Kuvendi ngre sot KQZ-në e re
Kuvendi pritet të miratojë sot në seancën e pasdites emrat e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Janë plot dhjetë emra për anëtarë dhe kryetarë të këtij institucioni dhe vetëm 7 prej tyre do të mund të kalojnë provën. Paraprakisht, paraditen e sotme pritet që të mblidhet Komisioni i Çështjeve Ligjore për të miratuar të gjitha propozimet e ardhura për t’i dhënë fund këtij procesi në seancën parlamentare. Katër kandidatë, Dëshira Subashi, Artan Laze, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmani do ta kenë më të lehtë dhe konfirmimi i tyre do të jetë formal, pasi janë propozime të dy partive të mëdha dhe bashkimi i votës së tyre për këta katër kandidatë nuk do të sjellë asnjë surprizë.
Njëkohësisht, pritet miratimi i anëtarit të pestë dhe të gjashtë; në garë janë katër kandidatura, dy nga PR-ja dhe dy nga PSD-ja, dhe në votim hyjnë minimalisht dy kandidatë nga secila palë, bazuar tek numri i firmave që ka mbledhur. Megjithatë, neni 14 i Kodit Zgjedhor parashikon se nëse ndonjë kandidat tjetër arrin të sigurojë firmat e nevojshme, lejohet të hyjë në garë si dy anëtarët e tjerë. Sa për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë dy kandidatura të propozuara nga partia më e madhe mazhorancës, Arben Ristani si dhe Albana Vokshi. Vota e PD-PS-së për këto kandidatura mbetet enigmë pasi duhet ta votojnë të dyja partitë. As PD-ja dhe as PS-ja s’e kanë deklaruar votën se kush do të jetë i preferuari i tyre. Duket se do të jenë mbledhjet e grupeve parlamentare të mesditës së sotme të dy partive që do të japin vendimet përfundimtare. PD-ja bëri katër propozime për kreun e KQZ-së mes të cilave ishte edhe emri i kryetarit aktual, Çlirim Gjata, emër që u rrëzua nga PS-ja. Pas zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të KQZ-së mbetet zgjedhja e zëvendëskryetarit. Kjo bëhet në një mbledhje të KQZ-së, në një votim mes anëtarëve, por sipas ligjit, ky post i takon partisë më të madhe të opozitës. Tanimë KQZ-ja do të reduktohet. Aktualisht ajo ka 9 anëtarë dhe tani shkon në shtatë. LSI-ja dhe PDK-ja janë dy partitë që e kanë kontestuar këtë formulë të re të KQZ-së, formulë që i përjashton nga prania në këtë institucion. Të dyja këto parti nuk tentuan për të mbledhur firmat për të siguruar anëtarin në KQZ, pasi emri duhet të marrë miratimin e partisë më të madhe të opozitës apo të mazhorancës. Emrat, tanimë zyrtarë, u përzgjodhën pas disa negociatash mes dy partive të mëdha. Respektivisht, secila prej tyre paraqiti katër emra, duke rrëzuar dy dhe duke pranuar dy të tjerë. Ndërsa kryetari i KQZ-së, në bazë të nenit 15 të Kodit Zgjedhor, i takon partisë më të madhe të mazhorancës. Detyra e parë e tij pas votimit do të jetë ngritja e infrastrukturës elektorale që do të nisë me ndarjen e zonave elektorale.