Targat e reja, shpërndarja nis në javën e parë të shkurtit
Ervin KOÇI
Brenda pak javësh do të nisë vendosja e targave të reja, të cilat plotësojnë standardet europiane. Fillimisht targat do të vendosen tek të gjitha automjetet dhe mjetet që do të hyjnë në qarkullim në Shqipëri. Në Drejtorinë e Shërbimit të Transporteve sqarojnë se targat e reja do të shmangin dhe abuzimet me mjetet e vjedhura, apo përdorimin e targave në disa lloje mjetesh. "Aplikimi me targa të reja do të fillojë shumë shpejt, bëhet fjalë për fillimin e muajit shkurt, për pak ditë sa të përfundojë procedura e tenderimit të targave. Fillimisht targat e reja do të aplikohen vetëm për personat që bëjnë targime të reja, ndryshojnë pronësinë, ose për persona të cilët kanë dëshirë. Vlera e targës do jetë e njëjtë siç ka qenë deri sot. Janë rreth 24 lloje targash dhe kanë ndryshuar të gjitha modelet e targat",- tha Kozeta Gina, drejtore e Drejtorisë së Informacionit në DPSHTRR-ë. Targat e reja do të përmbajnë dy germa, tre numra dhe sërish dy germa. Në to nuk do të specifikohet se në cilin rreth të Shqipërisë është targuar mjeti. Po kështu, targa do të përmbajë një shqiponjë blu me siglën “AL”, si dhe vitin e hyrjes së mjetit në vendin tonë.
Targat e reja
Brenda pak kohësh, sektori përkatës i targave në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor pritet që të nisë punën për shpërndarjen e targave të reja, të cilat do të aplikohen te mjetet e të gjitha llojeve që janë në qarkullim. Këto përfshijnë makinat e vogla, mikrobusët, autobusët, kamionët, motorët, çiklomotorët etj. Në ndryshimet e bëra listohen të gjitha mjetet e të gjitha shërbimeve, përfshirë edhe mjetet e përdorimit privat, shtetëror, mjetet taksi, ato të shërbimit diplomatik, të transportit të brendshëm dhe atij TIR, mjetet në përdorim të bujqësisë etj. “Stema zyrtare (emblema), të cilën duhet të mbajnë në të majtë targat e çdo tipi, paraqet sfondin me ngjyrën e flamurit të BE-së, blu, mbi të cilën vendoset shqiponja dhe simboli Al me ngjyrë të bardhë”, - thuhet në vendim. Sipas tij, “në të djathtë të targës, opsionale, sfondi me ngjyrën e flamurit të BE-së, blu, mbi të cilën vendoset viti i parë i regjistrimit në Republikën e Shqipërisë (brenda një rrethi të bardhë) dhe shenja e ndarjes administrative me ngjyrë të bardhë”.
Shkaqet
Numri i mjeteve në qarkullim është shumë i madh, aq sa janë përdorur thuajse të gjitha germat e rendit alfabetik në përcaktimin e targës. Duket se kjo ka qenë një nga motivet e para për hedhjen në qarkullim të targave të reja. Po ashtu, në vendimin e miratuar dje janë përcaktuar edhe standardet që kanë vendet e BE-së për targimin e mjeteve që janë në qarkullim. Por, përtej gjithë kësaj, poseduesve të të gjitha mjeteve tashmë do t’u duhet që të paguajnë taksën e re për makinën e tyre, e cila është një shumë fikse që paguajnë qytetarët në momentet që marrin në përdorim një mjet.
Tab//////////////////////////
PËRMASAT E TARGAVE
a) Shenja e identifikimit për çiklomotorët:
- formati 130 x 115 mm, figura III.3/1.
b) Targat e regjistrimit për motomjetet:
- formati 212 x 205 mm, figura III.3.
c) Targat e regjistrimit të mjeteve të tjera me motor dhe për rimorkiot, përjashto ato të pikës “a” dhe “b”:
- formati 520x112 mm, figura III.4/1;
- formati 264 x 205 mm, figura III.4/2.”.
MJETET QË TARGOHEN
a) Targat e mjeteve rrugore vetëlëvizëse, buxhetore dhe private: sfondi i bardhë,
shkronjat dhe numrat të zeza, (figurat III.4/1.a, III.4/2.a dhe III.3/a);
b) Targat e mjeteve rrugore në shërbimin taksi: sfondi i verdhë, shkronjat dhe numrat të kuq. shenja dalluese T (Taksi), (figurat III.4/1.b dhe III.4/2.b);
c) Targat e mjeteve rrugore të përkohshme: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të kuq, shenja dalluese PRK (Përkohshme), (figurat III.4/l.c, III,4/2.c dhe III.3/c);
ç) Targat e mjeteve rrugore të trupit diplomatik: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të gjelbër, shenja dalluese CD (Trup Diplomatik), (figurat III.4/1.d, III.4/2.d dhe III.3/d);
d) Targat e mjeteve rrugore të shërbimit të trupit diplomatik: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të gjelbër, shenja dalluese TR, (figurat III.4/1.e, III.4/2.e dhe III.3/e);
dh) Targat e mjeteve rrugore të policisë: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat blu, shenja dalluese MB (Ministria e Brendshme), (figurat III.4/1.ë, III.4/2.ë dhe III.3/ë);
e) Targat e mjeteve rrugore në provë: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të kuq, shenja dalluese PROV, (figurat III.4/l.f, III.4/2.f dhe III.3/f);
ë) Targat përsëritëse: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të kuq, (figurat III.4/l.g, III.4/2.g dhe III.3/g);
f) Targat e makinave bujqësore: sfondi i gjelbër, shkronjat dhe numrat të bardhë, shenja dalluese MB (Makinë Bujqësore), (figurat III.4/l.h dhe III.4/2.h);
g) Targat e makinave teknologjike: sfondi i gjelbër, shkronjat dhe numrat të bardhë, shenja dalluese MT (Makinë Teknologjike), (figurat III.4/l.i dhe III.4/2.i);
gj) Targat e rimorkiove, buxhetore dhe private: sfondi i gjelbër, shkronjat dhe numrat të bardhë, shenja dalluese R (Rimorkio), (figurat III.4/l.j dhe III.4/2.j);
h) Targat e rimorkiove bujqësore: sfondi i gjelbër, shkronjat dhe numrat të bardhë, shenja dalluese RB (Rimorkio Bujqësore), (figurat III.4/l.k dhe III.4/2.k);
i) Targat e rimorkiove teknologjike: sfondi i gjelbër, shkronjat dhe numrat të bardhë, shenja dalluese RT (Rimorkio Teknologjike), (figurat III.4/l.l dhe III.4/2.l).”.
Shkurt
Vlorë, biznesi i vogël pa kasa fiskale, përgjegjësia e bashkisë
Nga 100 deri në 500 mijë lekë është gjoba për aktivitetin e biznesit të vogël që nuk është pajisur me kasën fiskale. Drejtoi i Tatimeve në qytetin e Vlorës, Roland Haskaj bën të ditur se pajisja me kasa për biznesin e madh ka përfunduar ndërsa biznesi i vogël është shumë mbrapa me këtë proces. "Çdo subjekt që ka detyrimin për tu pajisur me kasë fiskale dhe nuk është pajisur akoma, është objekt penalizimi nga administrata tatimore, dhe direkt penalizohet me 100 mijë lekë të reja. Nëse pas 15 ditësh përsëri nuk është fiskalizuar, nuk është pajisur me kasë fiskale, detyrimi tjetër është 500 mijë lekë të reja. Dhe pas 15 ditësh të tjera nuk është pajisur përsëri me kasë fiskale mbyllet në mënyrë të detyruar",- tha drejtori Haskaj. Meqënëse afati i pajisjes me kasa fiskale për biznesin e vogël ka përfunduar, drejtori Haskaj iu bën thirrje bizneseve që janë nën juridiksionin e bashkive Himarë, Orikum dhe Selenicë të vënë në përdorim kasat, si një mënyrë për transparencën e plotë të aktiviteteve të tyre, duke bërë të mundur shmangien e masave administrative të parashikuara për kundërvajtësit.
Regjistrimi i bizneseve, Lushnja regjistron mbi 4000 të tilla
Drejtoria e Statistikave në Lushnjë ka përfunduar regjistrimin e të gjitha bizneseve brenda 40 ditëve, ku 71 punonjësit e angazhuar kanë arritur të regjistrojnë bizneset e fjetura, aktive dhe ato jo bujqësore. Nga anketimi janë regjistruar mbi 4000 biznese dhe të dhënat do t’i dërgohen INSTAT-it në Tiranë. Sipas drejtorit të Statistikave në Lushnjë, Bajram Dingozit, për të përfunduar në kohë këtë proces, çdo komunë e bashki, vuri në dispozicion të anketuesve një punonjës të degës së Tatimeve, duke lehtësuar punën në terren. Për herë të parë, regjistrimi i bizneseve saktësoi aktivitetin ekonomiko-tregtar të individëve, si dhe adresën e çdo biznesi. Ky proces, i cili është shtrirë në të gjithë vendin, do t’i hapë rrugën procesit të regjistrimit të popullsisë dhe të banesave që do të nisë në muajin mars të këtij viti.
18 Janar 2011