Parlamenti zbret në rrugë
Eljona Ballhysa
Sesioni i ri parlamentar ka nisur dje me tensione dhe debate të ashpra parlamentare mes pozitës dhe opozitës. Seanca e djeshme është ndërprerë jo pak, por disa herë për shkak të akuzave që kryeministri Berisha ka bërë ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, gjë që ka sjellë dhe reagimin e deputetëve të PS-së. Akuzat e Berishës janë nxitur nga videoja Prifti-Meta. Ai e ka akuzuar Ramën si montator të videos, por më pas ka përsëritur akuzat personale ndaj kreut të PS-së që sipas Berishës ka mohuar djalin e tij dhe se e ka nxjerrë bashkëshorten lakuriq. Këto akuza kanë sjellë reagim të ashpër të deputetëve të opozitës, të cilët janë ngritur nga karriget, por kjo ka sjellë ndërprerjen disa herë radhazi të seancës së djeshme parlamentare.
Debatet
Seanca e djeshme startoi që në fillim me një debat mes kryeministrit Berisha dhe deputetit Taulant Balla. Ai e akuzoi Ballën si përfaqësues të klanit Gjura. “Ulu, Taulant Gjura! Je përfaqësues i klanit Gjura. Ik, ore qelbanik!” - i është drejtuar Berisha Ballës, duke krijuar tension që në minutat e parë. Kjo solli ndërprerjen e parë të seancës. Më pas Berisha replikoi disa herë me radhë me kryetarin e Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, të cilin e akuzoi se është larguar nga Shqipëria me minifund. “Je larguar nga Shqipëria me rroba grash. Të ka denoncuar kryetari yt. Ta kishte bërë ndonjë tjetër i shkonte, po ti me rroba grash! Nuk të dimë për të atillë. Këlyshët e Bllokut dhëmbë nuk kanë, lehin po nuk të kafshojnë”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa kreu i Grupit të PS-së i kujtoi Berishës ofertën e fundit të opozitës që të largohet sa më parë nga karrigia e kryeministrit që të mos të zhytet, sipas Ruçit, me llum deri në fyt. Më tej, gjatë fjalës së tij, kryeministri kaloi në akuza personale ndaj Ramës, duke sjellë një reagim të ashpër të deputetëve socialistë. “Pak ditë më parë, kryetari juaj shfaqi një video. Me çakallin e tij e kishte bërë siç donte ai. Kishte montuar një pjesë që thoshte: ‘kryeministri, direktivë për tenderin’. Kam ndjerë një kënaqësi të madhe. Pse? Sepse kur ta bën këtë ai që ka akuzuar të atin për baba të djalit të tij, që ka paditur të atin, Kristaq Ramën, në gjykatë dhe s’ka pranuar të bëjë analizën...”, - ka deklaruar Berisha. Të indinjuar, deputetët e opozitës janë ngritur në këmbë dhe janë drejtuar pranë vendit ku ulet kryeministri. Rojet e Gardës janë vendosur në radhë për të shmangur ndonjë degradim të situatës, ndërsa kryetarja Topalli ka ndërprerë seancën.
Por, edhe pas rifillimit, Berisha nuk ka hequr dorë nga akuzat e ngjashme. Ai u kërkoi deputetëve socialistë që të zhvishen lakuriq nëse mbështesin atë që ka bërë kryetari i tyre. “Dilni lakuriq! Lakuriq dilni! Atë nuk e zhvesha unë, po u zhvesh vetë. Ky është kryetari juaj. Kur i tha djalit të vet se je i Kristaqit... Imitojeni edhe ju atë. Ikni more legena aty...”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Opozita
Ndërsa kryetari i Grupit të PS-së, Ruçi, gjatë fjalës së tij, i bëri Berishës ofertën e fundit të opozitës që të largohet sa më parë nga posti që mban dhe t’i hapë rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend. “Një këshillë kisha për ju zoti kryeministër në ikje. Bëja të lehtë vetes fundin. Ti e di më mirë se cilido se ç’do të thotë të bësh të kundërtën. Oferta jonë e fundit është ik, largohu dhe hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Kjo është oferta jonë e fundit. Ke vetëm një alternativë të mundshme: ta pranosh dhe të mos e vonosh atë”, - është shprehur Ruçi.
Debati Berisha-Ruçi
Gramoz Ruçi:
“Një këshillë kisha për ju, zoti kryeministër në ikje. Bëja të lehtë vetes fundin. Ti e di më mirë se cilido se ç’do të thotë të bësh të kundërtën. Oferta jonë e fundit është: ik, largohu dhe hapi rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe të ndershme. Kjo është oferta jonë e fundit. Ke vetëm një alternativë të mundshme: ta pranosh dhe të mos e vonosh atë”.
Sali Berisha:
“Zoti Ruçi, këlyshët e Bllokut lehin dhe nuk të hanë, zogjtë e bunkerit nuk fluturojnë. Me rroba grash ia ke mbathur ti që flet këtu. Je larguar nga Shqipëria me rroba grash. Të ka denoncuar kryetari yt. Ta kishte bërë ndonjë tjetër, i shkonte, po ti me rroba grash! Nuk të dimë për të tillë. Pse i veshe, puna jote. Këlyshët e Bllokut dhëmbë nuk kanë, lehin po nuk të kafshojnë”.
Gramoz Ruçi:
“Ruaje qetësinë kryeministër. Mos mendo se atë ditë që kam ikur nga Shqipëria kam ikur nga ti. Të kam qëndruar dhe do të të qëndroj ballë për ballë, pavarësisht nga kalecët e tu që më kërcënonin mua dhe gjithë opozitën në atë kohë. Jam veshur me kostum si sot, se ata kalecë nuk dinin as të bënin detyrën e tyre. Është varfëri kjo replikë që bëre tani. Tregon pikërisht atë që thashë, që je në ikje. Ik një ditë e më shpejt që të të ngelet emri. Ik e hapi rrugën zgjedhjeve të lira. Ik sa s’të ka vajtur llumi në fyt”.
Sali Berisha:
“Këlyshët e Bllokut dhëmbë nuk kanë, lehin, por nuk kafshojnë. Zotëria ia ka mbathur me minigomë nga Shqipëria, me aq të shkurtra, sa nuk vishen. E ka thanë zoti Nano këtë”.
Gramoz Ruçi:
“Do të të jap numrin e telefonit të një profesori të nderuar në Amerikë. Më tha se nëse Berisha ju akuzon si bllokmenë, thojini se Sali Berishsa nuk është bllokmen, por bllokqen”.
Sali Berisha”
“Veçse nxore fytyrën siç e ke. Provoje! As më rroba grash nuk do të ikësh dot. Ike me rroba grash se të lashë unë. Se kur të pashë ashtu, thashë fale. Se kemi një traditë ne. Shfrytëzove më të vjetrën traditë të kombit tim, gratë nuk preken. Se të shtija oficerët me të kontrollue, por thashë lëre”.
Qëndrimi
Meta: “Drejtësia do të nxjerrë në pah montimin monstruoz”
Kryetari i LSI-së, ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta, tha se Drejtësia do të nxjerrë së shpejti në pah montimin e videos të bërë sipas tij nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Gjatë fjalës së mbajtur dje në seancë parlamentare, Meta e akuzoi Ramën për përgjimin dhe për një sërë përpjekjesh të bëra për të blerë deputetë për të rrëzuar qeverinë. “Nuk mund të mos flas përpara jush dhe përpara qytetarëve lidhur me një video monstruoze të paraqitur pak kohë më parë në një media, e cila vetëm në më pak se 24 orë u detyra të përgënjeshtrojë se nuk ishte e plotë. Një përgjim i paligjshëm dhe kriminal, dhe jo vetëm kaq, por edhe një montim kriminal, ku në vendin tim flisnin titrat e porositura. Më vjen keq për ju që jeni kthyer nga koha e regjimit të kaluar duke i bërë njerëzit fajtorë pa fakte dhe të bëni gjyqe politike, por me mua nuk e bëni dot. Unë nuk merrem me sulmet tuaja, me montimet tuaja. Unë merrem me ligjin dhe drejtësinë, dhe ky proces juridik ka nisur dhe do të jetë i pashembullt”, - është shprehur Meta. Duke iu drejtuar opozitës, Meta tha se është për të ardhur keq që PS-ja merr si dëshmitar Dritan Priftin, i cili e akuzoi Ramën si përdorues kokaine. “Është për të ardhur keq që ju përdorni si dëshmitar njeriun që ka akuzuar publikisht kryetarin e partisë suaj se e ka parë duke pirë kokainë”, - tha Meta, ndërsa theksoi se montimi i videos do të provohet deri në fund dhe se “autorët e këtij montazhi të paligjshëm do të përgjigjen deri në fund, sepse askush nuk mund ta kthejë Shqipërinë në vendin e përgjimeve dhe të spiunëve”. Më tej, ish-ministri i Ekonomisë bëri publike disa dokumente që, sipas tij, vërtetonin se kompania që ai ka mbrojtur në video kishte fituar gjyqin e Apelit për të marrë koncesionin e hidrocentralit. Më tej Meta tha se i gjithë montazhi është bërë pasi opozita ka frikë nga 8 maji. Ai tha se PS-ja është përpjekur të blejë deputetë që të rrëzojë qeverinë. “Ju kërkonit të rrëzonit një qeveri legjitime. Di shumë deputetë këtu që ju i keni bërë oferta për të rrëzuar qeverinë dhe për të ndërtuar një qeveri të krimit të organizuar”, - është shprehur Meta.
Maxhoranca miraton dy ministrat e rinj, Haxhinaston dhe Naçon
Pas dekretimit dje në mesditë nga Presidenti i Republikës së dy ministrave të rinj, gjatë seancës së djeshme maxhoranca ka votuar në Kuvend për dy propozimet e reja të LSI-së. Maxhoranca miratoi emërimin e Edmond Haxhinastos në postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa Nasip Naço në postin e ministrit të Ekonomisë. Deputetët miratuan edhe shkarkimin e Ilir Metës nga posti i zëvendëskryeministrit, njëkohësisht dhe postit të ministrit të Ekonomisë.
18 Janar 2011