Rrugorët bëjnë "raprezalje", bllokohen 1000 patenta
Shefi i komisatriatit të Policisë Rrugore, Artan Osmani, thotë se masat ndëshkuese do vijnë duke u ashpërsuar
Gjatë këtij viti, policia ka bllokuar më tepër se 360 mjete, për shkleje të ndryshme
TIRANË- Më tepër se një mijë leje drejtimi janë bllokuar nga policia rrugore e kryeqytetit që prej fillimit të këtij viti, deri në mesin e muajit maj.
Numri i lartë i lejeve të drejtimit të automjeteve të hequra nga efektivët e policisë rrugore pesë muajve të parë të këtij viti është konfirmuar për gazetën "Shekulli", nga shefi i komisariatit të Policisë rrugore të Tiranës, kryekomisar Artan Osmani.
Më tej duket se edhe ndëshkimet administrative me gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve të konstatuar me shkelje në rrugë, nuk kanë qenë më pak të ashpra.
Osmani thotë se: Ne kemi marrë veprime të herë pas hershme për të ndëshkuar të gjithë ata drejtues mjetesh që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe lëvizin me automjete të cilat nuk kanë dokumentacionin e duhur".
Vetëm gjatë periudhës janar - maj 2009 janë prerë nga efektivët e Rrugores, më tepër se 95 431 fletë gjobash nga blloqet e tyre në adresë të drejtuesve të konstatuar me shkelje në dokumentacion, apo me në qarkullim.
"Gjobat janë vënë si për mosrespektim të normave të shpejtësisë, për mos vendosje të rripit të sigurimit, shkelje të sinjalistikës rrugore apo shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Numri i patentave të bllokuara gjatë kësaj periudhe ka njohur një rritje të konsiderueshme duke u bllokuar 968 copë, deri 10 ditë më parë që nga janari. Ndërkaq, gjatë kësaj periudhe, numri i tyre ka kaluar mbi 1 mijë të tilla të pezulluara.
"Policia Rrugore do ketë në shenjestër dhe automjetet që lëvizin pa dokumentacionin e duhur. Për këtë peridudhe janë bllokuar rreth 360 automjete për mungesë dokumentacioni në të gjithë Qarkun e Tiranës,- thotë kryekomisar Osmani.
Ky i fundit që prej katër muajsh drejton komisariatin e Policisë Rrugore, duke zëvendësuar në këtë detyrë Krenar Ahmetin.
Kreu i qarkullimit shprehet se masat do të vijnë duke u ashpërsuar për ata drejtues automjetesh që kapen me shkelje kryesisht ndaj atyre që kanë tendencë shpejtësinë, shkeljen e sinjalistikës rrugore, mbajtjen e rripit të sigurimit, dhe probleme të tjera të vërejtura.
"Nisur nga fakti se sot mosrespektimi normave të shpejtësisë së lejuar dhe i sinjalistikës, janë burimi kryesor i aksidenteve në Qarkun e Tiranës, në vëmendjen tonë do të jetë dhe sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve dhe personave të tjerë që udhëtojnë në një makinë, për të vendosur rripin e sigurimit si dhe ndëshkimi i atyre që nuk e vendosin,- shprehet kryepolici Osmani.
Kontrolli për vendosjen e rripit të sigurisë këto ditë është shoqëruar me një numër të lartë gjobash, ku vetëm në një ditë të javës që sapo u mbyll janë vendosur reth 600 gjoba për mos vendosjen e rripit të sigurimit.
Kujdes me kaskën mbrojtëse, gjobitesh
Edhe pse ka kaluar fare pak kohë nga mbërritja e tij në Tiranë, ritmi i kontrollit të mjeteve dhe menaxhimit të trafikut duket se është i lartë.
Sipas Osmanit, shqetësim mbetet mospërdorimi i kokores mbrojtëse nga drejtuesit e ndryshëm të kategorisë së motoçikletave, për shkak se mosmbajtja e saj i rrezikon jetën drejtuesit dhe udhëtarit. Sipas tij, për këtë shkak janë janë vendosur vetëm në një javë rreth 160 gjoba administrative në masa të ndryshme.
Rritet arkëtimi i gjobave
Komisar Artan Osmani deklaron se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është rritur arkëtimi i gjobave me 15 % më shumë.
Osmani pohon se vërehet një rritje e numrit të të ndëshkuarve që i shlyejnë detyrimet e tyre ndaj shtetit brenda afatit të parashikuar në ligj, duke sjellë në këtë mënyrë edhe rritjen e të ardhurave.
95 400 gjoba janë vendosur për periudhën janar- maj 2009 nga policia Rrugore e Tiranës, gjatë kontrolleve të kryera prej saj për ndëshkimin e kundravajtësve të ndryshëm
1100 leje drejtimi së paku janë bllokuar nga efektivët e policisë rrugore të Tiranës, për shkak të shkeljeve të konstatuara prej punonjësve të saj në terren.
360 automjete janë bllokuar, nga policia e komisaritit të qarkullimit rrugore të kryeqytetit që prej fillimit të këtij viti, për shkak të mungesë së dokumentacionit apo problemeve të tjera
160 masa administrative janë marrë nga efektivët e policisë rrugore vetëm në një javë ndaj drejtuesve të motoçikletave të kategorive të ndryshme që janë konstatuar pa kaskën mbrojtëse