E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon heqjen e imunitetit, duke ndryshuar Rregulloren e Kuvendit



Eljona Ballhysa
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në kulmin e debatit politik për korrupsionin qeveritar, rinxjerr edhe njëherë tezën e hershme të PD-së për heqjen e imunitetit të deputetëve për rastet e korrupsionit. Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri u ka kërkuar deputetëve demokratë që të hartojnë një deklaratë, të cilën duhet ta firmosin të gjithë, për lënien në mënyrë vullnetare të imunitetit të deputetit. Madje Berisha tha se për këtë duhet parë mundësia e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit. Pritet që kjo nismë e PD-së të rihapë edhe njëherë debatin pozitë-opozitë përsa i përket çështjes së imunitetit. Kjo për faktin se imuniteti i deputetit është një e drejtë kushtetuese dhe, si e tillë, nuk mund të hiqet apo kufizohet vetëm nëpërmjet një deklarate vullnetare, apo nëpërmjet ndryshmeve në Rregulloren e Kuvendit. Opozita është shprehur kundër këtij qëndrimi të PD-së, ndërkohë që pritet një nismë e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës.
Imuniteti
Duke iu referuar kërkesave që rrjedhin nga raport-opinioni i KE-së, kreu i qeverisë e cilësoi problem serioz mbajtjen e imunitetit të deputetëve, duke thënë se heqja e tij është kërkesë e ndërkombëtarëve. “Ka një problem serioz, që e kërkon komisioni dhe unë e konsideroj shumë të drejtë dhe kjo maxhorancë e ka konsideruar gjithmonë shumë të drejtë çështjen e imunitetit. Zoti kryetar i Grupit Parlamentar, bashkë me Komisionin e Ligjeve do të përgatitni deklaratën tip që ne ta firmosim. Secili prej nesh, duke filluar nga unë, të gjithë anëtarët e kësaj maxhorance, ta depozitojnë në Parlament, të bëjmë ndërhyrjet e nevojshme në Rregulloren Parlamentit, nëse është e duhur”, - është shprehur kryeministri Berisha. Ai tha se kjo nismë është zbatuar edhe në Republikën Federale të Gjermanisë. “Të adaptojmë një standard, të cilin e praktikon vendi më i madh i Bashkimit Europian, Republika Federale Gjermane, prej shumë e shumë vitesh, për shkakun e vetëm që nuk kanë bërë ndërhyrje në Kushtetutë, por të përdorin këtë praktikë. Le ta marrim ne këtë shembull, t’i rikthemi atij dhe ne të garantojmë se nuk do të ketë asnjë lloj imuniteti për problemin e korrupsionit dhe krimit të zakonshëm, për çështjet e tjera, është procedurë tjetër”, - është shprehur Berisha. Ai e ftoi opozitën të tregojë vullnet për këtë çështje, ndërsa theksoi se në rast se opozita paraqet kërkesë për ndryshime në Kushtetutë, maxhoranca është e gatshme t’i votojë këto ndryshime. “Në rast se opozita dëshmon vullnet për të bërë ndryshimet e duhura kushtetuese apo ligjore, ne jemi të gatshëm që nesër t’i bëjmë ato në interesin më të mirë të vendit”, - tha kryeministri. Berisha më tej iu referua imunitetit të gjyqtarëve, ndërsa i kërkoi ministrit të Drejtësisë që ta shtrojë për diskutim këtë çështje në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryeministri propozoi që edhe për gjyqtarët dhe prokurorët të ndiqet po e njëjta procedurë për heqjen e imunitetit duke firmosur një deklaratë personale. “Gjykoj që secili prej tyre, mbi bazën e një deklarate, mund të japin një zotim të tillë”, - është shprehur Berisha.

Ngjela: “PS-ja do të kërkojë abrogimin e nenit 73 të Kushtetutës”

Vetëm pak ditë më parë, politikani dhe avokati Spartak Ngjela ka shpjeguar se asnjë deputet nuk mund të heqë dorë nga imuniteti pasi kjo është e drejtë kushtetuese. Ai tha se vetëm nëpërmjet abrogimit të nenit kushtetues mund të hiqet imuniteti i deputetëve. Nga ana tjetër, Ngjela tha se Partia Socialiste do të bëjë kërkesë në Kuvend që të hiqet ky nen i Kushtetutës. “Nuk ka heqje dorë nga imuniteti. Imuniteti është nen kushtetues, neni 73, fraksion 2. I bëj thirrje dhe do t’i kërkojmë Grupit Parlamentar të PS-së të iniciojë në Parlament abrogimin e këtij neni. Të gjitha të tjerat janë gënjeshtra. Nuk ka prokurori që pranon shkeljen e Kushtetutës me vullnetin tënd. Nga asnjë e drejtë kushtetuese nuk hiqet dorë. Le ta abrogojnë nenin 73, pika 2, të Kushtetutës. Ai është seriozitet, të gjitha të tjerat tregojnë frikë”, - është shprehur avokat Ngjela.

Kushtetuta
Neni 73
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.

Komisioni i Venecias, kufizimi i imunitetit dhe modeli gjerman

Sapo erdhi në pushtet PD-ja hartoi projektligjin “Për kufizimin e imunitetit të deputetëve” për rastet e krimeve korruptive dhe abuzimit me detyrën. Ky projektligj u dërgua menjëherë për opinion në Komisionin e Venecias, që është organ këshillimor për çështjet ligjore i KE-së. Opinioni mbërriti nga Venecia në mars të vitit 2006, duke “rrëzuar” draftin e PD-së. Sipas Komisionit të Venecias, imuniteti parlamentar është dizajnuar që të mos e lejojë pushtetin ekzekutiv dhe shumicën parlamentare që ta pengojnë Parlamentin në funksionet e tij normale dhe veçanërisht duke dobësuar opozitën me hetime selektive. Imuniteti parlamentar është një element i rëndësishëm i organizmit të institucioneve të mbikëqyrura nga Kushtetuta dhe ka të bëjë edhe me pozicionin e Parlamentit në kornizën kushtetuese dhe me marrëdhëniet e tij me pushtetet e tjera të shtetit. Prandaj Komisioni i Venecias ka hedhur dyshime nëse vërtet ekziston një nevojë urgjente në Shqipëri për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Komisioni i Venecias ka sqaruar më tej se Parlamenti ka të drejtë t’ia heqë imunitetin çdo deputeti të tij, sepse imuniteti nuk është një privilegj privat i deputetit, por një rregull për të mbrojtur vetë Parlamentin dhe funksionimin e tij normal. Prandaj edhe Kushtetuta e Republikës i njeh Kuvendit të drejtën të heqë imunitetin për secilin nga anëtarët e tij. Përsa i përket praktikës që ndiqet në Bundestagun gjerman për heqjen e pjesshme të imunitetit për të gjithë periudhën e mandatuar parlamentare, Komisioni i Venecias argumenton se edhe Gjykata Kushtetuese në Gjermani nuk ka mundur akoma të vendosë nëse kjo praktikë është me të vërtetë kushtetuese. “Dyshimet bazohen pjesërisht në shqetësimin se heqja e përgjithshme e imunitetit mund të ndikojë në punën e Parlamentit, sepse mund të lejojë hetime selektive, arbitrare ose edhe politikisht të motivuara”, - thuhet në opinionin e Venecias. Ndaj dhe sugjeron që çështja të shqyrtohet me seriozitet dhe në kontekstin shqiptar, sepse në Gjermani, krejt ndryshe nga Shqipëria, ekzistojnë masa mbrojtëse dhe, mbi të gjitha, një drejtësi shumë më e pavarur që mbron deputetët nga hetime selektive me motive arbitrare.

Talio

Qëndrimi
Më 25 janar, Presidenca hungareze e BE-së publikon objektivat

Delegacioni i Presidencës hungareze të Bashkimit Europian në Shqipëri do të publikojë më 25 janar objektivat dhe prioritetet për gjashtë muajt në vijim. Pritet që gjatë kësaj konference ambasadori hungarez të paraqesë dhe një qëndrim të BE-së për situatën e ndezur politike në Shqipëri.
Gjatë ditës së djeshme, krerët më të lartë të shtetit kanë zhvilluar takime me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në vendin tonë, Sandor Molnari. Gjatë bisedës me ambasadorin hungarez, presidenti Topi ritheksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është prioritet parësor i politikës së jashtme shqiptare. Po ashtu, Presidenti i Republikës nënvizoi angazhimin e shtetit shqiptar për bashkëpunim të plotë me Presidencën hungareze dhe delegacionin e BE-së në Tiranë, me synim përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në këtë kontekst, kryetari i shtetit shprehu besimin në angazhimin e plotë të Presidencës hungareze për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE. Nga ana e tij, ambasadori hungarez, Molnari, shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin e Republikës me rastin e paraqitjes së këtij programi, duke nënvizuar mbështetjen e Presidencës hungareze në aspiratën eurointegruese të Shqipërisë dhe të vendeve të rajonit. Ndërsa kryeministri Berisha shprehu bindjen e thellë se Presidenca hungareze e BE-së do të jetë e suksesshme në realizmin e detyrave që i ka vënë vetes, si për promovimin e prioriteteve të rëndësishme të axhendës së BE-së, por edhe për tejkalimin e sfidave, në veçanti për kapërcimin e vështirësive dhe pasojave të krizës ekonomiko-financiare. Gjatë këtij takimi, ambasadori hungarez i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë dhe të Presidencës hungareze për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.

18 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›