E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha këshillohet të mbetet në Viking

Trajneri i ekipit norvegjez Viking, Age Hareide, mendon se Valon Berisha ka bërë ‘boom’ kohëve të fundit, por norvegjezi është i bindur se talenti kosovar mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.

“Përparimet te ai vetëm se janë vërejtur, mirëpo Valoni ka ende për të mësuar. Nuk ka arsye që ai të vrapojë pas një skuadre më të madhe në një kampionat më të madh. Vikingu mund ta ndihmojë të zhvillohet djaloshin në sezonet e ardhshme”, deklaroi Hareide për mediet norvegjeze.

Hareides i ka rënë të punojë me shumë të rinj, kështu që e di se për 19 vjeçarin është e vështirë të përqendrohet te e tashmja. “Natyrisht, një djalosh i ri nuk mund të koncentrohet vetëm te gjërat e tashme, ngase imagjinon aventura të reja dhe plane për projektet e ardhshme. Por, ai duhet të mundohet të mendojë për eksperiencën e tashme”, shtoi ai.

Shumë njerëz mendojnë se Berisha mund të largohet në një të ardhme të afërt. Menaxheri i tij ka njoftuar se skuadra nga Premierliga angleze janë të interesuara për 19 vjeçarin. Berisha pëlqehet edhe nga FC Copenaghen, por duket se ai është i përqendruar vetëm te Vikingu.

“Unë nuk do t’ia lejoj vetes që të hutohem. Do të mundohem të përmirësohem dita-ditës këtu, duke u bërë lojtar i rëndësishëm dhe duke vazhduar të shkëlqej”, tha Berisha i cili debutoi për Norvegjinë kundër Danimarkës në muajin janar, në një turne që u mbajt në Bangkok të Tajlandës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›