E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Nënë Tereza u lind dhe u rrit si shqiptare



Kryetari i shtetit, Bamir Topi, përdori dje gjuhën diplomatike si kundërpërgjigje nga shtetit indian të cilit i ka kujtuar se Nënë Tereza u lind dhe u rrit si shqiptare. Në këtë mënyrë duket se Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka konfirmuar mbështetjen e tij ndaj kërkesës së Kryeministrit Sali Berisha për kthimin e eshtrave në Shqipëri të Nënë Terezës. Z. Topi zgjodhi mbledhjen e djeshme të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për të bërë një deklaratë të tillë: “Për këto kemi shumë shembuj nga historia jonë dhe ajo e marrëdhënieve fetare. Kemi shembullin e papërsëritshëm të pranimit, strehimit dhe mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kemi shembullin më të rëndësishëm botëror: atë të Nënë Terezës, e cila lindi, u rrit si shqiptare shpirtmadhe dhe u përkujdes për miliona njerëz, pavarësisht feve të cilave ata u përkisnin. Ajo mbolli farën e tolerancës, përkujdesjes njerëzore, humanizmit, pranimit, jo diskriminimit, duke bërë që kjo “vepër kaq e vogël në fillim, por e kryer me një dashuri tepër të madhe njerëzore” kjo gonxhe e mirësisë njerëzore të çelte, të lulëzonte, të rritej e të shumohej anembanë globit për ta bërë botën ku jetojmë më të mirë, më shpresëdhënëse, më të paqtë, më tolerante, ndoshta edhe më pak të vuajtur e më tepër optimiste”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›