Berisha-kandidatëve: Harrojini veturat dhe shoferët personalë
Gjatë prezantimit të 140 kandidatëve për deputetët të PD-së, Berisha ka paralajmëruar hartimin e një drafti, që do të shkurtojë në maksimum shpenzimet e deputetit
TIRANË- Në praninë e 140 kandidatëve për deputetë të PD-së, Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar dje gjatë prezantimit të secilit prej tyre, se kanë qenë së paku 1400 pretendentë për të qenë pjesë e listës.
Për këtë arsye, kreu i ekzekutivit ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë të përjashtuarve, duke shprehur bindjen se askush nuk mund të dalë jashtë teorisë së gabimit.
Por, pavarësisht numrit të madh, Kryeministri, Sali Berisha, duket se nuk e ka pasur aq të vështire përzgjedhjen, për sa kohë që të gjithë kandidatët, që për nga renditja mund të konsiderohen fitues në Kuvendin e ardhshëm, kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me vetë atë.
Në listën e kandidatëve fitues dominojnë ministrat, zv/ministrat, këshilltarët e tij, si dhe drejtues të pushtetit vendor. "Kjo listë është produkt i një veprimtarie shumë të gjerë, i kontributeve thelbësore individuale dhe në ekip, në qendër dhe në rrethe i anëtarëve të saj.
Lista e paraqitur për legjislaturën e ardhshme mbart në tërësinë e saj vlerat më të shquara morale njerëzore dhe vlerat më të arrira elitare",- tha Berisha, duke shtuar se ekipi i deputetëve të PD-së mbart prurjet më të larmishme se çdo listë e paraqitur këto 18 vjetët e fundit.
Kreu i qeverisë theksoi, gjithashtu, se lista demokrate dallohet për aspektin njerëzor të kandidatëve, i cili, sipas tij, "është jetik për një frymë qytetare të Parlamentit të ri".
Angazhimi
Por përpos vlerësimit që ai bëri për secilin prej kandidatëve, kreu i ekzekutivit ka kërkuar prej tyre që të shkurtojnë shpenzimet, duke hequr dorë nga privilegjet e deputetit. "Katër vite më parë unë premtova një qeveri të vogël. Ne kemi një standard të papranueshëm dhe ky është standardi i veturave të zyrtarëve, të cilit duhet t'i japim fund si qeveri, Parlament dhe shtet. Para zgjedhjeve unë do të bëj ligjin për këtë gjë, pasi nuk mund të kenë deputetët shqiptarë më tepër privilegje se deputetët austriakë",- tha ai.
Duke mbrojtur këtë tezë, kreu i ekzekutivit shtoi se, nëse këto katër vjet nuk do të ishin reduktuar shpenzimet, atëherë realizimet e sotme, sipas tij, do të ishin një "letër e vdekur".
"Ju garantoj juve se çdo zyrtari të këtij vendi, do t'i krijohen të gjitha mundësitë e udhëtimit, por shoferët veturat shtetërore, këto do të jene me pikatore",- tha ai
Kryeministri Berisha vuri në dukje se, "në fokus të punës së kësaj qeverie kanë qenë problemet e përditshme të qytetarëve shqiptarë".
Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë, që të përdorin pushtetin dhe reformat në shërbim të qytetarëve. "Detyrat i kemi të vështira dhe programin elektoral unë e konsideroj të mundimshëm dhe të vështirë, por absolutisht të realizueshëm", - tha Berisha.
Sms-të
Angazhimi më i fundit i Kryeministrit Berisha, ai i komunikimit me qytetarët përmes sms-ve, ka shtuar një tjetër përgjegjësi për deputetët e ardhshëm të PD-së.
Ende pa u mandatuar si deputetë, kreu i ekzekutivit u ka kërkuar kandidatëve që të hapin telefonat dhe të komunikojnë me qytetarët. "Më marrin kohë mesazhet, por ku llogaris se sa kohë i merr kohë qytetarit për të komunikuar, gjej ngushëllim. Edhe ju duhet t'i hapni celularët. Do të ndieni kënaqësi të madhe",- tha Berisha.