Kufiri detar, Berisha: Do të presim vendimin e Kushtetueses
Mazhoranca qeverisëse është e bindur se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë arsye për të rrëzuar marrëveshjen e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndaj do të presë vendimin e saj para se ta ratifikojë Parlamenti. Këtë shpjegim bëri dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, në pjesën pa praninë e medias. Z. Berisha i njohu deputetët demokratë me aspektet e marrëveshjes dypalëshe me Greqinë, duke u bërë të qartë se ajo është një marrëveshje ndërkombëtare, e cila nuk mund të ketë kundërshtues. “Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar, ne nuk dolëm në media për të dhënë detaje, sepse menduam se ishte një çështje teknike. Por, aktualisht, u pa e arsyeshme që ta bënim këtë. Opozita e ka çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi të vendosur të presim vendimin e Kushtetueses. Nuk ka arsye kjo gjykatë që ta rrëzojë, sepse kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që nuk e kundërshton askush. Në të tilla raste janë të sanksionuara rregullat”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri pohoi se për këtë arsye s’do të ketë ngutje të kalimit të marrëveshjes në Kuvend, ndërsa kritikoi qëndrimin e socialistëve lidhur me paktin detar me fqinjët grekë. Pothuajse në mënyrë të përditshme qeveria përmes ministrit të Jashtëm Meta është shprehur e hapur ndaj opozitës për të bërë transparencën e plotë të marrëveshjes me Greqinë për ndarjen e ujërave detare. Qeveria e ka cilësuar të nxituar vendimin e Partisë Socialiste për të çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë dhe Greqisë për caktimin e kufijve detarë, ndërkohë që nuk ka asnjë nxitim të Parlamentit për të ratifikuar marrëveshjen dhe se çdokush që ka ngritur shqetësime apo pretendime, mund t’i verifikojë ato duke ndjekur rrugën institucionale. Sipas ekspertëve, marrëveshja me Greqinë për përcaktimin e shelfit kontinental dhe hapësirës detare mes 2 vendeve nuk i fal apo i rrëmben shtetit fqinj asnjë milje të hapësirës ujore shqiptare. Madje, nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se ka vijë ndarëse mes dy bregdeteve greke dhe shqiptare dhe nuk ka kufi të përcaktuar me koordinata Greqi-Shqipëri. Sipas ekspertëve, debati mediatik është mbështetur në hamendësime dhe se marrëveshja i shërben vetëm forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes 2 vendeve. Marrëveshja konsiderohet shumë e rëndësishme për raportet me Greqinë. Qeveria shqiptare ka ndjekur një sërë etapash, që nga bisedimet e para me palën greke e deri në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes Greqi-Shqipëri. Me datën 9 prill të vitit 1993 u bë propozimi i parë për marrëveshjen ujore me Greqinë nga ministri i Jashtëm i asaj kohe, por kjo çështje u diskutua në mënyrë substanciale vetëm në vitin 2006. Bisedimet nisën pikërisht në vitin 2006 dhe zgjatën deri në vitin 2009, kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja dypalëshe mes dy vendeve fqinje. Vija ndarëse e përcaktuar mes bregdetit shqiptar dhe ishujve grekë nuk gjendet në asnjë dokument. Nuk ka kufi të përcaktuar me koordinata Greqi-Shqipëri. Marrëveshja e vetme është ajo e këtij viti, ku në përcaktimin e kufijve përdoren metoda bashkëkohore.
Kufiri detar, PD në Kuvend: Përputhje me Konventën Ndërkombëtare
PD-ja mbron në Kuvend marrëveshjen detare me Greqinë, duke e argumentuar atë në përputhje të plotë me Konventën Ndërkombëtare. Në seancën e mbrëmshme parlamentare, ku sërish mungonin deputetët e opozitës, deputeti i PD-së, Osman Metalla, gjatë fjalës së tij theksoi se marrëveshja për delimitimin e kufijve detarë përputhet me të gjitha praktikat ndërkombëtare dhe Konventën Detare. "Atakimi që i bëhet kësaj marrëveshjeje, është një sulm që i bëhet interesave të Shqipërisë. Vendosja e kufijve detarë është një element i rëndësishëm strategjik për sigurinë kombëtare", - theksoi deputeti Metalla. Edhe deputetja Mesila Doda konsideroi se asgjë reale nuk ka cenuar tërësinë e kufijve të vendit. "Sot, mund të pohojmë para qytetarëve se asnjë pëllëmbë tokë, det apo ajër i territorit shqiptar nuk i është falur dhe as nuk do t’u falet ndonjëherë fqinjëve apo aleatëve", - theksoi znj. Doda. Deputetët e PD-së u shprehën më tej se debati i fundit për marrëveshjen e ujërave Shqipëri-Greqi ka qenë një abuzim mediatik i mbështetur nga opozita. “Luhet me paditurinë e publikut në përgjegjësi dhe duket se ajo që del në media, është e vërtetë. Nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Deti është ndarë në mënyrë të barabartë”, - tha deputeti Osman Metalla. Kurse deputetja Doda vlerësoi punën e diplomatëve dhe ushtarakëve për këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si korrekte. Ndërkaq, deputetë të tjerë të mazhorancës bënë thirrje që opozita në vijë në Kuvend. Gerti Bogdani tha se raportet e ndërkombëtarëve tregojnë progresin e vendit në procesin zgjedhor. Presioni i shoqërisë civile dhe ekspertëve në lidhje me marrëveshjen e kufijve detarë me Greqinë ka detyruar Kuvendin e Shqipërisë të mos përfshijë në kalendarin 3-javor të punimeve ratifikimin e marrëveshjes. Në seancën plenare, pasditen e së enjtes, Kuvendi vendosi që kjo marrëveshje të mos ishte në axhendën e saj dhe për tri javë të tjera.