryesinë e Kuvendit përpara muajit shtator. Vendimet më pikante që pritet të sjellin debat në sallën e Parlamentit të ardhshëm është ndërhyrja që Ekzekutivi kërkon të bëjë në ligjin e legalizimeve për të futur në lojë letrat me vlerë. Një tjetër vendim që kërkon miratimin nga Kuvendi dhe shqyrtim në komisionet parlamentare është vendimi për rritjen e akcizave, por edhe vendimi për rritjen e taksës së tabelave reklamuese në qytetet dhe rrugët e vendit. Pas seancës së fundit të Kuvendit, qeveria mori një sërë vendimesh për të ‘joshur‘ elektoratin, duke mos u menduar dy herë për të liruar thesin e buxhetit të shtetit. Pak ditë pas zgjedhjeve, kreu i qeverisë, Sali Berisha, u kërkoi anëtarëve të kabinetit të tij të ngushtojnë rripin duke dhënë një urdhër të prerë se "shpenzimet operative do të shkurtohen me 10%". Po kështu, një tjetër vendim i rëndësishëm që kërkon ‘ok‘ nga Parlamenti dhe diskutim në komisionet parlamentare është projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Vendimi për rritjen e pagave të punonjësve të personelit të hetimit të inspektimit dhe shërbimeve mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe vendimi për pagat e punonjësve mbështetës të institucioneve buxhetorë dhe të nëpunësve të disa institucioneve buxhetore u miratua në mbledhjen e qeverisë pak ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Edhe ky vendim kërkon miratimin nga shumica e Kuvendit. Të vetmet vendime që kalojnë me akte normative kanë qenë ato për kartat e identitetit dhe parcelat ndërtimore që kalojnë në favor të poseduesve informalë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›