E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prezaton kandidatët

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha prezantoi të dielën në mbrëmje, ekipin e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, duke e cilësuar atë si “ekipin e fitores së thellë”. Gjatë një ceremonie Berisha u shpreh se “që nesër ky ekip do të nisë garën elektorale të fitores”.

“Falënderoj të gjithë ata të cilët nuk u përfshinë në këtë listë dhe i siguroj se unë mbetem, mirënjohës për kontributin e gjithësecilit. Dua të theksoj se për një listë prej 140 vendesh ka patur së paku 1400 pretendentë dhe kjo listë që ne paraqesim sot do të jetë lista më përfaqësuese”, tha Kryeministri Berisha.

Duke shprehur bindjen se askush nuk del jashtë teorisë së gabimit, Kreu i Qeverisë kërkoi mirëkuptimin e të gjithë atyre që nuk janë përfshirë në këto lista dhe garantoi se do të vazhdojë një bashkëpunim të frutshëm me ta. “Kjo listë është produkt i një veprimtarie shumë të gjerë, i kontributeve thelbësore individuale dhe në ekip, në qendër dhe në rrethe i anëtarëve të saj. Lista e paraqitur për legjislaturën e ardhshme mbart në tërësinë e saj vlerat më të shquara morale njerëzore dhe vlerat më të arrira elitare”, tha Kryeministri Berisha.

Sipas tij “ekipi i deputetëve të PD-së mbart prurjet më të larmishme se çdo listë e paraqitur këto 18 vitet e fundit”. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se “gërshetimi në këtë listë i politikanëve të shquar dhe me integritet, i akademikëve të njohur dhe me kontribute të mëdha, i personaliteteve të shquara nga të gjitha fushat e kulturës, artit, biznesit dhe shkencave do t’i japë paralamentit të ardhshëm shqiptar një nivel të ri që nuk e ka patur ndonjëheër më pare”.

Kreu i Qeverisë theksoi gjithashtu se lista demokrate dallohet për aspektin njerëzor të kandidatëve, i cili sipas tij “është jetik për një frymë qytetare të parlamentit të ri”. Berisha kërkoi nga kandidatët për deputetët që të dorëzojnë para qytetarëve shqiptarë të gjitha privilegjet që nuk i takojnë, në mënyrë që të reduktohen shpenzimet dhe të vendosen standarde europiane.

"4 vite më parë unë premtova një qeveri të vogël. Ne kemi një standard të papranueshëm dhe ky është standardi i veturave të zyrtarëve, të cilit duhet t'i japim fund si qeveri, parlament dhe shtet. Para zgjedhjeve unë do të bëj ligjin për këtë gjë, pasi nuk mund të kenë deputetët shqiptarë më tepër privilegje se deputetët austriakë", tha Kryeministri Berisha. Duke garantuar se çdo zyrtari të këtij vendi do t'i krijohen të gjitha mundësitë e udhëtimit, Kryeministri u shpreh se "nëse nuk do të ishin reduktuar shpenzimet, të gjitha realizimet me të cilat krenohemi sot do të ishin letër e vdekur".

Kryeministri premtoi se 4 vitet e mandatit të ardhshëm qeverisës do të jenë vitet e kompletimit total të infrastrukturës së këtij vendi, reformave të mëdha dhe rritjes së mëtejshme të rrogave dhe pensioneve". "Detyrat i kemi të vështira dhe programin elektoral unë e konsideroj të mundimshëm dhe të vështirë, por absolutisht të realizueshëm", tha Kryeministri Berisha duke kërkuar nga kandidatët demokratë për deputetë që "të përdorin pushtetin në shërbim të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›