E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha këshillon Ramën: Mos gabo si unë, Ngjela ta hedh partinë në erë



Një sqarim i Kryeministrit Sali Berisha, ndoshta përfundimtar për hapjen e kutive, por i shoqëruar me një këshillë për kundërshtarin politik, Edi Rama. E thënë në një mënyrë krejtësisht të thjeshtë para deputetëve të PD-së: “Mos bëj gabimin tim, duke ia besuar partinë Ngjelës”. Nisur nga fakti që PS-ja ka marrë si avokat Spartak Ngjelën në ankimin e saj për marrëveshjen me Greqinë, Berisha solli në vëmendje një bashkëpunim të hershëm mes tij dhe avokatit. Kryeministri iu referua pikërisht Partisë Kristian-Islamike të krijuar në vitin 1991 me themelues Edi Ramën dhe Spartak Ngjelën. Madje, edhe një rast tjetër, duke i ardhur në ndihmë kryesocialistit Edi Rama që mos të ecë në gabimet e tij. “E nisa avokatin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një proces zgjedhor. Atje e priti një personalitet ndër më kryesorët e Partisë Republikane dhe mik imi, që punonte në Shtëpinë e Bardhë. Për ta nderuar, e ftuan për drekë dhe ai i pyet: “Zotërinj, e njihni ju Jefferson-in”. Ata panë njëri-tjetrin dhe i thonë: ‘Po’. “Atëherë e dini, - vazhdoi avokati, - se Jefferson-i thotë se kur preket vota, rrëmbehen armët”. Ata e mbyllën diskutimin dhe më thanë se ç’është ky njeri që na ke dërguar këtu”. Berisha iu drejtua më tej Ramës: “Kështu që, z. Rama, me zotin Ngjela, - shtoi më tej Berisha, - mund të themelosh kiss-in, pra, edhe një kiss bis, por t’i besosh atij avokatinë e PS-së, është absolutisht aventura më e madhe dhe fati më i zi i kësaj partie, qëkur bie në duart e Spartak Ngjelës”. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Sali Berisha e cilësoi të kundraligjshme kërkesën për hapjen e kutive dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Berisha bëri të qartë se në asnjë shtet, asnjë qeveri nuk mund të dalë mbi vendimet gjyqësore, ndërsa shtoi se kërkesa e PS-së u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor dhe “nuk ka mekanizëm tjetër për të plotësuar kërkesën”. Kreu i qeverisë ftoi Ramën që të thërrasë ekspertët më të mirë për të shqyrtuar aktet ligjore dhe kushtetuese të vendit. Kryeministri risqaroi pozicionin e tij lidhur me kërkesën e Partisë Socialiste për të hapur kutitë e votimit për katër qarqe të vendit. Kryeministri argumentoi përpara grupit kuvendor se kjo kërkesë është antiligjore dhe shkel pavarësinë e pushteteve, në këtë rast, të gjykatave. Këtu Kryeministri solli në detaje gjithë procedurën ligjore se kur mund të bëhet numërimi i votave. Sipas Kodit Elektoral, subjektet politike mund të ankohen gjatë procesit të numërimit, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e Partisë Socialiste, komisionerët e së cilës kanë firmosur pa përjashtim procesverbalet e votave të numëruara në KZAZ. “Kërkesa e z. Rama është e paligjshme dhe antikushtetuese, sepse vërtet ne nuk kemi mekanizëm që ta plotësojmë, kjo, sepse vërtet komisionet hetimore ngrihen sipas ligjit, por ky ligj përcakton se komisioni hetimor nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave”, - theksoi z. Berisha. Sipas Kryeministrit, Partia Socialiste i ka konsumuar të gjitha rrugët e apelimit dhe tani kërkon që qeveria të krijojë një gjykatë të lartë për Kolegjin Zgjedhor, gjë e cila nuk mund të realizohet. “Rama u tha shqiptarëve se po rinumërohen votat në Greqi dhe në Afganistan. Jo zoti Rama, janë rinumëruar edhe në Shqipëri votat, por që të gjitha në Afganistan dhe Greqi janë rinumëruar nga piramida e vlerësimit të zgjedhjeve. Shqipëria ka krijuar dy komisione të tjera parlamentare për zgjedhje dhe në asnjë rast arkivat tona nuk kanë hapur qoftë edhe një kuti të vetme, sepse mbi kuti rëndonte vendimi i gjykatave ndaj edhe unë edhe një herë përsëris se Rama është i lirë të protestojë në të katër anët e vendit dhe e siguroj se do të marr të gjitha masat për t’ia garantuar tërësisht protestat, por më mirë sesa të bëjë një kazus të tillë, le t’u thotë shqiptare se në cilin rast komisionet parlamentare janë ngritur kundër vendimit të gjykatave”, - deklaroi Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›