E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toleranca fetare, Topi: Shqipëria, shembull për vendet e BE-së



Shqipëria do t’i sjellë Bashkimit Evropian shembullin e tolerancës fetare. Këtë bindje shprehu dje Presidenti Bamir Topi gjatë ceremonisë së hapjes së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, ku krahas sigurisë për një integrim të shpejtë, foli dhe për vlerat që vendi do t’i importojë Unionit. Topi bëri të ditur dje se në një të ardhme të afërt ne synojmë dhe do të bëhemi edhe zyrtarisht anëtarë të familjes së madhe evropiane, së cilës i përkasim gjeografikisht dhe shpirtërisht. “Në këtë familje, - shtoi ai, - si anëtarë të barabartë të rifutur rishtazi do të na duhet që përveç përmbushjes së standardeve pranuese, të sjellim edhe disa nga vlerat dhe pasuritë tona si kulturore, ashtu edhe shpirtërore”. Kreu i shtetit theksoi sërish faktin se Shqipëria është vend ku toleranca fetare ka mbizotëruar gjithnjë, shembull i të cilës është dhe krijimi i një këshilli ndërfetar. “Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, duke pasur si synim dhe objektiva rritjen, forcimin dhe përsosjen e pandërprerë të marrëdhënieve të ndërsjella mes bashkësive fetare tradicionale në Shqipëri, ka marrë përsipër një mision sa fisnik, aq edhe njerëzor: ndërtimin e një shoqërie sa më paqësore e sa më të drejtë në Shqipëri”, - deklaroi Presidenti Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›