Reforma në drejtësi, Topi: Opozita të japë konsensusin
Para gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit, Presidenti Bamir Topi flet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kërkon konsensusin e opozitës për reformën në drejtësi. Sipas tij, reformat në sistemin e drejtësisë kërkojnë një dialog dhe konsensus të gjerë politik. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) u bëri dje thirrje partive politike që të bashkëpunojnë për procesin e reformës në drejtësi. I pranishëm në konferencën "Si të zhvillojmë sistemin e drejtësisë shqiptare drejt standardeve evropiane", që nisi punimet dje në Hotel Tirana në kuadër të projektit të asistencës të financuar nga BE, Presidenti Topi nënvizoi nevojën e detyrimit që klasa politike ka në procesin e reformave në gjyqësor. "Kjo ka qenë dhe arsyeja që edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme politike, kam bërë një apel të drejtpërdrejtë për partitë politike, jo sepse ato nuk e kanë në programin e tyre reformën në drejtësi, por kërkohet një prononcim i qartë dhe elokuent", - theksoi ai. Pasi vuri në dukje se vetëm bashkëpunimi mes forcave politike mund të realizojë ligje për gjyqësorin, Presidenti vërejti se reforma në këtë fushë herë ecën me intensitet dhe herë-herë ndërpritet. "Ka raste kur politika bie dakord brenda 24 orësh për ndryshime shumë të rëndësishme, që mund të konsiderohen procese të karakterit akut dhe me interesa të veçanta, ndërkohë që reforma në gjyqësor kërkon patjetër bashkëpunim të pandërprerë", - theksoi Presidenti Topi, në fjalën e tij gjatë kësaj konference. Sipas tij, reforma në gjyqësor nuk bëhet ndaj gjyqtarëve dhe profesionistëve. Në gjykimin e kreut të shtetit, Bamir Topi, ata nuk janë kundërshtarët e këtij procesi. “Gjyqtarët e të gjitha niveleve duhet të jenë bashkëpunëtorë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të ekspertizës, me klasën politike, pra, në njëfarë mënyrë ne plotësojmë bazën e një procesi legjislativ ku klasa politike, trupa legjislative merr në konsideratë edhe “interesat e grupeve të interesit”, sepse interesi i gjyqtarëve, kudo që janë, është interesi ligjor. Kështu që dhe një herë bëj një thirrje për të gjitha partitë politike t’i rikthehen me vëmendje këtij momenti shumë të rëndësishëm, i cili nuk kërkon fjalë. Ai kërkon kohezion politik, kërkon profesionalizëm, kërkon monitorim”, - theksoi Bamir Topi. Ai vuri në dukje: “Ne kemi shansin që në funksion të këtij takimi t’u referohemi pikërisht atyre objeksioneve që dalin nga progres raporti i publikuar disa ditë më parë, ku në mënyrë të veçantë sillen nota realiste mbi sistemin gjyqësor, mbi institucionet e së drejtës dhe pa dyshim që krahas arritjeve që janë bërë shprehen edhe nota kritike”. Gjatë fjalës së tij, Presidenti theksoi se është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet gjatë për problemet që ka gjyqësori në Shqipëri dhe se nga ana tjetër duhet thënë se është bërë shumë. Topi përmendi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë vërtet është struktura më e rëndësishme që qeveris gjyqësorin, por s’është i vetmi. Ai vuri në dukje se Këshilli edhe nga përbërja është shumëfunksional; dikush vjen nga Parlamenti, dikush vjen nga Konferenca Gjyqësore, dikush ex-officio, por të gjithë së bashku, edhe kur marrim vendime nuk i marrim për të qenë definitivë në ato vendime. Sepse, sipas Topit, disa vendime nga KLD janë kontestuar nga Gjykata e Lartë, ky është treguesi i pavarësisë nga njëra anë, por nga ana tjetër është tregues që këto institucione nuk duhet ta shohin njëri-tjetrin në distancë, këto institucione duhet të bashkëpunojnë, sepse janë disa gjëra të pakontestueshme të cilat vjen rasti dhe kontestohen. Në “Tirana International” ishin dje të pranishëm kreu i përfaqësisë së KE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan, kreu i misionit EURALIUS në vendin tonë, Roland Miklau, ambasadori i Gjermanisë, Bernd Borhardt, si dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, prokurorja e përgjithshme, Ina Rama dhe të tjerë përfaqësues të lartë të institucioneve të drejtësisë nga i gjithë vendi.
Lohan: Drejtësinë opozita ta votojë në Kuvend
Ambasadori i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, apelon për bashkëpunimin institucional të partive, pasi sipas tij, drejtësia nuk është as e mazhorancës dhe as e opozitës. Duke përmendur ligjin e administratës gjyqësore, i cili për t'u votuar në Parlament kërkon një shumicë të cilësuar, Lohan theksoi hapur nevojën e bashkëpunimit politik në Kuvend. “Një marrëveshje e gjerë mes forcave politike për reformën e gjyqësorit është një kusht i nevojshëm për të ecur përpara. Rregullat bazë të lojës, që qeverisin jetën publike dhe private në çdo vend, duhet të burojnë nga një konsensus i gjerë politik. Një gjë e tillë, si sundimi i ligjit, nuk mund të thuhet se i përket mazhorancës apo se sundimi i ligjit i përket opozitës. Prandaj, në logjikën tonë, shumë aspekte të reformës legjislative mund të miratohen vetëm me një shumicë të cilësuar në Parlament. Kjo përforcon nevojën për të vazhduar dhe udhëhequr dialogun politik në Parlament”, - tha ambasadori Lohan. Reforma në sistemin gjyqësor mbetet një nga sfidat e qeverisë shqiptare në kuadër të përmbushjes së standardeve evropiane drejt BE-së.